Nga Myzafer Elezi
Sot, në këtë moment vendimtar për të ardhmen tonë, dua të theksoj rëndësinë e mbështetjes së institucioneve të pavaruara, veçanërisht të SPAK.
Në një kohë kur shumë qeveritarë, ish-qeveritarë dhe drejtues të institucioneve shtetërore janë përfshirë në skandale korruptimi dhe shpërdorimi, SPAK shihet si garanci e drejtësisë të vërtetë dhe të pavarur.
Ky institucion sfidon ndikimet politike dhe abuzimet me fondet publike, duke zbuluar rrënjët e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, dhe kështu shërben si një simbol i ndryshimit dhe transformimit të sistemit politik. Në një mjedis ku llogaridhënia dhe transparenca janë themeli i një Shqipërie të integruar në Europë, besimi në SPAK përfaqëson shpresën për një të ardhme më të drejtë dhe të ndritur për të gjithë.
Guximi i SPAK për t’u dhënë fund pandëshkueshmërisë është domosdoshmëri e kohës. Ky institucion, i cili ka dëshmuar se është shtylla e një drejtësie të vërtetë, përfaqëson shpresën e popullit për një Shqipëri të pastër dhe të drejtë. Të gjithë i kemi sytë nga SPAK, sepse vetëm me efikasitetin e tij historik mund të ndërtojmë një shtet ku transparenca dhe përgjegjësia janë themeli i qeverisjes.
Megjithatë, duhet të pyesim: pse liderët e forcave kryesore politike, në vend që të mbështesin këto institucione jetësore, i kërcënojnë ata direkt apo indirekt? A janë ata të frikësuar nga hetimet, nga verifikimi i pasurisë dhe nga zbulimi i lidhjeve me elementë të krimit të organizuar?
Koha kërkon një veting të thellë të politikës, nga kabineti qeveritar pa përjashtim, deri te deputetët, kandidatët, drejtuesit e bashkive dhe të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi për mirëqenien e shoqërisë.
Vetëm duke ndërtuar institucione të pastra, të forta dhe të përkushtuara për të dhënë drejtësi të pavarur, mund të kalojmë në një fazë të re, një fazë ku Shqipëria integrohet plotësisht në Europë dhe ku çdo qytetar ndjen krenari për vendin e tij.
Mbështetja për SPAK është më shumë se një vendim politik; është një thirrje për një transformim të vërtetë, për një të ardhme më të ndritur dhe të drejtë për të gjithë.
Në këtë drejtim, unë bashkohem me ata që e kuptojnë domosdoshmërinë e këtij ndryshimi. I vetmi politikan që artikulon mbështetje pa kushte për SPAK, që prej krijimit të këtij institucioni, është Lulzim Basha, kryetari i Koalicionit Euroatlantik. Për këtë arsye, unë jam rreshtuar krah tij, duke dhënë kontributin tim për një politikë të re, të shkëputur nga e kaluara, për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur dhe për të ndërtuar një qeverisje të përgjegjshme dhe efikase për shqiptarët.
Le të bashkohemi të gjithë, të mbështesim SPAK, me besim dhe vendosmëri, për të ndërtuar një Shqipëri të fortë, të drejtë dhe transparente.
Jepi, forca SPAK, sepse të gjithë i kemi sytë nga ty!