Kaosi në selinë blu dhe zgjedhjet/ Kara: Basha i paralajmëroi deputetët se do zhgënjeheshin

U desh momenti i listave për kandidatët për deputetë që shumë prej senatorëve të Partisë Demokratike të kuptonin lojën e kreut të tyre Sali Berisha dhe se nuk janë pjesë e llogarive të tij për në Parlamentin e ardhshëm.

Tensionet në selinë blu janë të larta teksa po diskutohen emrat nga Kryesia, por ‘bomba’ në PD tashmë ka plasur, teksa ishte deputeti Dashnor Sula që hodhi kritika të forta ndaj Berishës, Nokës dhe Vokshit.

Juristi Romeo Kara, nga ‘Studio Live’ ditën e sotme, u shpreh se kjo situatë në PD pritej që të vinte dhe tani vetëm sa u bë më e dukshme. Ai shtoi për Report Tv se edhe rastin e Dashnor Sulës e kishin paralajmëruar se do ndodhte, pasi ai është një mbështetës i SPAK dhe Berisha nuk i dëshiron në grupin e tij këta ligjvënës. Por duke pasur synimin në fillim përçarjen e Lulzim Bashës ai i pranoi në PD grupin e ‘rebelëve’ dhe tani po i lë jashtë.

Kara shprehet se Basha i kishte paralajmëruar deputetët ‘tradhtarë’ që shkuan te Berisha se do të zhgënjeheshin, por tani është shumë vonë.

“Ka një farë të drejte Dashi në këtë pikë, por shumë vonë sepse ne e kemi paralajmëruar. Bie perdja dhe hapet skena e tërë. E gjithë parada e PD-së me primaret dhe listat. E kemi thënë, Berisha ka probleme me ata që vajtën për 10 muaj poshtë shtëpisë. Duke ditur kush është Berisha, se vërtetoi se nuk është ai për ato që thotë, por për ato që bën. Rasti i Sulës që ishte me Bashën dhe u afrua te Berisha, që mendohej se janë afruar për konsiderime të tilla, por Berisha nuk u ka premtuar dhe pasi përçau Bashën, tani po tregon Berishën e vërtetë. Sa i përket Nokës e Vokshit, ata janë zëdhënësit dhe zbatuesit e urdhrave të tij, por ai që është kryesori është Berisha. Ai që e njeh mirë Berishën është Basha, që i paralajmëroi hershëm dhe u tha se do vinte dita që do zhgënjeheshin dhe të mos e hanin karremin”, tha juristi për Report Tv.

Por kjo situatë brenda kampit blu tregoi edhe njëherë se sa paradë dhe farsë ishin Primaret e zhvilluara, që tashmë janë zhvlerësuar. Kara thotë se do ishte mirë që PD-ja të shkrihej fare, ose të rrijë aty ku është bashkë me Berishën.

“Kjo është listë bunker, ka vetëm mbështetës të Berishës. Nuk mbeti Berisha në moshën 84 vjeç për t’u bërë demokrat. Tani ka rënë ligjshmëria e primareve, kjo opozitë nuk vjen me formulë primaresh, por pretendojnë pushtetin si parti berishiane, detashment dhe për të mbrojtur interesat e Berishës. Dashi ishte pro SPAK, kurse Berisha vjen me mendjen anti-SPAK, se i ka hipur kalit mbrapsht dhe ka hall të dalë kundër drejtësisë dhe jo njerëz si Dashi. Ai do njerëz që kanë dhënë provat dhe janë me të, jo të lëkundur. Berisha është i pandryshueshëm, PD e pandryshueshme, e mira është të rrijë ku është, madje e mira do ishte të shkrihej fare”, theksoi Kara.

Exit mobile version