Gara në Berat, Klosi masakroi të varfrit, Felaj lidhje me drogën

Në pamundësi për të treguar një alternativë për rritjen ekonomike, punësimin, investimet etj., Rama në këtë fushatë të vitit 2017 u mor me listën e Partisë Demokratike, që në thelb kryesisht ka njerëz të papërfolur akademikë, që s’kanë mbajtur kurrë poste publike. Janë njerëz që kryesisht më shumë i kanë dhënë se i kanë marrë këtij vendi në vendet ku ata kanë dhënë kontributin e tyre, në raport me vendet e sigurta që u ka lënë në dispozicion Rama bandës së tij të abuzuesve me pushtetin, mbështetësve të narkotrafikut dhe të gjithë atyre që sollën këtë katrahurë, ku dirigjenti i saj ishte vetë Edi Rama. Emrat e akademikëve, Rama në një mënyrë dëshpëruese mundohet t’i krahasojë me emrat e Taulant Ballrave të Librazhdit, Arben Ahmetajt, Saimir Tahirit, Ilir Beqajt, Gramoz Ruçit, Damian Gjiknurit, që në një shtet normal nuk duhej të ishin drejtues të një fushate që premton prosperitet, por prapa dyerve të burgut. Qark më qark kjo ka ndodhur. Mëkatarët drejtojnë fushatat, duke të kujtuar filmat ku mafiozët mbështesnin kandidatë të caktuar, por me një ndryshim tjetër, që në këtë rast vetë kupola e mafias ka marrë në dorë drejtimin e fushatës. Ish-sekretarë partie, dallkaukë dhe hajdutë janë prezent në çdo qark të Shqipërisë. Njerëz, të cilët duhet të ishin mbyllur në shtëpitë e tyre, për atë çka i kanë bërë këtij vendi, si kontributorë të varfërisë dhe braktisjes masive të vendit.

Klosi dhe ndihma ekonomike

Qarku numër një është ai i Beratit, ku në krye të listës për deputet Rama ka përzgjedhur dy persona të besuar të tij. Njëri ish-ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi dhe tjera ministre aktuale e Marrëdhënieve me Parlamentin, Ermonela Felaj. Blendi Klosi u thirr nga Fatos Nano në kryeministri si asistent i tij për shkak të mbiemrit që të kujton hetuesin e diktaturës Bilbil Klosi në vitin 1997, pra përpara 20 vjetëve dhe që atëherë nuk ka reshtur së mbajturi poste të larta në Partinë Socialiste. Djalë i një ushtaraku të lartë të nomenklaturës komuniste, ai do të emërohej në vitin 2000-2001 si zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ku dha një kontribut jo të vogël për manipulimet zgjedhore të atij viti. Në vitin 2002, pas zgjedhjeve për shkak të kontributit të tij në manipulime nga zëvendësministër do të emërohej ministër Shteti pranë kryeministrit, post që do e mbante deri në vitin 2004. Më pas, do të kalonte si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Me rrëzimin e kumbarit të tij Nano, që e ndihmoi të ngjiste në mënyrë të rrufeshme shkallët e karrierës, do të bëhej një nga besnikët e Ramës, i cili do e shpërblente me dy mandate rresht si deputet, në zgjedhjet e vitit 2009-2013. Nga ana tjetër, në vitin 2015 pas ikjes së pinjollit të Ramës në Bashki, Klosi do të emërohej ministër i Punës, Mirëqenies dhe Çështjeve Sociale, një sektor mjaft delikat ky për sa i përket zbutjes së varfërisë. Por Klosi me të marrë detyrën e tij si ministër do të bënte atë që asnjë ministër me integritet s’do e bënte. Ministri, i cili e fillon plazhin në maj dhe e mbyll në shtator, në vendet më të shtrenjta të vendit, por dhe jashtë, hartoi një ligj që kish të bënte me ndihmën ekonomike. Sipas atij ligji absurd kush vërehet se ka një bolier dushi, tigan, lopë apo gomar në shtëpi nuk e meriton ndihmën ekonomike. Një ligj që nuk është parë as në kohën e diktaturës, kur bëhej tufëzimi. Ky njeri tashmë na prezantohet në krye të Qarkut të Beratit, si njeriu që do të kontribuojë në ndërtimin e shtetit. Një njeri që ka përfituar sa ka mundur prej më shumë se 23 vjetësh nga administrata shtetërore dhe që ka dhënë ndihmën e tij për t’i vënë dërrmën çdo gjëje të bukur në këtë vend, kandidon në një nga zonat e njohura për papunësinë masive që e shoqëron. Blendi Klosi do të mbahet mend si njeriu që nxori me mijëra vetë nga ndihma ekonomike vetëm që paratë e saj të shkonin në adresë të klientëve të Ramës, me koncesione në shëndetësi e ngado.

Felaj e lidhur me drogën

Deputetja tjetër që kryeson listën e Ramës në Berat është Ermonela Felaj. Kjo u mor nga Berati në vitin 2009 ku ishte prokurore si pasojë e spastrimeve që ndërmori Edi Rama, ku nga ky qark iku atëherë Marko Bello. Ermonela Felaj,  aktualisht është ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin që nga viti 2014, kur këtë post e braktisi Ilirjan Celibashi. Mund të thuhet se është një nga njerëzit që Rama përdor më së shumti për allishverishet e tij, sidomos kur i duhet të justifikojë gafat e tij të qëllimshme ose jo që dërgon drejt Kuvendit. Është ky person që përgjigjet kokulur para shefit të saj, për të gjitha ligjet paçavure që degraduan këtë vend, si taksat, amnistitë, ligji i plehrave etj., me radhë. Por jo vetëm kaq. Në vitin 2014, Felaj do të bënte të dështonte një komision hetimor në lidhje me transportin e drogës që kryhej nga aeroportet ushtarake në vend, ku Felaj ishte kryetare e komisionit. Është i habitshëm fakti se hetimet në lidhje me avionët që niseshin nga Divjaka dhe Gjadri i bënte pikërisht burri i Ermonela Felajt, Bledar Valikaj, asokohe oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ish-Kryeministri Sali Berisha në lidhje me këtë çështje do të akuzonte se puna e komisionit hetimor është dështuar qëllimisht nga çifti Velikaj, duke akuzuar bashkëshortin e ministres se është mbajtur një javë peng për shkak të pazareve të drogës. Më tej do të ishte këmbëngulja e Felajt, që bashkëshorti i saj të dërgohej si prokuror pikërisht në Berat, gjë që në korrikun e vitit të kaluar u refuzua nga presidenti Nishani, pikërisht për shkak të akuzave të ngritura.

Fadil Nasufi, njeriu që shkatërroi historinë mijëra vjeçare të qytetit

Në vendin e katërt, në listën e Beratit është vendosur Fadil Nasufi. Besojmë se Berati s’ka nevojë të dijë shumë për ish-sekretarin e Rinisë, i cili organizonte mbledhje për shfaqjet e huaja që demonstronin të rinjtë në këtë qytet. Por jo vetëm kaq, prej vitit 2003 e deri në vitin 2015 Fadili ka qenë kryetar i Bashkisë së Beratit, i cili sipas një raporti të UNESCO ka kryer as më shumë e as më pak një masakër urbanistike me qytetin historik 3 mijë vjeçar. Pra, është as më pak e as më shumë se një Vangjush Dako i Beratit, por që këtë herë kandidon për deputet, pasi i ka provuar të gjitha pushtetet në këtë qytet. Aktualisht është prefekt i qarkut, pas marrëveshjes me LSI-në që bëri Rama në vitin 2015. Pa Fadilin në listë duket se Berati “nuk ka shpresë”, ndërkohë që Fadili është po aq fajtor për shkatërrimin e vlerave muzeale dhe shtimin e papunësisë dhe varfërisë në këtë qytet sa Edi Rama, Ermonela apo Klosi që garojnë në këtë qytet. Duket se Beratin Rama e ka parë si një çiflig të pushtetit dhe i ka përzgjedhur njerëzit aty që të vazhdojë t’ja rëndojë akoma më shumë hallet në katër vitet e ardhshme.

Berisha: Blendin e shpëtoi kushëriri i tij Fatos Klosi nga burgu

Ish-Kryeministri Sali Berisha, në një seancë parlamentare të vitit 2014, ka akuzuar Blendi Klosin se ka hyrë në politikë si trafikant i drogërave të rënda, kokainë. Klosi nuk është vetëm pinjoll i Klosëve kriminelë, që nga Bilbili e Fatosi, por edhe një trafikant droge sipas Berishës. “Fatos Klosi, kushëriri i këtij nxori njësitë e SHISH në aeroport, por në vend ta merrte antidroga e morën njësitë e SHISH, u bë një betejë e jashtëzakonshme dhe njeriu që e mori ishte Blendi Klosi. Dhe drogën e bëri drogën e partisë. Të lutem! Mori dokumentet, e mori kushëriri dhe kushëriri”.

Burri i Ermonela Felajt është mbajtur peng nga trafikantët e drogës

Ish-Kryeministri Berisha ka akuzuar ministren e Marrëdhënieve me Parlamentin, Ermonela Felaj për lidhjet e saj dhe të bashkëshortit të saj me trafikun e drogës, ku bashkëshorti i saj është mbajtur një javë peng nga trafikantët për pazare. “Sot po e dëgjoni, që shqiptarët të kuptojnë se këta janë avoketër të padiskutueshëm të trafikut të drogës. Nuk është e rastit që ky zotëria bën avokatinë. Keni vendosur kryetare të Komisionit Hetimor parlamentar gruan (Ermonela Felaj), i shoqi i së cilës është mbajtur peng 1 javë për pazare droge, dhe këtë e di gjithë Berati”, është shprehur Berisha.

Artikulli paraprakNë 25 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë
Artikulli tjetërDibër, në dy vite tuneli i Arbrit dhe universitet