Kamioni u fut bosh nga Maqedonia, u mbush me 8 ton drogë në Elbasan

Kamioni që u bllokua në Ankona të Italisë me 8 ton drogë rezulton se ka hyrë bosh nga Maqedonia në Shqipëri. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, kompania private e skanimit e vendosur në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës ka konfirmuar se, pasi është bërë skaneri i kamionit të futur nga Maqedonia, ka rezultuar se ka qenë bosh. Prokuroria, mësohet se ka marrë në pyetje punonjësit e turnit të datës 4 dhe 5 shkurt të këtij viti, kohë edhe kur ka hyrë në territorin shqiptar kamioni nga Maqedonia me shoferin Zoran Stajonoski. Po ashtu bëhet e ditur se, kamioni është kontrolluar edhe nga pala maqedonase në doganë dhe ka rezultuar bosh.
Të gjithë punonjësit e pyetur, i kanë konfirmuar hetuesve se, kamioni i është nënshtruar skanimit dhe në asnjë rast nuk është konstatuar drogë. Veç pyetjes së tyre, Prokuroria mësohet se ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së skanerit dhe foton e skanimit të kamionit. Në këto pamje në asnjë moment, punonjësit e skanerit nuk kanë konstatuar lëndë narkotike të fshehur në rimorkion e kamionit. Veç kësaj, edhe të arrestuarit në Qafë Thanë, punonjësit e policisë, doganierët dhe agjentët doganore, kanë pretenduar se kamioni ka hyrë bosh në Shqipëri, ku edhe është plumbosur e më pas është nisur për në destinacion. Dyshohet se kamioni është ngarkuar me drogë në zonën e Elbasanit, duke mos dëmtuar plumbosjen.
Sipas akuzës, fillimisht shoferi ka njoftuar si destinacion daljen në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, por më pas e ka devijuar atë për në Portin e Durrësit. Këtë ndryshim të destinacionit, në sistem e kanë ndryshuar agjentët doganorë, për të cilët janë ngritur dyshime se kishin dijeni për trafikun e drogës. Për këtë fakt edhe janë arrestuar edhe personat e tjerë, si punonjës të policisë, kontrollorë pasaportash, shoqërues të qenit antidrogë e doganierë të ndryshëm, të cilët nuk kanë kontrolluar përsëri rimorkion, e cila ishte plumbosur nga doganierët e Qafë Thanës. Burimet thonë, se dyshohet se kamioni është ngarkuar në zonën e Elbasanit, duke mos dëmtuar plumbosjen.

Hetimet e Prokurorisë

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, nga kamerat e sigurisë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, kamioni ka hyrë në ora 17:14 minuta të datës 4 shkurt 2017. Nga parkingu, pasi ka mbaruar të gjitha procedurat e verifikimit, skanimit dhe plumbosjes, ka dalë në ora 9:00 të mëngjesit të datës 5 shkurt. Por në ora 15:30 minuta të datës 5 shkurt, fiks pas 6 orë e gjysëm, kamioni ka kaluar në Portin e Durrësit, për t’u ankoruar në tragetin me linjës Durrës-Ankona. Sipas akuzës, 146 km rrugë, kamioni me 8 ton hashash e ka përshkruar për 6 orë e 30 minuta, që në një ditë të zakonshme, ky itinerar bëhet për 3 orë. Për këtë fakt, janë hedhur dyshime nga Prokuroria, se kamioni mund të jetë ngarkuar me drogë brenda territorit shqiptar dhe më pas të jetë plumbosur përsëri rimorkio e kamionit.
Ky dyshim është përforcuar edhe pas sekuestrimit të pamjeve filmike të skanerit që ndodhet në Qafë Thanë, të mbajtur nga kompania private, ku ndër të tjera thuhet se, kamioni ishte bosh në hyrje nga Maqedonia në Shqipëri. Për kalimin e kamionit me 8 ton hashash drejt Italisë me urdhër të Prokurorisë janë arrestuar në Shqipëri 22 persona, mes tyre punonjës policie, doganier dhe agjentë doganorë të kompanive private.
Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e 10 punonjësve të Policisë në Portin e Durrësit, përfshirë edhe shefin e stacionit policor, si edhe 8 doganierë të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës. Ata dyshohet se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 tonë kanabis sativa nga Shqipëria në Itali, në shkurt dhe mars 2017.
Prokuroria për Krime të Rënda i akuzon policët dhe doganierët për veprën penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”.

Gjykata lë në burg 18 të arrestuarit

18 të arrestuarit e akuzuar për trafikimin e 8 tonëve drogë të bllokuar në Itali, mbetën në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata e Krimeve të Rënda, në dy procese të ndryshme zhvilloi seancat gjyqësore veçmas nga njëri-tjetri për 18 të dyshuarit e arrestuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumentave dhe trafikimit të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gjyqtari Fran Prendi shqyrtoi dosjet e 10 të dyshuarve të arrestuar, ndaj të cilëve la në fuqi vendimin e dhënë në mungesë, atë të “arrestit me burg”. Po të njëjtën masë sigurisë la në fuqi edhe gjyqtarja Liljana Muça që shqyrtoi dosjet e 8 të dyshuarve të tjerë. Para gjyqtarëve, disa prej efektivëve të policisë, doganierët dhe agjentët doganore, mohuan akuzat, duke pretenduar se ishin të pafajshëm.
Mësohet se disa prej punonjësve të Policisë së Portit të Durrësit i qëndruan versionit se kamioni në raste të rralla kontrollohet, kur është tranzit në Shqipëri. Pasi presupozohet se është kontrolluar njëherë në hyrje. Për efektivët e policisë, që kishin për detyrë shoqërimin e qenit antidrog, arrestimi ishte një absurd. Ata e cilësuan hetimin skandaloz të Prokurorisë, duke cilësuar arrestimin e tyre si një fushatë kundër uniformave blu. Sipas tyre, nëse qeni nuk nuhat drogën e fshehur, për çfarë përgjegjësie mund të kenë ata si individ! Pyetje këto që nuk morën përgjigje nga prokurorët e çështjes, të cilët kërkuan që seanca e masës të zhvillohen me dyer të mbyllura. Edhe doganierët e arrestuar, mohuan akuzat duke kërkuar lirimin nga qelia. Por, më i ashpër ka qenë reagimi i agjentëve doganorë, sipas të cilëve, nuk mund të mbajnë ata përgjegjësi pse policia dhe punonjësit e doganës nuk zbulojnë se brenda një kamioni ka drogë. Ata treguan procedurat e ndjekura në çdo rast tranziti nëpër Shqipëri, duke përfshirë edhe faktin se ndryshimi i destinacionit është një gjë rutinë për agjentët doganor.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, prokurorët thanë se, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se të 18 të arrestuarit kanë ndihmuar trafikantët e drogës, të kalojnë lehtësisht nga Maqedonia në Shqipëri dhe më pas drejt Italisë kamionin me 8 ton hashash.

R.POLISI

Artikulli paraprakVrasësi e priti komisarin 90 minuta përpara pallatit
Artikulli tjetërPse KQZ nuk mund të shtyjë rregjistrimin e koalicioneve