Fabio Kapelo, në një intervistë për “Sky Sport”, ka bërë një analizë të situatës së dy skuadrave milaneze, gjatë të cilave shpenzon elozhe vetëm për Interin, pavarësisht situatës së fundit aspak pozitiv. Për ish-trajnerin e Italisë dhe Rusisë, drejtuesit zikaltër ofrojnë garanci të mëdha, nuk janë enigmatikë si ata të Milanit, prandaj ai beson se e ardhmja e Interit do të jetë shumë shpejt e suksesshme.
“Interit i mungon fare pak për t’u rikthyer te fitoret. Ajo që mjafton është të pasurit idenë e qartë mbi shumë gjëra, duke filluar nga investimet e deri te ristrukturimi dhe përforcimi i imazhit dhe infrastrukturës së klubit. Dhe duke parë lëvizjet e bëra brenda një kohe të shkurtër nga ‘Suning’, unë jam i sigurt se Interi është në duart e duhura për t’u rikthyer shpejt te trofetë e rëndësishme.
Nëse shihni me kujdes, zikaltrit kanë në përbërje të tyre lojtarë të mëdhenj, të cilët për momentin kanë humbur thjesht besimin, kjo sepse i janë larguar objektivit të tyre kryesor, një vendi në Champions. Dhe natyrisht që kur e sheh kaq larg të paktën pozicionin e tretë, është normale që një kualifikim në Ligën e Europës nuk të jep stimujt e duhur për të luftuar, edhe pse kjo është detyrë e lojtarëve për ta bërë.
Natyrisht që në këtë pikë ka meritat dhe fajet e tij dhe trajneri, sepse është ai që i ushqen skuadrës këtë mentalitet, ndonëse në këtë pikë nuk mendoj se Stefano Pioli ka shumë faj, duke qenë se ai e mori ekipin në një pozicion shumë të vështirë. Çfarë më bën optimist? Ideja e tyre për t’u rikthyer tek afrimi i lojtarëve italianë, ku Galjardini e Kandreva, por pse jo në të ardhmen edhe Berardi mund të bëjnë që edhe të huajt të kuptojnë shpirtin e Serisë A.
Po Milani? Montela po bën një punë të mirë, ka disa talente të rëndësishëm në dispozicion, por ajo që dua të shoh përpara se të flas më konkretisht është ideja dhe investimi i pronarit të ri. Dua të kuptoj sesa serioz është, ndonëse kam besim se Berluskoni nuk do ia linte më kot në dorë ekipin”.
Ndoshta mund të duket çudi, por “Corriere dello Sport” nënvizon se këto elozhe të papritura të Fabio Kapelos për pronarët e Interit nuk janë të rastësishme. Disa thashetheme të fundit nënvizojnë se grupi “Suning” sheh te “Don Fabio” personin e duhur për t’i lënë në dorë ndërtimin e një ideologjie dhe plani të skuadrës për të ardhmen, jo si trajner, por si një menaxher i përgjithshëm, një supermenaxher me fuqi të pakushtëzuara, me pak fjalë, njeriu i besuar i presidentit Zhang Jindong.
Madje, ky i fundit i kishte bërë pak ditë më parë edhe një ofertë Kapelos për të marrë drejtimin e skuadrës së tij kineze, Jiangsu Suning, por ndoshta, eksperienca e friulanit do të nevojitej më shumë në ringritjen e shpejtë të Interit dhe ndoshta Fabio Kapelo ka nisur të mendojë seriozisht idenë për të qenë në krye të zikaltërve.