Kanarina në minierë

Ardian Vehbiu

Disa nga ata që reaguan me përçmim ndaj peticionit kundër turbologëve sollën këtë argument: nuk ia vlen të merresh me këtë fenomen të mjerë, periferik, që i përket më shumë cirkut se dijes (dhe ideologjisë); dhe se nuk vjen ndonjë e keqe nga marrëzitë që thuhen në ekran.

Është argument i ndjeshëm, që më ka bërë të mendoj. Shumë prej nesh qeshim, kur dëgjojmë një turbolog të shpjegojë gjermanishten GEFUNDEN (pjesorja e shkuar e finden, “gjej”, khs. angl. FOUND), si përngjitje të shqipes I GJEJ FUNDIN; dhe qeshim sepse kjo, në fakt, është për të qeshur dhe si kontribut mendor i përket rrafshit komik.

Nuk është, pra, turbologjia në vetvete, që do parë si sëmundje e arsyes sociale, por depërtimi i saj në sfera ku nuk pritej. Mund ta përfytyrosh të kultivohet, në kopshtet e një televizioni privat, me siguri të falimentuar, ngaqë nuk ka paguar faturën e ujit; të thirrur atje nga një gazetar i lodhur nga jeta, cinik, i kafeneve; por jo si model të suksesshëm të një emisioni, që replikohet nga një kanal në tjetrin.

Normalizimin e turbologut në ekran do ta krahasoja me kanarinën e ngordhur, në një minierë qymyri. Shprehja e anglishtes, CANARY IN THE COAL MINE, u referohet pikërisht atyre kohërave, kur minatorët merrnin me vete në galeri ndonjë kanarinë në kafaz, për ta përdorur si një lloj alarmi “biologjik” për rrjedhje gazi të rrezikshëm ose helmues – për shembull monoksid karboni ose metan. Thuhej se zogu, për shkak të metabolizmit të lartë dhe frymëmarrjes së shpeshtë, do të ngordhte i helmuar a i asfiksuar prej gazit para se minatorët të ndienin gjë.

Sot kanarinat i kanë zëvendësuar me sensorët elektronikë, që janë më të ndjeshëm dhe që, zakonisht, nuk ngordhin.

Normalizimi i turbologjisë dhe i pseudologjisë, pra, është kanarina që na ngordhi – për të na lajmëruar se ka diçka tejet toksike, helmuese, fatale, në ajrin kulturor që thithim; por që ende nuk e ndiejmë drejtpërdrejt. Ose e ndiejmë, por e arsyetojmë duke thënë “ai ka të drejtën e vet të shprehet…”, ose “le të dalë Akademia dhe ta kundërshtojë”; në mirëbesim ose në keqbesim. Siç i ngjan kanarinës që na ngordh dyndja, sërish në ekranet, e konspiracistëve, që po e shpjegojnë botën si të ishte filxhan i kafesë, duke ua zënë vendin përpjekjeve për njohje racionale.

Me entuziazmin dhe zellin e tyre, turbologët lajmërojnë se po ndodh diçka – jo fundi i supremacisë së elitave “komuniste”, siç kujtohet madje urohet ndonjëherë, as momenti i ndërrimit paradigmatik në dijen historike; mbase më tepër një paralizë e arsyes, te një shoqëri e mbetur pa oksigjen për mendjen, por ende me nivele të larta të sekretimit të pështymës.

Shënim: imazhi është krijuar me AI.

Artikulli paraprakMë lër të flas! Parlamenti është mejdan i fjalës e jo arenë përleshjesh e gladiatorëve
Artikulli tjetërRoli pozitiv i Indonezisë