Pamjet kaotike, të shkaktuara nga deputëtët e Rithemelimit, gjatë seancave të fundit, në Kuvendin e Shqipërisë, kanë bërë xhiron e botës në të gjitha mediat ndërkombëtare, duke shkaktuar debat dhe polemika të shumta për të “zbërthyer” qëllimin e atij lloj aksioni opozitar.
Për të sjellë një këndvështrim mbi këto zhvillime, i ftuar në “Sot Shqipëria Live” me Nertil Agalliun në Report Tv, ishte pedagogu dhe analisti, Namir Lapardhaja.
Lapardhaja tha se këto skena në Kuvendin e Shiqpërisë pasqyrojnë situatën reale në të cilën ndodhet Rithemelimi dhe se prioritet të veprimtarisë së tyre politike kanë mbajtjen larg të drejtësisë.
“Tymi dhe flaka në Kuvendin e Shqipërisë në fakt, fsheh atë që ka rënë si flakë dhe si bombë në kampin e Rithemelimit. Kemi dy vite që e kemi përmendur dhe thënë që e gjithë kjo betejë në kampin opozitar, nuk bëhet për opozitën dhe kampin opozitar, bëhet për të mbajtur sa më larg drejtësinë, sa më larg SPAK-un dhe gjykatën. Nuk mund të themi që deri tani nuk ia kanë dalë disi, por vendosmëria e SPAK-ut për t’i shkuar deri në fund është për t’u përshëndetur dhe admiruar pavarësisht flakës dhe tymit që kanë vendosur të bëjnë një grup deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë, prokurorët e SPAK-ut i kanë veshët me “dyllë” në këtë drejtim, kështu që puna e tyre vazhdon”- deklaroi Lapardhaja.
Ndër të tjera, analisti nënvizoi se Rithemelimi dhe deputetët e saj, po përdoren si një mashë nga kreu i tyre, ish kryeministri Sali Berisha, për t’u mbrojtur nga drejtësia. Ai thekson se pavarësisht kësaj, SPAK-u dhe drejtësia në tërësi, është më e fuqishme dhe e pavarur sot përballë politikës.
“I duhet selia, i duhet partia, i duhen deputetët, i duhet grupi parlamentar, i duhet për të marrë peshën kryesore të opozitës pikërisht për këtë ditë. Nuk ia ka dalë dot pra, pavarësisht se i bëri të gjitha këto, nuk ia ka dalë dot. Sigurisht e ka ngadalësuar punën e prokurorisë dhe gjykatës, por kam bindjen e plotë se asnjë politikan në Shqipëri, qoftë Berisha, qoftë Meta, qoftë Rama, nuk do të arrijnë dot që ta zmbrapsin SPAK-un, ta trembin, ta intimidojnë pavarësisht akuzave,”– u shpreh ai.
Lapardhaja e cilësoi paradoksale dhe hipokrite sjelljën e deputetëve demokratë që janë nën “udhëheqjen” e deputetit Gazment Bardhi. Pedagogu sqaron se qëndrimi i tyre publik nuk është konstant, pasi nga njëra anë shprehen si mbështetës së drejtësisë dhe ana tjetër “shndërrohen në truprojën e Sali Berishës”.
“Deputetët që drejton Gazment Bardhi tani nuk kanë asnjë ndryshim nga Sali Berisha, ata kanë vajtur nën sqetullën e Sali Berishës, pavarësisht se ata mund të dalin në televizor dhe të thonë që ne e mbështesim SPAK-un dhe e mbështesim drejtësinë dhe e inkurajojnë atë.
Nuk mund të mbështesësh drejtësinë nga njëra anë dhe ana tjetër të shndërrohesh në truprojën e Sali Berishës në parlament kundër gardistëve. Nuk mund të mbështesësh nga njëra anë sistemin e drejtësisë dhe nga ana tjetër të ulesh me atë njeri që e intimidon gjykatën që ka çështjen e tij dhe të familjes së tij nga mëngjesi deri në mbrëmje. Pra ka një paradoks të madh”,- tha Lapardhaja.