Një ditë pasi dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme letrën përmes së cilën kërkonte hetim për pastërtinë e figurës së kreut të ri të Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri, sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi thotë se vetë i akuzuari por edhe kryeministri Rama, bëjnë sikur nuk dëgjojnë.
“Dje ndodhi ajo që prisja. Valdrin Pjetri, që kërkon të uzurpojë bashkinë e Shkodrës, heshti. Ai bëri sikur nuk e dëgjoi kërkesën e Partisë Demokratike drejtuar Prokurorisë për të verifikuar, nëse ai ka fshehur te kaluarën me formularin e dekriminalizimit.
Valdrin Pjetri hesht dhe nuk i shpjegon as atij 6 përqindshit të stërpakicës që e votoi në Shkodër pse ka gënjyer me formularin e dekriminalizimit. Ai ka detyrimin të shpjegojë pse nuk ka shkelur në Itali 10 vjet me rradhë, pse e kanë dëbuar nga vendi ku thotë se ka shkuar për studime?” shkruan Bardhi, ndërsa thekson se bashkë me Valdrin Pjetrin, hesht dhe Edi Rama, që krenohej me të dhe mezi po priste ta përdhoste edhe Shkodrën me pakicën e tij.
Partia Demokratike i ka kërkuar dje Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë pa vonesë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, i cili u regjistruar në votime si kandidat i PS për Bashkinë e Shkodrës.
Kërkesa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna, indicie dhe dëshmi publike se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak te ligjit të dekriminalizimit.
“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane.
Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”-thuhej në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.