Pas vendimit të Urdhërit të Stomatologëve për dyfishimin e tarifave të shërbimeve dentare, Partia Demokratike ka pasur një reagim me deputetin Bardh Spahia.
PD e deklaron këtë vendim të paligjshëm dhe korruptiv, ndërsa shton se Ministrja e Shëndetësisë është e zënë duke bërë propagandën e radhës.
“Partia Demokratike u bën thirrje dentistëve të mos zbatojnë një vendim të paligjshëm, duke rritur artificialisht çmimet për qytetarët shqiptarë. Partia Demokratike i nxit anëtarët e urdhrit të shkarkojnë cilindo person që është bërë pjesë e këtij mekanizmi antiligjor, që synon të rrjepë nga lekët shqiptarët me bekimin e qeverisë”, u shpreh mes të tjerash Spahia.
Reagimi:
Makineria e propagandës së qeverisë së Edi Ramës flet çdo ditë për ulje taksash, për çmime më të lira dhe jetë më të mirë. Por e vërteta është ndryshe. Me heshtjen e saj, qeveria është bërë pjesë e një vendimi të paligjshëm dhe korruptiv, të marrë nga Urdhri i Stomatologut për thuajse dyfishimin e çmimit të shërbimit për qytetarët.
Me një vendim të paprecedentë, të paligjshëm, abuziv, presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Nikollë Deda. kandidati për deputet i Edi Ramës në Pukë, urdhëron dentistët të rrisin gati dyfish çmimet për 13 shërbime. Janë shërbimet që kryejnë më së shumti qytetarët, përfshirë edhe mbushjen e dhëmbëve, vënien e protezave dhe deri tek ndërhyrjet kirurgjikale.
Kandidati për deputet i Edi Ramës që drejton urdhrin e stomatologëve është në shkelje të plotë të ligjit për Urdhrin e
Stomatologut, i cili nuk i jep asnjë të drejtë Urdhrit të vendosë çmime për shërbimin që dentistët u japin qytetarëve.
Ky organ ka si mision ligjor ruajtjen e standardeve të larta në këtë profesion e sidomos mbrojtjen e pacientëve nga kequshtrimi i profesionit të stomatologut. Shtatë kompetencat e Urdhrit janë në funksion të këtij misioni.
Në asnjë pikë nuk figuron e drejta për të vendosur dhe caktuar çmime!
Kjo është shkelje jo vetëm e parimeve të Urdhrit, por edhe e ligjit. Për këtë kandidati i PS, Nikollë Deda duhet të mbajë përgjegjësi, pasi ka nxitur në mënyrë të paligjshme vendosjen në treg të cmimit monopol, duke cënuar rëndë konkurencën.
Qeveria është përgjegjëse, sepse ka heshtur pas këtij urdhri të paligjshëm, korruptiv dhe abuziv. Ministria e Financave është informuar zyrtarisht që lista e çmimeve të reja të paligjshme të zbatohet në kasat fiskale, por nuk ka bërë asgjë për ta kundërshtuar.
Po kështu Ministrja e Shëndetesisë, e cila është e zënë me propagadën e shëmtuar për të paraqitur spitalet e Shqipërisë si spitalet e zvicrës, ka mbyllur një sy për urdhrin e paligjshëm që bie në kurrizin e çdo shqiptari. Partia Demokratike u bën thirrje dentistëve të mos zbatojnë një vendim të paligjshëm, duke rritur artificialisht çmimet për qytetarët shqiptarë. Partia Demokratike i nxit anëtarët e urdhrit të shkarkojnë cilindo person që është bërë pjesë e këtij mekanizmi antiligjor, që synon të rrjepë nga lekët shqiptarët me bekimin e qeverisë.
Kundër këtij modeli abuzues e grabitës të qytetarëve duhet të ngrihemi të gjithë. Të bashkohemi në protesta deri në largimin e kryeministrit që frymëzon modelin e grabitjes së shqiptarëve.