Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi dje një laborator të përpunimit të drogës në një magazinë shtetërore në Skrapar dhe sekuestroi 6 ton kanabis. Sipas burimeve nga Prokuroria, laboratori është nga më modernët i zbuluar deri tani, për përpunimin e lëndës narkotike. Ai ishte i pajisur me mjetet më moderne sa i përket ndriçimit, ngrohjes dhe vaditjes së bimës narkotike. Laboratori ishte ngritur në një magazinë shtetërore që gjendet në afërsi të Hidrocentralit të Vlushës.
Hetimet janë zhvilluar nga strukturat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe jo nga Policia e Shtetit. Policia ka njoftuar trafikantët për t’u larguar para se të niste operacioni me urdhër të Prokurorisë, njëlloj si në rastin e Përmetit ku u sekuestruan 11.6 ton drogë në magazinën shtetërore. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se, në magazinë janë gjetur 6 ton kanabis sativa i tharë gati për t’u trafikuar si dhe 2 mijë rrënjë kanabis të mbjella në vazo të mëdha. Sipas Prokurorisë, zbulimi i laboratorit është vazhdim i operacionit të dy javëve më parë në fshatin Lapan të Beratit, ku u gjetën në një magazinë 1,2 ton kanabis e futur në disa thasë. Për këtë rast u shpallën në kërkim 7 persona nga Prokuroria për Krimet e Rënda, por ende nuk janë arrestuar nga policia.
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda u arrestua një biznesmene dhe një shtetas tjetër nga Skrapari. Prokuroria bëri të ditur se në pranga kanë rënë shtetasit Muhamet Kadiu dhe shtetasja Edlira Lame, administratorja e një kompanie fasone, që prodhonte çanta kartoni, verë, raki e bimë medicinale. Në fabrikën e saj, thuhet nga Prokuroria, janë gjetur pajisje elektrike të cilat dyshohet se janë përdorur për prodhimin e bimëve narkotike. Veç të arrestuarve mësohet se Prokuroria ka proceduar dhe po heton në gjendje të lirë edhe tre persona të tjerë nga kjo zonë, të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet të kultivimit të drogës.
Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se, një sasi e konsiderueshme droge është hequr nga magazina dhe është trafikuar. Në banesën e të arrestuarve dhe në fabrikë janë sekuestruar rreth 20 mijë dollarë amerikanë, 250 paund dhe rreth 180 mijë lekë të reja. Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, fabrika ku u sekuestruan të gjithë këto prova të vlefshme për akuzën, cilësohet si një nga laboratorët më modernë të bllokuar në Shqipëri, që shërbente për kultivimin dhe tharjen e lëndës narkotike.
Bëhet e ditur se magazina ku ishte ngritur laboratori i përpunimit të drogës ruhej me persona të armatosur. Prokuroria dyshon se në ngritjen e këtij laboratori modern dhe në trafikimin e drogës qëndrojnë zyrtarë të lartë të policisë. Për këtë ngjarje të rëndë, policia nuk ka marrë asnjë masë për efektivët e policisë të përfshirë në grumbullimin dhe trafikun e drogës.
20 tonë drogë në një javë
Hashashi i kultivuar në vitin 2016 nuk ka fund. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit janë zbuluar nga Prokuroria mbi 20 ton drogë e fshehur në magazinat e shtetit dhe repartet e ushtrisë që ruhej me forca policore.
Para tre ditësh u zbuluan nga Prokuroria 12 ton drogë në një magazinë në Përmet. Kjo sasi e madhe droge ishte në pronësi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe mikut të tij, Krenar Cenollari. Denoncimi është bërë nga një oficer policie, i cili bëri të ditur se droga ruhej me armë nga policia prej tre muajsh. Policia nuk ndërhyri për sekuestrimin e saj, ndonëse kishte patur sinjalizime nga banorët e zonës. Vetëm pas urdhërit të Prokurorisë, policia u detyrua të organizojë operacionin për sekuestrimin e drogës, por operacioni u dekonspirua, pasi trafikantët dhe policët që ruanin magazinën me drogë u larguan nga magazina.
Një javë më parë, Prokuroria zbuloi mbi 2 ton drogë në një tunel ushtrie në fshatin Rreth-Bazë të Matit. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se, droga e gjetur në tunelin e ushtrisë ruhej nga policia dhe lënda narkotike ishte bërë gati për t‘u trafikuar jashtë shtetit. Edhe në këtë rast, droga ruhej nga forcat policore me dijeninë e krerëve të lartë të policisë. Ndërsa ditën e djeshme u zbuluan 6 tonë drogë në një magazinë në Skrapar.
R.POLISI