Kandidati i Koalicionit Euroatlantik Vlorë, Blendi Hoxhaj: Rama, katalizator i korrupsionit dhe i largimit të të rinjve

Kandidati i Koalicionit Euroatlantik Vlorë, Blendi Hoxhaj, nëpërmjet një reagimi në profilin e tij në rrjetin social facebook shprehet se në këto 12 vite Edi Rama ka qenë katalizatori i korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigrimit masiv të të rinjve, të cilëve u ka mohuar çdo mundësi të ndershme për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre.

“Të rinjtë demokratë të vërtetë nuk shiten dhe nuk përdoren! Shqipëria Europiane nuk ndërtohet me pazare mes Berishës dhe Ramës, por me një politikë të pastër, me përfaqësim të vërtetë dhe me të rinj që besojnë në parime, jo në përfitime personale.” – vijon më tej ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Edi Rama, në këto 12 vite qeverisje, ka qenë katalizatori i korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigrimit masiv të të rinjve, të cilëve u ka mohuar çdo mundësi të ndershme për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre. Shqipëria sot është më larg Europës se kurrë, jo për shkak të të rinjve, por për shkak të një pushteti që bazohet në klientelizëm, kapjen e shtetit dhe pasurimin e një grushti njerëzish në kurriz të shumicës.

Fatkeqësisht, PD-ja ndër vite ka bërë të njëjtën gjë: me qëllim ka përjashtuar të djathtët me ideale për një Shqipëri më të mirë dhe ka katapultuar karrieristët, që e kanë parë politikën vetëm si një mundësi përfitimi dhe që i bëjnë fresk kryetarit. Një parti klienteliste, ku vetë fjala “demokraci” ka humbur çdo kuptim.

Ata që sot shiten si “përfaqësues” të të rinjve demokratë nuk janë asgjë më shumë se individë që e shfrytëzojnë këtë moment për interesa personale, ashtu si gjithë mbështetësit e Sali Berishës dhe ai vetë. Ata nuk përfaqësojnë rininë e djathtë, nuk përfaqësojnë vlerat demokratike dhe nuk mund të flasin në emër të të rinjve që kanë luftuar për një Shqipëri ndryshe.

Të rinjtë demokratë të vërtetë nuk shiten dhe nuk përdoren! Shqipëria Europiane nuk ndërtohet me pazare mes Berishës dhe Ramës, por me një politikë të pastër, me përfaqësim të vërtetë dhe me të rinj që besojnë në parime, jo në përfitime personale.

Artikulli paraprakNgecja e bisedimeve Kosovë-Serbi sprovon BE-në!
Artikulli tjetërBasha nis takim me diasporën në Greqi me këngën e Unikkatilit, Kuq e Zi