Kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Hysen Xhura, kallëzim në SPAK: Po kërcënohem për shkak të kandidimit tim. Policia hesht, autorët me precedentë penalë

Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Qarkun e Tiranës, Hysen Xhura, ka dorëzuar një kallëzim pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku denoncon një ngjarje të rëndë kërcënimi dhe shantazhi, që lidhet drejtpërdrejt me angazhimin e tij në zgjedhje.

Në denoncimin e dorëzuar, Xhura shprehet se shtetasi Miklovan Arapi, punonjës i IKMT-së pranë Bashkisë Tiranë, së bashku me vëllain e tij Roland Arapi, një person me precedentë penalë dhe rrezikshmëri të lartë, kanë shkuar pranë pronës së babait të tij dhe kanë kërcënuar me jetë një nga punonjësit e familjes. Më tej, ata kanë penguar dhe shantazhuar punëtorë të tjerë, duke ndaluar aktivitetin e tyre.

“Këto veprime janë të lidhura me fushatën time dhe synojnë të më frikësojnë si kandidat për deputet,” deklaron Xhura, i cili shton se me këta persona ka pasur edhe më parë përplasje, për të cilat ka kallëzuar në SPAK, por pa marrë përgjigje mbi ecurinë e hetimeve.

Më shqetësues, sipas tij, është fakti që ngjarja e sotme është denoncuar menjëherë në Policinë e Shtetit, pranë Besmir Dervishit, shefi i Komisariatit Nr. 3, por institucionet nuk kanë reaguar.

“Autorët janë të njohur për organet e rendit dhe të drejtësisë, por pavarësisht kësaj, Policia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Po përballemi me një situatë që ngjan me veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal, që ushtron presion dhe dhunë për arsye politike”, thekson Xhura.

Ai i ka vënë në dispozicion SPAK-ut edhe materiale filmike që dokumentojnë kërcënimet dhe deklaron gatishmërinë për të bashkëpunuar me oficerët hetimorë në çdo moment.

“Jam i vendosur të mos tërhiqem përballë frikësimit dhe shkeljes së ligjit. Kërkoj ndërhyrje të menjëhershme për të garantuar sigurinë time dhe të familjes sime, si dhe mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor të ndershëm,” përfundon ai në denoncimin e tij.

Artikulli paraprakVIDEO/ Basha dhe Aurela takohen rastësisht në rrugët e Tiranës me bashkëshorten e Ramush Haradinajt