Kapen 206 kg drogë në Itali, shqiptarët aleancë me “Ndrangheta”-n

Operacioni më i fundit i Antidrogës në Itali konfirmon, sipas medieve italiane, avancimin e shpejtë të klaneve shqiptare në rrjetet e narkotrafikut. Plot 206 kg marijuanë u gjetën të fshehura në një kamion të ndaluar të dielën, e që zyrtarisht transportonte materiale të përdorura nga industria e ndërtimit.
Drejtuesi i mjetit të ardhur nga Spanja ishte një italian, Enzo Di Mauro, 48 vjeç, person i lidhur sipas hetuesve me “Ndrangheta”-n, që me shumë gjasë është organizuesja e lëvizjeve të lëndës narkotike nga shteti në fjalë, duke e bërë këtë në aleancë me shqiptarët.
“Corriere della Sera” shkruan se 50-vjeçari nga Durrësi, Eduart Mecani kishte qenë duke pritur mbërritjen e kamionit për të shkarkuar prej andej thasët me marijuanë e t’i kalonte pastaj te furgoni i tij.
Në banesën e njërit prej dy të ndaluarve u gjetën edhe 66 mijë euro “cash”, parà këto të lidhura sipas burimeve hetimore me narkotrafikun. “Ekziston një rrjet në Spanjë, thotë “Corriere della Sera”, i përbërë nga ndërmjetës e shpërndarës të drejtpërdrejtë të drogës së sjellë nga Afrika e Veriut”.
Mendohet se destinacioni përfundimtar i hashashit të kapur ishte Milano. Sipas karabinierëve, që javën e kaluar mbyllën një hetim me 23 arrestime, lëndë narkotike si kokaina u shpërndahen në shtëpi arkitektëve, sipërmarrësve, figurave të televizionit e modeleve.

Artikulli paraprakSi u bënë pronarë tokash në bregdet familjarët e Elvis Rroshit dhe Gent Dajës
Artikulli tjetërGjermania drejt vendit të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB