Kamza, kryeqyteti i lëvizjes së lirë, taksave dhe tarifave të ulëta dhe klimës pozitive ndaj biznesit

Nga Abert Lusha

Të nderuar të pranishëm! Mirë se keni ardhur në këtë takim të Bashkisë Kamëz në kuadrin e veprimtarive të “Javës Evropiane për Demokracinë Vendore”.
Është një kënaqësi që ndodhem para jush dhe flas për arritjet e institucionit Bashkia Kamëz në fushën fiskale, veçanërisht dhe specifikisht prej vitit 2007, kur gjithçka nisi rrugën e plotë të konsolidimit dhe formalizimit të biznesit në qytetin tonë, rritjes së tij, zgjerimit, ku për pasojë u rritën edhe të ardhurat, të cilat janë konvertuar në investime si dhe u rrit edhe punësimi i qytetarëve.
Të ndërtuar miq! Po përpiqem të bëj një rezyme të shkurtër të arritjeve të Bashkisë Kamëz në fushën fiskale ku përpara, sigurisht, kemi pasur një rrugë aspak të lehtë, porse kemi mundur që në bashkëpunimin tonë të ngushtë me biznesin të kemi rezultatet e mira, të cilat po i publikojmë në vijim.
Në krye të herës dua të përsëris se këto arritje janë mundësuar edhe falë një pune intensive dhe korrekte të Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Kamzës me mbështetjen dhe vizionin e kryetarit të Bashkisë.
Në këtë referat timin do të jem konkret në atë se si është zhvilluar biznesi në Kamëz dhe për këtë do të ndalemi pikë për pikë.
Së pari, kur themi Kamza, kemi parasysh një zonë informale e banuar masivisht pas viteve ‘90 nga qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, por duhet të mos harrojmë se qyteti ynë njihet ndryshe dhe si “kryeqyteti i lëvizjes së lirë” pas rënies së diktaturës.
Sot Kamza dhe Paskuqani kanë një infrastrukturë plotësisht të përmirësuar me qindra e qindra kilometra rrugë të asfaltuara, ndërhyrje në KUN, blloqe banimi të rikonstruktuara, shtim të sipërfaqes së gjelbëruar, rritje të ndjeshme të furnizimit me ujë etj., të cilat kanë ndikuar dukshëm, pra qenë një avantazh në rritjen e biznesit të vogël dhe të madh në Kamëz dhe Paskuqan. Kjo, pasi veç paketës fiskale të favorshme, një biznes, nëse nuk i plotësohen elementet për sa përmenda më sipër, dyzohet të zgjerohet apo siç ka ndodhur të zhvendoset nga një qytet tjetër i Shqipërisë në Kamëz.
Jemi të gjithë dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore që kanë ndodhur në Kamëz prej vitit 2007. Investimet e kryera për sa përmenda apo dhe të tjera në fushën e arsimit, të shëndetësisë apo edhe rritja e numrit të bizneseve etj., janë diçka e prekshme, janë shifra dhe të pakontestueshme.

Së dyti, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, bazuar në ligj, veçanërisht kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe kishte taksa të ulëta për biznesin, në porositë, urdhrat dhe nismat e kryetarit të Bashkisë dhe vendimet e Këshillit Bashkiak, ka bërë një punë të kujdesshme për të formalizuar gradualisht dhe plotësisht informalitetin në Kamëz në bashkëpunim dhe mirëkuptim me çdo biznes.
Në këto 12 vite ia kemi dalë jo vetëm të formalizojmë biznesin, por edhe ta ndihmojmë që ai të rritet, falë paketës fiskale stimuluese të miratuar çdo vit dhe ndihmës këshilluese që kemi ofruar si drejtori dhe institucion, shoqëruar kjo edhe me infrastrukturën.
Shifrat që do të përcjell më poshtë, tregojnë flasin qartë për rritjen e numrit të biznesit, por edhe të të ardhurave të cilat kanë shkuar 100% për investime nga Bashkia çdo vit buxhetor.
Së treti, siç the e theksova dhe më sipër, Kamza duke qenë një zonë informale deri në vitin 2007, Bashkia thuajse nuk e kishte nën kontroll territorin, ndaj u desh një punë jo e vogël për të formalizuar mbledhjen e të ardhurave biznesit, por edhe të tarifave vendore familjeve. Falë një pune kurajoze, të përditshme, vendimtare, sot gjithçka është formalizuar.
Referuar vitit 2007, numri i biznesit të vogël në Kamëz është gati 4-fishuar, ndërsa i biznesit të madh afro 7-fishuar.
A nuk janë këto dy shifra tregues i qartë dhe kokëfortë se Bashkia Kamëz, falë infrastrukturës së përmirësuar rrënjësisht në favor të qytetarëve dhe biznesit si dhe një pakete fiskale tejet të kujdesshme ka qenë në favor të biznesit, me qëllimin e vetëm që ai të ushtronte një aktivitet normal, të qetë dhe të zgjerohet më tej, duke mundësuar kështu edhe rritjen e të ardhurave për veten, por edhe njësinë vendore ku ushtron aktivitet e për pasojë duke rritur dhe numrin e qytetarëve nga Kamza, të cilët janë punësuar dhe vazhdojnë të punojnë për të siguruar të ardhurat për të mbajtur familjet e tyre.

Së katërti, të ardhurat nga biznesi për Bashkinë Kamëz sot, krahasuar më vitin 2007, sipas bilanceve tona, janë gati 5-fishuar. Kujtojmë që paketa fiskale çdo vit është bërë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social të zonës, por edhe duke pasur parasysh faktin e kujdesit të Bashkisë Kamëz për krijimin e kushteve të barabarta biznesmenëve, duke eliminuar në maksimum konkurrencën e pandershme. Nga ana e Bashkisë Kamëz, partneriteti publik-privat është parë si një mjet efektiv për të pasur një ekonomi të qëndrueshme (pra, biznesi është konsideruar gjithmonë si një partner i rëndësishëm).
Së pesti, infrastruktura e përmirësuar dukshëm nga Bashkia në territorin e njësisë sonë administrative, paketa fiskale stimuluese, siç e theksova, ka zhvilluar biznesin, ka rritur të ardhurat, por ka ndikuar dukshëm, duke përmirësuar një plagë të rëndë të shoqërisë sonë, siç është papunësia.
Në Kamëz, falë bashkëpunimit biznes-bashki prej vitit 2007 janë punësuar afro 16 mijë qytetarë.
Së gjashti, është e rëndësishme ndoshta të përmend faktin që në Kamëz, veç zhvillimit të biznesit të vogël, i rëndësishëm ka qenë zhvillimi dhe vendosja e biznesit të madh. Kjo i ka dhënë një tjetër potencial dhe rëndësi Kamzës, ku dua të evidentoj faktin që biznesi i madh i vendosur në njësinë tonë administrative jo vetëm që nuk është zhvendosur, por është zgjeruar edhe me firma e kompani të tjera të mëdha, që kanë ardhur nga njësitë e tjera vendore afër nesh në Kamëz apo edhe nga Durrësi si dhe nga jashtë Shqipërisë për të ushtruar aktivitetin e tyre në profilet që ata kanë si fasonë etj.
Së shtati, për arritjet konkrete prej vitit 2007, dua të falënderoj çdo punonjës të Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Kamëz për punën voluminoze të bërë, daljen në terren dhe evidentimin e çdo biznesi që ushtronte aktivitet në njësinë vendore dhe hedhjen në sistem; dua të falënderoj paraardhësin tim, veçanërisht dua t’i shpreh mirënjohjen dhe falënderimin kryetarit të Bashkisë, z. Xhelal Mziu, i cili ka qenë i qartë me vizionin e tij që do të mbërrinim në këtë pikë suksesi për të cilën flasim sot. Një falënderim për bashkëpunimin kam edhe për Këshillin Bashkiak, për secilin anëtar, pavarësisht nga përfaqësimi politik, i cili pas konsultave dhe diskutimeve në mbledhjet e organizuara të Këshillin Bashkiak, janë bindur dhe me vullnetin e tyre kanë votuar që projektin e paketës fiskale ta kthenin në një paketë fiskale.
Për bashkëpunimin e frytshëm dua të falënderoj edhe përfaqësuesit e çdo biznesi.
Uroj që ky diskutim imi t’i ketë shërbyer dhe qëllimit të nismës së kësaj veprimtarie që është rritja e profilit të njësive të qeverisjes vendore dhe rritja e transparencës, e në veçanti, përfshirja e qytetarëve në proceset e demokracisë me pjesëmarrje që në një moshë të re, duke i familjarizuar ata me mekanizmat e vendimmarrjes vendore.
Autori është drejtor i Drejtorisë se Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Kamëz. Fjala e mbajtur në aktivitetin “Java Evropiane e Demokracisë Vendore”, e organizuar nga Bashkia Kamëz

Exit mobile version