“Edil Ergi shpk”, themeluar në vitin 2012, është aktualisht në pronësi të Silvana Dajës, bashkëshortes së Gentian Dajës dhe kandidates së PS-së për Bashkinë Kavajë dhe Skënder Rroshit, bashkëpronar dhe në kompaninë “Ergi shpk”. Me pak fjalë, pretendimi i Gentian Dajës se ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i PS-së për të shmangur konfliktin e interesit, nuk duhet marrë shumë në konsideratë. Gentian Daja dhe Elvis Rroshi janë bashkëpronarë në biznese fitimprurëse e do të ishte naive të besohet se gjesti i Dajës do të bënte diferencë në situatën parazgjedhore ku biznesi, krimi dhe politika janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetërën. Zyrtarisht Gentian Daja u shpreh se po dorëhiqej për të shmangur “konfliktin e interesit”, por duket se më parë, Daja e ka përdorur postin e tij dhe marrëdhënien e ngushtë me Elvis Rroshin për të financuar biznesin e tij, pa u shqetësuar shumë për “konfliktin e interesit”. Kjo nuk është hera e parë që një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste përfiton kontrata të majme nga bashkitë që drejtohen nga kryebashkiakë të së njëjtës parti. Mund të përmendim kreun e PS-së në Peqin Edurim Teqja, që njëkohësisht ishte dhe drejtor i kompanisë lokale të furnizimit me ujë dhe drejtor i kompanisë “3R”, kjo e fundit është përgjegjëse për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës. Pavarësisht se për Edurim Teqjan ka urdhër arresti, ai ka arritur të zhduket. Përveç kompanisë së sigurisë “Ergi-Security”, ka dhe një tjetër kompani që lidh Gentian Dajën dhe Elvis Rroshin, i cili u shkarkua nga detyra për shkak të fshehjes së të shkuarës së tij kriminale – dënim në Itali për përdhunim në grup, për trafik droge dhe pastrim parash në Zvicër. Biznesi i dytë që lidh Rroshin e Dajën është kompania e ndërtimit “Ergi shpk”. Kompania duket se përfituar kontrata publike pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013-ën, e veçanërisht pas zgjedhjeve lokale të 2015-ës ku Elvis Rroshi u zgjodh kryebashkiak. Kompania është themeluar në vitin 2006 nga Elvis Rroshi dhe Gentian Daja, që zotëronin të dy nga 50 për qind të aksioneve, ndërkohë që Rroshi ishte dhe administrator i kompanisë. Më 17 qershor 2011, drejtimi i kompanisë i kaloi Gentian Dajës. Ndërsa më 16 janar 2015, pak muaj përpara zgjedhjeve lokale, Elvis Rroshi i transferoi aksionet e tij tek Skënder Rroshi, ndërsa Daja e transferoi drejtimin e kompanisë Astrit Dajës, të dy të afërm të Gentianit e Elvisit. Nga viti 2012 deri në vitin 2015, periudhë në të cilën PS fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, fitimet e kompanisë “Ergi shpk” nga projekte të qeverisë u rritën me 300 për qind. Më pas, rënia e papritur e të ardhurave në vitin 2016 mund të shpjegohet me faktin se të gjitha asetet e kompanisë u konfiskuan më 7 maj 2015, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kavajë në vitin 2013. Për të dhënë një krahasim: në vitin 2010 (bilanci i fundit që mund të gjendet nga kompania “Ergi shpk”) fitimi i kompanisë nga aktivitetet e saj kryesore ishte rreth 1,6 milionë lekë. Që nga tetori 2010, kompania “Ergi shpk” i ka pezulluar aktivitetet e saj, që do të thotë se kompania nuk ka paguar më taksa e nuk mund të operojë më në treg. Megjithatë të dhënat e mëposhtme tregojnë të kundërtën: Kompania “Ergi shpk” ka përfituar disa tenderë të majmë dhënë nga qeveria Rama, si për shembull rikonstruksionin e godinës së Bashkisë Librazhd në vitin 2016. Kompania e Rroshit e Dajës ishte e vetmja që mori pjesë në tender dhe e fitoi atë me një ofertë prej 17,8 milionë lekësh, sa 99,3 për qind të buxhetit të vënë në dispozicion. Po ashtu, në Bashkinë e Elbasanit në vitin 2016, kompania “Ergi shpk” ishte e vetmja kandidate në tenderin për rikonstruksionin e një shkolle 9-vjeçare. Kompania e fitoi tenderin sërish me një ofertë prej 54,5 milionë lekësh, sa 99,3 për qind e fondit maksimal. Një tjetër tender për rikualifikimin urban të një blloku banimi në Bashkinë Librazhd iu dha kompanisë “Ergi shpk”, pasi kandidati tjetër i vetëm (me një ofertë 4 milionë lekë më të ulët) u skualifikua nga gara. Oferta fituese e “Ergi shpk” ishte 110 milionë lekë, sërish sa 99,3 për qind e buxhetit të vënë në dispozicion.
Kryesore
Continue to the categoryDy lidershipë, një dështim: Pse shqiptarët po zgjedhin heshtjen dhe largimin
Nga Spartak Ngjela
Kur një lidership drejtues i një shteti nuk ka ide, ky shtet, intelektualisht, nuk jeton.
Dhe kjo është një aksiomë për shtetin mesjetar...