“Kandidatët tanë në tetor në terren”, Basha: Nuk heqim dorë nga rekursi, ka hetime për vendimin korruptiv të 11 qershorit

Në intervistën për Euronews, Lulzim Basha tha se në programi i demokratëve euroatlantikë do të jetë në zgjedhje dhe do të shpaloset nga kandidatët për deputetë.

Basha tha se demokratët euroatlantikë nuk do të heqin dorë nga rekursi në Gjykatën e Lartë dhe në të njëjtën kohë do të punojnë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Sipas tij, në javën e parë të tetorit një pjesë e tyre do të jenë në terren, ndërsa zyrtarizimi do të jetë në një format që përfshin edhe aleatët politik.

Pjesë nga intervista e Bashës:

Nga ana ligjore çdo vendim që do të merret, sigurisht ne presim me bindje që drejtësia të bëhet. Do të bëjmë çdo investim që drejtësia të bëhet, që Gjykata e Lartë t’i qëndrojë konseguent vendimit të saj të parë dhe të rrëzojë vendimin korruptiv të 11 qershorit. Për të cilin kam informacione se kanë nisur dhe hetimet paraprake për mundësi korruptimi për vendimin e 11 qershorit. Informacione të cilat i kam marrë rreth datës 10 gusht që ka indicje. Por kjo tregon edhe njëherë se sa e rëndësishme është që ne t’i qëndrojmë rekursit në Gjykatën e Lartë.

Por ama nuk humbasim asnjë sekond dhe në çdo rast, çfarëdo që të ndodh, alternative jonë, demokratët euroatlantikë me programin tonë do të jetë në zgjedhje. Madje do t’ju them që programi ynë është i pari i shpallur, shumë shpejt përmes mediave do të organizojmë dhe debatin me kandidatët për deputetë. Kandidatë të cilët nuk do të jenë njerëz falls, nuk do të jenë njerëz të cilët mbahen pas thoit për të patur një karrige, njerëz që nuk besojnë se Sali Berisha do t’i sjell në pushtet, por thonë të jemi të sigurtë në listën e Sali Berishës, na do s’na do populli, na duan s’na duan demokratët, njerëz pa zgjidhje për shqiptarët, pa zgjidhje për demokratët, pa zgjidhje për Shqipërinë. Por do të jenë burra dhe gra, zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja. Një pjesë e madhe janë evidentuar nga degët tona, do të kalojnë sigurisht në sitën e konsiderimit të të gjithë si me thënë aspekteve të kandidatëve dhe besoj që duke filluar nga java e parë e tetorit disa prej këtyre kandidatëve tanë do të jenë në terren. Sigurisht zyrtarizimi do të jetë në një format që përfshin edhe aleatët tanë.

Exit mobile version