Kandidati i Koalicionit Euroatlantik Aldi Lekaj pa imunitet dhe me derën hapur për qytetarët , një tjetër mënyrë për të bërë politikë

Në hapësirën politike “Zgjedhje 2025” në Infoweb Media, përballë gazetares Entela Duka, kandidati i Koalicionit Euroatlantik për qarkun e Elbasanit, Aldi Lekaj, shpalos prioritetet e tij me një qëndrim të prerë dhe ndryshe nga çdo tjetër në garë. Lekaj premton hapjen e një zyre deputeti për qytetarët dhe dorëzimin e menjëhershëm të imunitetit parlamentar ,një akt që, sipas tij, simbolizon fundin e mburojës mes politikanit dhe zgjedhësit. Me fokus në ndotjen, emigracionin e të rinjve dhe pabarazinë mes zonave urbane e rurale, ai e quan këtë një betejë për fëmijët, për drejtësinë e munguar dhe për një Elbasan që, siç thekson, “meriton më shumë”.
Më poshtë pjesë nga intervista.

Gazetarja: Në rast se qytetarët ju votëbesojnë dhe ju i përfaqësoni në Parlamentin e ri, cila do të ishte gjëja e parë që do të bënit sapo të merrnit detyrën?

Aldi Lekaj: Nëse do të kem privilegjin për t’u besuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve të qarkut të Elbasanit, do të hap një zyrë deputeti për t’u shërbyer çdo qytetari, për çdo nevojë që kanë. Do të dorëzoj pranë Parlamentit të Shqipërisë imunitetin tim. Nuk do të lejoj të ketë një mburojë ligjore mes meje dhe zgjedhësve të mi.
Fokusi im dhe i zyrës do të jetë në tre shtylla kryesore:
1-Ndotja e qytetit dhe menaxhimi i mbetjeve urbane. Nuk ka asnjë zgjidhje të përshtatshme sa i përket mbetjeve industriale.
2-Edukimi i të rinjve dhe emigracioni, një plagë e madhe e qarkut, e dukshme në rrugët e qytetit dhe në të 7 bashkitë e qarkut. Do të fokusohemi në edukimin e tyre dhe në dhënien e një mundësie që ata të qëndrojnë këtu, të punojnë këtu dhe të shpërblehen këtu, sikur të ishin në vendet e ndryshme të Europës.
3-Infrastruktura e munguar dhe shërbimet civile.Ka një hendek të madh mes shërbimeve në zonat rurale dhe atyre urbane. Unë mendoj se kjo mungesë kujdesi është e qëllimshme. Kemi akses të kufizuar në arsim dhe në shëndetësi. Kemi furnizim të kufizuar me ujë të pijshëm. Kjo do të jetë shtylla e tretë e fokusit tonë, në mënyrë që zhvillimi i qytetit dhe i fshatit në qarkun e Elbasanit të ecë paralelisht.

Gazetarja: Mesazhi juaj?

Aldi Lekaj:Kjo nuk është një garë për mua, është një garë për fëmijët tanë, për qytetin tonë, për një drejtësi të munguar, për një standard të munguar, për shërbime të munguara. Është një garë për t’i dhënë mbrapsht qytetit çdo gjë që na ka dhënë. Për të kthyer vizionin në veprim, për të filluar të ndërtojmë sot të ardhmen që meritojmë, sepse Elbasani meriton më shumë. Shqipëria meriton më shumë./Infoweb Media

Exit mobile version