Kandidati i Koalicionit Euroatlantik për Vlorën, Ismail Ferraj, ka reaguar pas shpalljes së listave për zgjedhjet e 11 majit, duke shprehur angazhimin e tij për një përfaqësim ndryshe dhe të përkushtuar në shërbim të qytetarëve vlonjatë.
“Sot ndodhemi në një moment vendimtar për vendin. Këto zgjedhje përballin dy realitete: modelin e vjetër të politikës dhe një brez të ri me energji, pasion dhe përkushtim për qytetarët,” shprehet Ferraj në reagimin e tij.
Si kandidati më i ri në listë, ai premton një angazhim të palëkundur për të sjellë një politikë transparente dhe të hapur, duke vënë theksin tek nevoja për më shumë mundësi për të rinjtë, zhvillimin e kulturës dhe sportit, si dhe ndërtimin e një politike që i shërben njerëzve, jo interesave të ngushta.
“Me mbështetjen tuaj më 11 maj, Vlora do të ketë një përfaqësim dinjitoz, të freskët dhe serioz në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Së shpejti do të shihemi çdo ditë për ta bërë këtë projekt të prekshëm, sepse rinia, Vlora dhe Shqipëria meritojnë më shumë!” përfundon ai.
Postimi i Ismail Ferraj:
Të nderuar qytetarë të Vlorës,
Kam përgjegjësinë dhe nderin të jem kandidat për deputet në Qarkun e Vlorës, si pjesë e listës së hapur në zgjedhjet e 11 majit. Si kandidati më i ri, vij me pasion dhe vullnet për të sjellë një model ndryshe të përfaqësimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Sot ndodhemi në një moment të rëndësishëm për vendin, pasi këto zgjedhje përballin dy realitete: individë me një model të vjetër dhe të konsumuar politik, dhe të rinj të përkushtuar, me pasion, freski dhe një qasje të re në shërbim të qytetarëve.
Duke falënderuar demokratët e qytetit, Kryesinë e Degës dhe Kryesinë Qendrore të Koalicionit Euroatlantik për mbështetjen e tyre, angazhohem të jem një zë i fortë për vlerat, parimet dhe kulturën e re politike, gjithmonë në shërbim të qytetarëve vlonjatë.
Është koha të krijojmë më shumë mundësi për të rinjtë, të inkurajojmë artin, kulturën dhe sportin, si dhe të ndërtojmë një politikë të re, të bazuar në transparencë dhe punë të palodhur.
Me mbështetjen tuaj më 11 maj, Vlora do të ketë një përfaqësim dinjitoz, të freskët dhe serioz në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Së shpejti do të shihemi bashkë çdo ditë për ta bërë këtë projekt të prekshëm, vendit i duhet zëri i të rinjve të angazhuar në Kuvendin e Shqipërisë sepse rinia, Vlora dhe Shqipëria meriton më shumë!