Kandidatët pas Messit e Ronaldos

Messi dhe Ronaldo. Ronaldo dhe Messi, si mund të dilet nga ky çift monopolizues që zgjat pa u ndërprerë që nga 2008. A ka ndonjë shpresë për të parë dorëzimin e “Topit të Artë” te ndonjë lojtar tjetër, deri në momentin që Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do të jenë në aktivitet? Deri më tani është vetëkandiduar vetëm Mario Balotelli duke u shprehur se është i bindur se mund t’ja dalë nëse do të ketë një sezon pa dëmtime. Dikë tjetër e tundon ideja Pogba, por që në Manchester duket se po humbet shkëlqimin e tij. Është vërtet interesante të gjesh se cilët mund të jenë kandidatët për të marrë trashëgiminë e Messit dhe Ronaldos në të ardhmen e afërt me mediat ndërkombëtare që provojnë të gjejnë se cilët mund të jenë ata.
Radha fillon natyrisht me futbollistë me nivel të lartë teknik, në krye të saj qëndron sigurisht Neymar që sapo ka shprehur potencialin e tij të plotë, ndërkohë që nuk është se mbeten pas edhe emra si Gareth Bale, Eden Hazard, Marko Reus apo Alexis Sanchez. Ka edhe futbollistë që kanë përpara një marzh të konsiderueshëm përmirësimi si për shembull, Paulo Dybala, ndërsa mbetet për t’u kuptuar nëse edhe emra si Coutinho apo Mahrez mund të bëjnë një hap të konsiderueshëm cilësor për të patur ambicien e një misioni të tillë.
“Topi i Artë” mund të shkojë edhe te një super goleador, një nga ata që të bindin duke shënuar 30 apo 40 gola në një sezon, në këtë rast mund të jetë radha e njerëzve si Suarez, Lewandowski, Aguero, Higuan, Griezman, Cavani apo Diego Costa. Natyrisht që nga koha e nderimit me këtë çmim të Lew Yashin, “Topi i Artë” është një “Mollë e ndaluar” për portierët dhe dikush si Neuer ka më pak shanse, edhe pse mbron portën e Bajernit dhe kombëtares gjermane. Edhe mbrojtësit nuk janë ata që merren shumë në konsideratë, i fundit që e ka fituar trofeun është Fabbio Cannavaro pas triumfit të Italisë në Botërorin 2006, por ç’mund të thuhet për Sergio Ramos? Mes Realit të Madridit dhe Spanjës, mund të ketë gjithmonë vend për një goditje me kokë që vlen një trofe, ndaj dhe ai e meriton të paktën të përmendet.

Artikulli paraprak“Topi i Artë” është i Ronaldos
Artikulli tjetërDëmtimi, Mustafi nuk luan më këtë vit