Kandidati i PD-së për Bashkinë Durrës Luan Hoti takon sipërmarrës të agroturizmit: Brenda 100 ditëve paketë fiskale që ndihmon biznesin

Sipërmarrës të agroturizmit në zonën e Shkallnurit kanë takuar kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit, Luan Hotin.

“Ka qenë një kohë inekzistence ku bashkia vetëm aty rreth e rrotull godinës së vet mund të ketë funksionuar, nëse hedhim sytë kudo që shkojmë shikojmë që nuk ekziston.
Siç jemi dëshmitarë rruga që fillon nga Ura e Dajlanit deri në Plepa që jemi dhe ne pjesë e kësaj rruge kryesore, rrugë që ka dalë komplet jashtë loje. Imagjino që dhe në dimër ne të zonës nuk mund të kalojmë aty. Mos të flasim pastaj për abuzimet e fondeve që gjatë 8 viteve që ka qenë aty Vangjush Dako ne kemi patur vetëm shkatërrime deri sa jemi në një situatë të tillë që ajo është jashtë funksionit. Sipas meje ajo ka nevojë prapë për një projekt të ri për turizmin dhe banorët”, tha Fatmir Muça.

Ai shtoi se rrethrrotullimi i Plepave ka 30 vjet pa ndriçim dhe se të vjen keq që janë një zonë e mirëfilltë turistike.

“Luanin do ta çojmë drejt bashkisë. E quaj një shans të madh për qytetin dhe komplet Bashkinë e Durrësit!”, theksoi Muça.
“Jam banor autokton i zonës. Ne jemi lodhur duke pritur që më në fund të kemi një kryetar, i cili të jetë kryetar për popullin dhe në shërbim të popullit.
Jemi lodhur nga kryetarë që janë miq të kryeministrit, që janë njerëz të paprekshëm nga imuniteti politik që gëzojnë dhe që zënë një karrige aty për disa mandate dhe nuk bëjnë asgjë për popullin. Problemet e mia si banor i fshatit Shkallnur janë të pafundme. Unë kam probleme me rrugën automobilistike, për të shkuar në shtëpi, kam probleme me ujin e pijshëm që e kam zgjidhur në mënyrë private. Problemet në hipotekë janë të pafundme, ndoshta nuk i zgjidh bashkia në tërësinë e organizimit institucional por megjithatë janë probleme që prekin pjesën më të madhe të banorëve të Shkallnurit”, tha një tjetër sipërmarrës në bisedën me kandidatin e PD-së Luan Hoti.

Agron Xhafa, një sipërmarrës i prodhimit të verës tha se i ka pëlqyer plani 1-vjeçar i Luan Hotit.

“Na kanë lënë në mjerim të plotë, vetëm na marrin taksat dhe asgjë tjetër”, tha i indinjuar Xhafa, duke shtuar se janë rritur në këtë zonë por s’kanë patur kurrë ujë, megjithëse faturat vinë aforfe.

Pasi dëgjoi shqetësimet e sipërmarrësve të zonës, Hoti tha se do të nisë menjëherë konsultimi për paketën fiskale me qëllim që të ndihmohet biznesi jo vetëm sa i përket turizmit të bregdetit por edhe agroturizmit.

“Siç ju dëgjova të gjithëve me shumë vëmendje, siç e kam paraqitur edhe në program, ne programin me grupin e punës e kemi hartuar duke marrë parasysh që kemi vetëm një vit afat.
Ne kemi ecur me këmbë në tokë, duke bërë një program siç e thashë për një paketë fiskale brenda 100 ditëve për të ndihmuar biznesin, turizmin.

Te turizmi do fokusohemi jo vetëm te turizmi i bregdetit dhe ai kulturor por do shtrihemi edhe te agroturizmi.

Dhe e treta, jo më pak e rëndësishme, po shumë e rëndësishme, është edhe pastrimi i qytetit. Unë mendoj që brenda 100 ditëve neve do ta bëjmë qytetin të jetueshëm, të pastër.”, tha Luan Hoti.

Artikulli paraprakInvestigimi, gjenerali italian i “Gurdia di Finanza”, Fabrizio Lisi, u shpërblye me prona në Vlorë nga miqësia e tij me Agaçin/Salianji: Ja provat që lidhin Edi Ramën me kanabizimit të Shqipërisë
Artikulli tjetër“Shtëpia e barit” në Ndroq, dalin përpara gjykatës të akuzuarit. Lihet në burg punëtori i laboratorit, lirohet elektricisti dhe faturisti