Procesi zgjedhor për drejtuesit në universitete zhvillohet sot në një terror dhe presion të paparë. Kandidati për Rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, u kërcënua nga kapobanda Emiljano Shullazi me jetën e djalit të tij dhe familjes që të tërhiqej nga gara në mënyrë që të fitonte kandidatja Klodeta Dibra, përfaqësuese e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Rektorati i Tiranës, përmes një deklarate për shtyp, dënoi ashpër kërcënimet ndaj kandidatit Koni, ndërsa u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. Megjithatë, pedagogëve dhe studentëve po u bëhet presion që të votohet kandidatja e Shullazit, Klodeta Dibra për të kapur Universitetin.
Rama nuk tha asnjë fjalë dje për kërcënimet e Shullazit ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Nuk guxoi t’ia përmendë emrin Shullazit por tha se qeveria dhe PS nuk po ndikojnë në zgjedhjet në universiteteve, ndonëse kandidatja që kërkon të emërojë Shullazi rektore është përfaqësuese e PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook shprehet se, edhe Edvin Shullazi foli sot në Universitet, por harroi emrin e Milit të Partisë! “Të dashur miq, sot Edvin Shullazi, për të larë m…me sh…. me atë që bëri duke futur Shullazin për të emëruar rektorin që do vetë, shkoi në Universitet. Ashtu si në rastin e Saje qorrit, edhe Rama nuk guxoi të shqipërojë emrin e Emil Shullazit as dhe një herë të vetme. Përkundrazi, ai tha se “Ajo që ndodhi para tre ditësh nuk dëshmon UT (sikur ndodhi mbrapa Dajtit dhe jo në Universitet), por dëshmon vullntin e plotë që të mos cenojë askush UT. Kjo është e vërteta e thjeshtë””, shkruan Berisha.
Berisha shkruan më tej se, Rama nuk i referohet me emër askërkund Shullazit në fjalën e tij. “Kjo, sepse burime të besueshme pohojne se Rama ka mbi 2 km biseda telefonike të regjistruara nga shërbimet partnere me Milin e Partisë dhe ka frikë të tmerrshme se mos Mili flet në Prokurori për lidhjet e tij me kreun e meduzës së krimit të organizuar të Shqiprisë, që është njëkohësisht dhe kreu i ekzekutivit i “aleancës së qelbësirave”! sb”, përfundon Berisha.
Po ashtu edhe kreu i Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi, reagoi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës. Rama deklaroi sot, se nuk ka asnjë kandidat që mbështetet nga qeveria, koalicioni apo Partia Socialiste, por Boçi shprehet se, Rama duhet të kërkonte ndjesë për katandisjen e garës në një garë terrori dhe rrëmbimi.
“Kur Rama pritej të thoshte të paktën dy fjalë me ngjyrime ndoshta ndjese për katandisjen e garës për Rektor të UT-së në një garë terrori e rrëmbimi, nga ata që ka kohë që i ka marrë nën sqetull, çuditërisht u mburr. U mburr paturpësisht për modelin dhe standardin politiko-kriminal që ka imponuar në këto zgjedhje. U mburr që vetë nuk kishte futur duart në proces. Ishte “duarjashtë”!!!!! Por harroi një detaj: paradite thirri në zyrën e tij kandidatët për Rektor të Universitetit Mjekësor. Dihet tensioni i kësaj gare, i shoqëruar me përjashtime të padrejta e me shkresa ministrore. I thirri si “çun tirone” “me i dhon ka i kafe” para gare?!!! Apo i thirri si Kryeministër me i tregu “arat”?!!! Apo ndoshta si kryetar i PS-së, për t’i “vënë njërit njollë” e “për t’ja heq tjetrit?”!!! Këtë të na thotë Rama!! Por këtë fakt kryeministri duarbrenda në procesin zgjedhor ka gjithë ditën që e fsheh!!! Dhe sa të tillë ka fshehur?”, shkruan Boçi në Facebook.
Vila e luksit të Dibrës
Paparazzi i Opozita.com ka mundur të sigurojë disa foto nga vila luksoze e kandidates për rektore në Universitetin e Tiranës, Klodeta Dibra. Dibra, mikeshë e Edi Ramës dhe anëtare e Këshillit Bashkiak për PS-në. është aktualisht dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, por nëse sheh fotot e vilës e ke të vështirë të kuptosh se si e justifikon të gjithë këtë pasuri rektorja e Shullazit. Znj.Dibra e ka për detyrë t’i tregojë pedagogëve, studentëve dhe të gjithë shqiptarëve se si e ka vënë të gjithë këtë pasuri.
Koço kërcënon kandidatin e Universitetit të Vlorës të tërhiqet nga gara
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një profesori nga Vlora, i cili denoncon deputetin e PS, Koço Kokëdhima, për presion ndaj kandidatit të Universitetit të Vlorës të tërhiqet nga gara. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, pedagogu dixhital denoncon kryemafiozin e Jugut, Koço Kokëdhima. “Pedagogu dixhital denoncon terrorin, kërcënimet e kryemafiozit të Jugut, sivlla Kokëdhimës ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Shkurtit, i cili detyrohet të tërhiqet nga gara. Koçua sjell një fanatik të tij nga Gjirokastra për Universitetin e Vlorës. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh shkaqet e dorëheqjes nga gara të Prof. Dr. Bilal Shkurtit dhe të ndëshkojë me forcën e ligjit çdo presion që mund të jetë bërë ndaj tij. Sb”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e pedagogut.
“I Nderuar Doktor! Ju ndoqa me vëmendje në konferencën Tuaj për shtyp, si pedagog i brendshëm i Universitetit të Vlorës, Ju vlerësojmë maksimalisht që përcollët zërin e qindra pedagogëve që sot ndihen të kërcënuar nga kjo diktaturë e pashembullt krimi. E njëjta situatë është dhe në Vlorë, para disa ditësh. Nga gara u tërhoq dhe Prof. Bilal Shkurti i majtë, por jo pjesë e bandës së horrave, Prof. Bilali u kërcënua nga vetë Koço Kokëdhima, pasi po mbështet mikun e tij dhe të prefektes Roland Zisin, sot i vetmi kandidat në garë. Ju as e imagjinoni presionin që po ushtrohet në universitete këto ditë. Personalisht Kokëdhima, (një lloj si Shulazi) e ka kërcënuar Prof. Bilalin, duke i thënë: “lufta ime me ty nis sot, nëse nuk tërhiqesh nga gara deri nesër do të bëj të ikësh nga Vlora për 24 orë”. Pasi pa mbështetjen që kishte Bilali, jo vetëm nga ish-rektori Qarri, por dhe nga gjithë stafi akademik. Vetëm nëse Koço do e kërcënojë për ta përgënjeshtruar, por vetë Bilali ndihet tepër i friksuar e zhgënjyer, duke thënë paskam mbështetur një bandë e Jo PS. Si mund të vijë një kandidat nga Gjirokastra për të drejtuar Universitetin e Vlorës, sepse kështu do baroni i Jugut Koço Shullazi. Me Konsideratë D.P!”, përfundon mesazhi i pedagogut të Universitetit të Vlorës.
R.POLISI