Ekipi i Kamzës në futboll po zhvillon një super merkato këtë ditë, pasi në gjirin e saj po afron edhe lojtarë të Superligës. Kryebashkiaku Xhelal Mziu prezantoi sot në zyrën e tij tre lojtarë më emër të cilët kanë qenë edhe pjesë e ekipeve në Supeligë. Në praninë edhe të presidentit të klubit të futbollit FC. “Kamza”, z.Naim Qarri dhe trajnerit të skuadrës Bledar Devolli, z. Mziu prezantoi tre goditjet e merkatos, Jetmir Sefën, Valdano Nimanin dhe Elton Basriu. Kamza bëri tre goditje të fuqishme sot me zyrtarizimin e këtyre futbollistëve. Përveç tyre, ekipi i Kamzës ka zyrtarizuar edhe disa futbollistë të tjerë të cilët do ti japin cilësi ekipit për arritjen e objektivit kryesor siç është ngjitja e menjëhershme në Superligë.
Gjatë prezantimit të tre futbollistëve z.Mziu u shpreh shumë i kënaqur me nënshkrimin e kontratave me këto futbollistë mjaft të kërkuar edhe nga ekipet e tjera si dhe do të jetë një mbështetje edhe më shumë për tu ngjitur menjëherë në Superligë. “Jam i kënaqur me nënshkrimin e kontratës me ju sepse do të jetë një shtysë më shumë për të qenë pjesë e Superligës vitin që vjen”, tha z. Mziu. Ndërsa sa i përket mesfushorit i cili ka një eksperiencë të madhe në Superligë, Jetmir Sefa, në prezantimin e tij, Mziu i tha që përveçse është një vlerë e shtuar për ekipin e Kamzës, e adhuronte edhe kur ishte pjesë e ekipeve të tjera, ndërsa tashmë është me fat që e ka në skuadrën e Kamzës. U shpreh i sigurt që Sefa do të ndikojë jo veç me lojën e tij, por edhe me golat e tij që ka premtuar që do të shënojë për ta ndihmuar Kamzën për tu ngjitur në Superligë. Në kontakte të vazhdueshme me presidentin dhe trajnerin, kryebashkiaku Mziu e pa të nevojshme edhe afrimin e një qendërmbrojtësi siç është Basriu, të cilit i uroj që të bëhej si mbrojtësit e Realit të Madridit, në mos si Ramos të bëhej si Pepe.
Sa i përket merkatos së skuadrës edhe trajneri Bledar Devolli është shprehur me supelativa me afrimet e reja dhe për këtë falënderon shumë drejtuesit e Kamzës duke filluar që nga kryebashkiaku Mziu deri te presidenti Qarri. Ai është shumë i kënaqur, pasi pranë ekipit të Kamzës janë ofruar lojtarët që i ka dashur. Synohet edhe një qendërsulmues që të kompletohet ekipi dhe nuk përjashtohet ndonjë surprizë në ditët në vijim. Pra, Devolli thotë që kemi bërë një merkato të zgjuar. Pak ditë më parë pranë ekipit u zyrtarizuan edhe Frashëri, Boci dhe Rezi.