“Kanabisin e more ti”/ Ja si ndodhi vrasja e dy të rinjve në Malësinë e Madhe

Gjenden pas 5 ditësh trupat e Vilson Çutaj dhe të Klement Pepaj, të dy të ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe. Burimet bëjnë me dije se dy kufomat janë gjetur në fshatin Vrith, pikërisht aty ku edhe janë parë për herë të fundit. Të mbuluar me shkurre në një distancë të largët nga njëri- tjetrit por jo më shumë se 250 metra larg parcelës së mbjellë me kanabis…

Vrasja e dy të rinjve në Malësinë e Madhe pas konfliktit që ka zanafillë kanabisin tronditi opinionin duke rikthyer edhe njëherë përplasjet për çështjet e drogës. Vilson Cutaj dhe Klement Pepaj u gjetën sot pajetë në një zonë të pyllëzuar pranë parcelës me kanabis, e cila u bë shkak për vrasjen e tyre nga Daniel Pepaj, nga i cili ende nuk ka asnjë gjurmë.

Abc News sjell pamjet nga vendi ku u gjetën trupat e pajetë, disa metra larg njëri tjetrit të ekzekutuar me kallashnikov, ndërsa gjurmët e Danjelit dyshohet se janë në Malin e Zi, ku u arratis pas vrasjes. Abc News ndërtoi skemën dhe udhëtimin e 3 të rinjve nga fshati Vrith për në zonën e pyllëzuar të Rrencit në Malësinë e Madhe ku u gjetën pajetë.

Por si nisi konflikti që përfundoi me dy viktima?

Pak muaj më parë Vilson Çutaj kishte dalë nga qelia në burgun e Reçit, ku vuajti dënimin me 3.4 vite për kultivim kanabisi. Por sapo doli nga burgu iu rikthye sërish kanabisit. Së bashku me Klementin, i cili dyshohet se ishte organizatori, kultivuan një parcelë me kanabis në zonën e pyllëzuar te Rrencit në Malësinë e Madhe.

Dy të rinjtë, Klementi dhe Vilsoni që ishin kushërinj me njëri tjetrin, afruan pranë tyre në “biznesin” e drogës edhe Danjel Pepajn. Tre të rinjtë kishin lidhje me njëri tjetrin, pasi Vilsoni ishte kushëri me Klementin, ndërsa ky i fundit me Danjelin duke krijuar besueshmëri për ecurinë e kultivimit të kanabisit. Lëvizjet e tre të rinjve në zonë në 6 muajt e fundit kishin ngjallur dyshime te banorët e zonës.

Por jo gjithçka shkoi sikur e planifikonin, pasi 50 kg kanabis humbasin. Dyshimet? Vilsoni e pyet Klementin se ku dyshon dhe ky i fundit gishtin e drejtoi nga kushëriri i tij, Danjeli, i cili e mohon që ta ketë marrë.

Megjithatë Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj nuk i besojnë dhe ditën e shtunë në datë 3 Tetor udhëtojnë me makinë për të takuar Danjelin për të sqaruar dyshimet. Kujtojmë që Klement dhe Danjel Pepaj janë nga fshati Vrith, ndërsa Vilson Çutaj nga Bajza.

Përballja nuk ishte e qetë. Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj nuk i besojnë dhe dhunojnë Danjelin, të cilin e akuzojnë se mori nga parcela 50 kg kanabis. Por nuk përfundon këtu. Tre të rinjtë largohen nga qendra e fshatit Vrith në datë 3 tetor duke u zhdukur pa gjurmë.

Një ditë ma pas valët e telefonit i kishin lokalizuar në zona të ndryshme, Vilson Çutajn në Razmë dhe Klementin në Bogë, ndërsa për Danjelin nuk kishte asnjë gjurmë. Ky fakt është një nga misteret, se si një ditë pasi u zhdukën u lokalizuan në zona të ndryshme nga antenat e telefonive celulare.

24 orë nga zhdukja pa gjurmë, familjarët të shqetësuar nisin kërkimet te të afërmit për tre të rinjtë, ndërsa i pari që iu drejtua policisë pasditen e së dielës për të kërkuar ndihmë ishte vëllai i Vilson Çutajt, Olsioni, që bëri denoncimin.

Madje policia sekuestroi edhe makinën e tij tip “Benz” me të cilën dyshohet se Vilsoni dhe Klementi shkuan që të takojnë Danjelin përpara se të ngjiteshin në këmbë në mal te parcela.

Menjëherë sapo vëllai i njërit prej të zhdukurve bëri denoncimin në Malësinë e Madhe, teksa policia ende nuk kishte bërë asnjë njoftim për rastin, ishte gazetari Artan Hoxha që bëri publik rastin, madje edhe arsyen e zhdukjes, kanabisi.

Një ditë më pas, në datë 5 tetor, ishin prindërit e Klementit pas zhdukjes së djalit të tyre që u shprehën në Abcnews.al se Danieli kishte dorë në zhdukjen e Vilsonit dhe Klementit.

Në datë 5 tetor policia nisi kërkimet në terren, ndërsa bashkë më efektivët edhe familjarët dhe të afërmit e tre personave të zhdukur. Pas tre ditësh kërkime, sot u gjetën trupat e pajetë të 2 prej të rinjve, Vilson Cutaj dhe Klement Pepaj në zonën e pyllëzuar te Rrencit, 250 metra larg parcelës me kanabis, që kishin kultivuar.

Ata u gjetën duke ndjekur rrugën e dyshuar se mund të kenë bërë 3 personat. Një indicie ishte edhe dëshmia e banorëve të fshatit se në këtë zonë kishin dëgjuar krismat e armëve ditën që janë zhdukur të rinjtë.

Autori Daniel Pepaj, dyshohet se pas sherrit u kërkoi 2 të rinjve të shkojnë te parcela me kanabis në zonën e pyllëzuar që të sqaroheshin. Gjatë rrugës për te parcela, në rrethana jo krejt të qarta, Danjel Pepaj mori armën, që dyshohet se e kishte fshehur në parcelën me kanabis duke i qëlluar për vdekje.

Trupat nuk ishin fshehur apo mbuluar, ndërsa janë qëlluar nga një distancë e afërt me automatik pak metra larg njëri tjetrit. Parcela me kanabis është rreth 3 orë larg në këmbë nga fshati Vrith.
Trupat e 2 të rinjve pritet që të dërgohen në morgun e spitalit, ndërsa autori dyshohet se është arratisur në Malin e Zi./ABCNews.al

Exit mobile version