Kaosi i trafikut irriton qytetarët

Armand MAHO

Bllokimi i një segmenti tjetër në Sheshin Skëndërbej ka sjellë irritim tek qytetarët për shkak të bllokimit të trafikut. Velina po luan me nervat e qytetarëve dhe pikërisht në prag të festave të fundvitit, ku në vend që të ndihmohen drejtuesit e automjeteve, ata po torturohen.
Kush kërkon të vizitojë kryeqytetin e Shqipërisë, duhet të llogarisë se kohën më të madhe të vizitës së tij do e kalojë në makinë. Cingërisja e nervave fillon shpejt për banorët e këtij qyteti, që në orët e para të mëngjesit. Psherëtima të del nga shpirti kur sheh vargun e makinave që nuk i duket fundi, dhe kthen kokën e sheh me zili teksa këmbësorët apo biçikletat spërdridhen në mes të hapësirës së makinave. Por është ftohtë, fëmijët duhen dërguar në kopësht ose shkollë, vendi i punës është disa kilometra larg. Qyteti nuk të ofron shërbime publike, ose dhe ato që janë, janë të ngadalta dhe të rralla. Në stacionet e urbanit, sheh me qindra njerëz, që do i shtohen qindra të tjerëve që gjenden brenda tyre. Të gjithë duan të nxitojnë, por trafiku që s’mund ta rrokë dot një mendje normale ja pret hovin. Urbanët largohen të mbushur plot e përplot, dhe do jesh me fat nëse arrin në destinacion pa gjendje të fikti. Për këtë farë shërbimi kryetari i Bashkisë mendoi që t’i rrisë çmimin qytetarëve, duke i rënduar dhe më shumë në buxhetin e tyre. Kryetari i Bashkisë është një pinjoll i kreut të qeverisë, i cili shpesh sugjeron ecjen në këmbë, pasi e ha meraku se qytetarët e vendit të tij “janë shëndoshur shumë”. Një kastë bufonësh që e kanë kthyer Tiranën në një plaçkë që e shesin dhe e blejnë si të duan. Në një qytet, ku qytetari nuk pyetet kurrë për vendimet e pushtetit, ku duhet jo vetëm të vuajë pasojat e pushtet korruptiv, por dhe të paguajë për t’i vuajtur ato. Ngado nëpër rrugët e Tiranës, dëgjon bori makina dhe njerëz që shajnë me zë të lartë ose nëpër dhëmbë, dhe të gjitha këto shkojnë për Erjonin e vogël të Bashkisë, i cili i gënjeu paturpësisht…

Trafiku i Edi Ramës

Tirana, mund të jetë nga të vetmet qytetet në botë ku ske mundësi të llogaritësh orarin për të kryer punët e përditshme. Një kilometër rrugë ose më pak në këtë qytet, mund të kërkojë minuta dhe në disa raste orë të tëra për ta përshkruar. Me ikjen e Edi Ramës, nga Bashkia, Tiranës iu rikthye deri diku normaliteti. Prej gati dy vjetësh, që nga marsi i 2010-ës, ai mbante të bllokuar këtë shesh, i cili lidh nyjet e qytetit me njëra-tjetrën, pasi ashtu ishte projektuar nga arkitektët italianë. Në mars, të vitit 2010 Edi Rama do të vendoste rrethimin për ta shndërruar në një shesh sipas konceptit të realizuar nga një studio franceze, e cila në pikat lidhëse kishte projektuar dhe ndërtimin e 6 kullave shumëkatëshe. Kaosi që u shkaktua aso kohe nga trafiku ishte i madh, të shkoje nga xhamia deri tek Hotel “Tirana”, ishte një vuajtje më vete. Qyteti zhurmonte nga boritë e makinave, kësaj i shtoheshin dhe sirenat e ambulancave me të sëmurët brenda që shpejtonin drejt Spitalit “Nënë Tereza”, apo atij ushtarak. Bllokimi që shkaktonte qendra shtrihej më pas zinxhir në të gjitha rrugat e Tiranës, duke e futur qytetin në kolaps, sidomos në mëngjes kur njerëzit nxitonin për në punë ose të dërgonin fëmijët në shkolla. E njëjta situatë rikthehej dhe në orët e pasdites. Një qytet që vetëm i tillë s’mund të quhej. Nuk dihej përse Rama e zvarriti për gati dy vjet rikonstruksionin e tij, por një gjë ishte e sigurt. Sheshi nuk kishte asnjë nxitim, i mjaftonte një rikostruksion i thjeshtë. Nuk mund të bllokosh rrugët e një qyteti, pa krijuar më parë korridorët shfryrës, siç do ishte Unaza e Madhe, apo rrugë të tjera që do të duhen të devijojnë trafikun! Humbja e zgjedhjeve nga Edi Rama në vitin 2011 solli dhe mbylljen në kohë rekord të sheshit, dhe një çlirim për qytetarët. Në shesh nuk do ndërtoheshin më kulla shumëkateshe ashtu siç kishte parashikuar projekti francez. Qyteti kishte halle më të mëdha, që fillojnë nga kanalizimet, dhe deri te shtrimi i rrugëve dytësore. Bashkia u investua fort për të hapur unazën e madhe të qytetit, dhe u shtrua një pjesë e mirë e saj, që fillon nga TEG dhe mbaron tek Komuna e Parisit. Ndërkohë një opsion tjetër ishte dhe hapja e bulevardit të ri, e cila do të shmangte jo pak kalimin në qendër të makinave, sidomos atyre që vijnë nga ana veriore dhe verilindore e qytetit. Pjesa jugore, për të dalë në anën tjetër do i shërbente unaza e re, nga Komuna e Parisit deri tek Rrethrrotullimi i doganës, duke shmangur dhe këto hyrjen në qendrën e Tiranës. Të dy këto akse të harmonizuara me njëra-tjetrën sipas projekteve të asaj kohe do të reduktonin në maksimum kalimin nëpër qendër, dhe atëherë po mund të flitej për një rikonstruksion të sheshit…..

Trafiku i lali Erit

Endrra e parealizuar e Edi Ramës do të bëhej realitet me ardhjen e Erjon Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës. Pa mbushur ende vitin, ai do e fuste sërish Tiranën në kaos. Pa mbyllur aksin nga Komuna e Parisit dhe deri tek Fabrika e Miellit, vetëm disa qindra metra rrugë një ditë qytetarët u gdhinë me sheshin e bllokuar. Erjoni kish marrë vendim, të rikthente në vëmendjen e qytetarëve dje një herë tmerrin që ata tashmë kishin kohë që e kishin harruar. Edhe Erjoni ashtu si shefi i tij në Bashkinë e Tiranës, nuk kishte asnjë nxitim për ta bërë…. Por me sa shihet, sheshi është një aferë shumë e madhe korruptive. Sot, ndodhemi në të njëjtën situatë të viteve 2010-2011. Për të shkuar nga Medreseja deri në qendër duhet një orë ose mos më shumë me makinë, por sot është dhe më keq, duke pasur parasysh shtimin e numrit të makinave. Vetë Erjoni pranoi para disa ditësh se në këtë shesh qarkullojnë rreth 300 mijë makina në ditë dhe të gjitha këto janë të detyruara të presin ndoshta me orë të tëra në trafik, për një rrugë që nuk zgjat më shumë se pak minuta. Për shembull një person që detyrohet të shkojë përditë nga Tirana në periferi, si për shembull në zonën e Kombinatit mund t’i duhet deri në 40 minuta dhe po aq në kthim. Kaq është dhe koha që të duhet për të shkuar nga Tirana në Durrës, rreth 36 kilometra, dhe po aq është dhe konsumi i karburantit. Pra, një personi me makinë normale vetëm për të shkuar dhe ardhur në punë i duhen me këtë trafik rreth 1000 lekë në ditë, karburant ose 30 mijë lekë në muaj, dhe kjo vetëm se Edi Ramës i ka shkrepur të bëjë rilindje urbane… Për të mos llogaritur më pas orët e punës dhe ndotjen e ambjentit nga kjo rrëmujë e denjë për qytetet e Afganistanit. Përpjekja për të  gjetur rrugë të pabllokuara shpesh rezulton e dështuar, pasi bllokimi në to është dhe më i gjatë.

Ku shkojnë 15 miliardë lekët?

Në fakt, është thënë dhe me herët se rikualifikimi i sheshit në qendër është një aferë e pastër korruptive. Deri më tani janë alokuar 15 miliardë lekë për rikonstruksionin e tij. Projekti është bërë nga studioja belge 51N4E, për të cilën janë hapur hetime në Belgjike pikërisht për shkak të aferave dhe tenderave të dyshimtë që fiton nga Edi Rama. Dhe jo vetëm kaq, por çfarë është më ironikja mbetet fakti se qytetarët e Tiranës, nuk do të shpëtojnë ndonjëherë nga ky trafik për arsye se sheshi do të kthehet në pedonale, parkim nëntokësor qendër tregtare, dhe më pas kulla shumëkateshe. As shembja e ndërtesës së INSIG nuk solli ndonjë gjë të re në lehtësimin e trafikut, kjo për arsye se, aksi që të çonte nga Muzeumi Historik Kombëtar në drejtim të Ministrisë së Eenergjitikës mbante dhe peshën kryesore të trafikut. Pra, të gjithë qytetarët e Tiranës, dhe ata të rretheve që kalojnë tranzit nëpër të, duhet të harxhojnë nerva, kohë dhe para, sepse Edi Ramës i është shkrepur që të ndërtojë qendër tregtare në mes të Tiranës, ndërtim që natyrisht ka dhe prapavijën e saj të korrupsionit. Qytetarët duhet të paguajnë nga taksat e tyre, për të qëndruar me orë të tëra në trafik, sepse Edi Rama dhe Erjon Veliaj kanë shtuar makutërinë e tyre, natyrisht më mirë se Rilindja, askush s’mund ta bëjë këtë.

Ja flukset të cilat përplasen të gjitha tek Unaza e Vogël, dhe e fusin qytetin në kolaps

1. Rruga e “Elbasanit”
2. Rruga e “Avni Rustemit” dhe Porcelanit
3. Rruga e “Selvisë” dhe “Kinostudios”
4. Rruga e “Barrikadave”
5. Bulevardi “Zogu I”
6. Rruga e “Durrësit”
7. Rruga e “Kavajës”
8. Rruga “Myslym Shyri”
9. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetër850 milionë lekë për vilën e kasapit Mehmet