Juristi i PD, Marash Logu foli sot në KAS për një listë me 300 persona që kanë marrë nga 100 deri në 300 euro në këmbim të votës. Logu kërkoi listën dhe kryqëzimin e të dhënave për të kuptuar nëse personat në fjalë kanë votuar apo jo, dhe nëse këta individë kanë qenë pjesë e administratës zgjedhore.
“Ne besojmë të gjitha faktet, rrethanat dhe gjithçka parashtruam, do të faktohej në përmasat reale përmes marrjes së provave në organet e administratës publike. Kërkojmë që të merren të dhënat e kryqëzuara përmes pajisjes së identifikimit elektronik PEI si dhe janë depozituar 3 lista me rreth 300 emra dhe kërkojmë nëse këta persona kanë votuar, në cilat QV kanë votuar në cilat KZAZ etj. Si dhe nëse kanë qenë pjesë e administratës zgjedhore. Lista është pjesë e provave tona. Janë 300 emra personash dhe shumat e parave që kanë marrë, duam të dimë nëse ata persona kanë votuar apo kanë qenë pjesë e administratës zgjedhore”, tha Logu.
Diskutimet në KAS
Braho: Kush është qëllimi që doni të bëni kryqëzimin nëse kanë votuar apo jo?
Logu: Kjo listë provon një nga pretendimet kryesore që blerja e votës ka diktuar rezultatin e zgjedhjeve.
Braho: E dispononi këtë listën?
Logu: Është pjesë e provave që PD ka depozituar së bashku me kërkesën ankimore. Ka edhe një listë me emra dhe mbiemra si dhe të dhëna të tjera, si dhe shuma nga 100 deri në 300 euro që ata kanë marrë në këmbim të votës.
Braho: Nga administrata të kërkojmë listën e përfshirë në administratën zgjedhore në qarku Durrës. Të jepet lista dhe kryqëzimi nëse këta 300 persona janë pjesë e administratës zgjedhore. Nëse kanë votuar ose jo këtë duhet të na i shpjegojë administrata zgjedhore.
Logu: Po të verifikohet lista e zgjedhësve del ku e ka qendrën e votimit X apo Y person. Pastaj lista e zgjedhësve mund të kryqëzohet nëse personi ka votuar apo jo. Është një veprim që mund të marrë kohë, por është plotësisht i mundur.