Kanibalizmi politik dhe njerëzor

Nga Ardi Stefa

“Po qe se kanibalët do të përdornin pirunj, a do të mund të thoshim se ata kanë shënuar një lloj përparimi, janë evoluuar?”
Përgjigjia në lidhje me këtë pyetje të një poeti të shquar polak, mund të ishte: “Varet se nga çfarë këndvështrimi, apo nga ana e kujt e sheh!”
Nga ana e kanibalit, natyrisht që përbën përparim. Pasi përmirëson mënyrën e të shijuarit të ushqimit dhe shmang kontaktin dramatik me mishin e njeriut.
Por nga ana e viktimës, kam shumë dyshime se do të ekzistonte një vlerësim pozitiv në lidhje me këtë fakt. Dhembja e padurueshme e therrjes, së bashku me mundësinë e fundit të tmerrshëm do të peshonte shumë më tepër në vlerësimin e situatës, sesa mënyra moderne e trajtimit të këtij akti kriminal e po aq barbar.
Kanibalizmi njerëzor
Mediat sociale, faqet e internetit dhe portalet mbushen çdo ditë nga akuza, fyerje, karakterizime personale e lojëra fjalësh të papranueshme me emra e mbiemra.
Jo vetëm nga politika, por edhe nga qytetarë, shpeshherë të verbuar e që realitetin e shohin vetëm me syzet partiake duke u shndërruar në një lloj kanibalizmi njerëzor.
Një rrëshqitje e rrezikshme për një shoqëri që, mbi të gjitha, duhet të respektojë të drejtën e shprehjes së lirë, vullnetin e lirë dhe të drejtën e fjalës, por duke respektuar logjikën minimale dhe interesin e përgjithshëm.
Prandaj, shqetësimi nuk mund të funksionojë si purgator për ata që përpiqen t’i bëjnë politikanët dhe zyrtarët “të kërkuar dhe të shënjestruar politikisht”.
Ka zgjedhje, në të cilat çdo politikan, çdo aspirant për politikan apo qytetar mund të shprehë pa sforcim, me votën e tij, mosmiratimin apo miratimin e politikave dhe të individëve, siç e kërkon demokracia.
Kanibalizmi politik
Politika dhe angazhimi me punët publike, është krijuar si domosdoshmëri qysh në lashtësi si nevojë e shoqërive të strukturuara në mënyrë që ato të mund të organizohen dhe përfundimisht të qeverisen më mirë. Kështu u krijuan partitë politike, lindi pozita e opozita, drejtësia, shoqëria civile, etj.
Të gjitha këto formacione politike udhëhiqen nga parime dhe vlera që anëtarët e tyre duhet t’i zbatojnë dhe miratojnë.
Parimi themelor i politikës dhe i njerëzve që i shërbejnë asaj është “kultura politike”, një parim dhe një pozicion që i është përmbajtur në mënyrë të palëkundur deri më sot, dhe kjo është një nga arsyet që politika si koncept dhe si institucion i ka mbijetuar kohës.
Por aktualisht në Shqipëri, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal “kultura politike” i ka lënë vendin “kanibalizmit politik” dhe pozicionet, parimet dhe vlerat janë gllabëruar nga “kanibalët politikë”.
Kanibalët politikë për pirun, përdorin gjasme interesimin e tyre e gjasme përkujdesjen për qytetarët që “përfaqësojnë”.
Në altarin e interesave të vogla politike dhe të motiveve e ndjekjeve personale, egoiste, disa “politikanë të rinj” me pretekstin “të mirën e vendit, të qytetit”, nën pretendimin se “janë zgjedhur nga qytetarët dhe janë zëri i tyre që u mbron interesat” apo “informimin dhe transparencën” nuk ngurrojnë të njollosin personalitetet njerëzore në logjikën e “I bie dritares të dëgjojë dera!”.
Por, për fat të keq për ta, shoqëria tashmë nuk është më ajo e para. Ka informacion dhe burime të pashtershme informacioni, mendon me kokën e vet dhe si rrjedhojë ka fituar “imunitet”. Dhe kanibalizmi politik e njerëzor bie në vesh të shurdhër.
Aktorët politikë të të gjitha llojeve dhe kalibrave, qendrorë apo lokalë duhet të kuptojnë më në fund se politika mundet dhe duhet të prodhohet përmes përgjegjësisë politike, pozicioneve e parimeve dhe jo në terma të xhunglës e kanibalizmit njerëzor.
Dhe, duhet të kenë gjithmonë parasysh: “E sotmja është imja, e nesërmja është e dikujt tjetër dhe kurrë e askujt!”.

Artikulli paraprakDonald Trump merr zyrtarisht detyrën si President më 20 janar, ceremonia e inaugurimit të tij do të mbahet në ambient të mbyllur! Ja arsyeja
Artikulli tjetërPushteti i gjatë i Edi Ramës si model i keqqeverisjes