Kemi ndjekur shpesh në lajme kur raportohet se disa të burgosur kanë tentuar të çelin tunel të nëndheshëm për tu arratisur nga burgu, pra për të krijuar kontakt me botën e jashtme. Kjo analogji gjen vend në burgun politik ku Perëndimi i ka burgosur Sali Berishën dhe ndjekësit e tij të verbër, ka burgosur klanin e tij privat, drejtorët e korrupsionit, ata që e kanë njollosur reputacionin e Partisë Demokratike duke marrë para e duke gjobitur qytetarët. Përralla na thotë se Sali Berisha mban kanale të nëndheshme sekrete me Amerikën, kjo me qëllim për t’i mbajtur ndjekësit të droguar me mendimin se gjoja Amerika do ta njohë një ditë Sali Berishën. I dërguari special i Departamentit të Shtetit në Ballkan, z.Gabriel Escobar, deklaroi në median shqiptare se Sali Berisha është e shkuara dhe nuk ka asnjë mundësi për tu rinjohur e për tu rikonsideruar nga Amerika, çfarëdo që ky politikan të bëjë e sido që ky politikan të veprojë.
Amerika ka treguar se nuk bën shaka dhe nuk i ndërron fjalët që thotë. Nëse thotë se dikush është e shkuara, ai pa dyshim është e shkuara.
Në ketë situatë, Sali Berisha i dëshpëruar nga izolimi ndërkombëtar, i damkosur si njeri i pabesueshëm për interesat e Amerikës dhe Britanisë, nxjerr çirakët dhe hamejt e tij në media e nëpër tavolina, për të gënjyer demokratët dhe shqiptarët, për t’i droguar me gënjeshtra, duke u treguar përrallën se ekziston një Amerikë sekrete e cila mban lidhje sekrete me Sali Berishën. Kjo përrallë është thjesht ngushëllim për të dëshpëruarit.