Kapen 800 kg drogë në Itali, kush janë bosët që trafikojnë kanabis

800 kg drogë nga Shqipëria janë sekuestruar gjatë një operacioni blic nga policia italiane mëngjesin e djeshëm në komunat e Brindizit, Fasanos dhe Katanias. Janë ekzekutuar urdhërarrestet për 15 persona për një sërë akuzash, mes tyre trafik droge dhe grabitje. Hetimet kanë nisur në shkurtin e 2017 dhe kanë përfunduar në gusht me identifikimin e dy grupeve që merreshin me trafikun e drogës nga Shqipëria.
Gjatë hetimeve janë arrestuar 4 persona si dhe janë sekuestruar 800 kg marijuanë, e cila ka mbërritur në brigjet e Pulias nga Shqipëria. Në orët në vazhdim, priten detaje të reja lidhur dhe me këtë operacion.
“Hetimet nisën në shkurt të 2017-ës dhe u përmbyllën në gusht. Falë tyre u bë i mundur dhe zbulimi i këtyre dy grupeve, të cilët trafikonin drogë që vinte nga Shqipëria. Gjatë kësaj kohe janë sekuestruar 800 kilogramë marijuanë dhe janë arrestuar në flagrancë 4 trafikantë”, shkruan e përditshmja “La Repubblica”.
Operacioni i koduar “Tunder” (Bubullima) që çoi në pranga 14 persona mëngjesin e djeshëm në Itali kishte nisur hetimet në shkurt të 2017. Gjithsej janë lëshuar 15 urdhër-arreste, por një person është shpallur në kërkim. Të gjithë janë shtetas italianë.
Të aktivizuar në dy grupe kriminale paralele që vepronin në Siçili e Puglia, të arrestuarit trafikonin drogën e mbërritur nga Shqipëria me gomone e më pas e transportonin me automjete në territorin italian.
Grupi i Brindisit në Puglia furnizohej me hashash nga grupi i Katanias, të cilët merrnin si shkëmbim marijuanën shqiptare të mbërritur në brigjet e Puglias. Me anë të automjeteve, droga e mbërritur me gomone nga Shqipëria transportohej në Siçili. Përgjatë operacionit janë sekuestruar 800 kg marijuanë, 350 prej të cilave në mars të 2017 në komunën Savelletri në bordin e një furgoni.
Marijuana ishte trafikuar nga Shqipëria me një gomone në pronësi të shtetasit italian Francesco D’Urso, 38 vjeç (i arrestuar). Në operacionin “Bubullima” nuk ka asnjë shtetas shqiptar të arrestuar.
Bosët e drogës së dy grupeve të arrestuar janë Giovanni Rizzato 50 vjeç dhe Ëalter Margherito, 39 vjeç. Të arrestuarit e tjerë janë: Paolo Chiarella 53 vjeç, Carlo Cofano 37 vjeç, Italo e Giuseppe Loré 43 e 47 vjeç, Roberto e Antonio Ferlito 42 e 43 vjeç, Armando Corsa 45 vjeç, Francesco D’Urso 38 vjeç, Antonio Signorile 48 vjeç, Pietro Vergaro 28 vjeç, Onofrio Margaritondo 41 vjeç dhe Roberto Nigro 51 vjeç.
Krimi shqiptar mbetet organizata më e degëzuar e huaj në Itali, me një kapacitet të lartë për rivitalizimin dhe rinovimin e rangjeve dhe bazave operacionale. Kështu thuhet në raportin e Ministrisë së Brendshme të Italisë dërguar në Parlamentin vendas për periudhën janar-qershor 2017.
Sipas raportit në pjesën për kriminalitetin shqiptar, thuhet se grupet shqiptare karakterizohen nga një strukturë organizative në formën e “klanit”, çka nënkupton lidhjen farefisnore, e cila mban të fortë lidhjen midis anëtarëve të grupit.
Raporti thotë se “ata tregojnë gjithashtu një natyrë të dhunshme të theksuar në kryerjen e veprave kriminale dhe një lëvizshmëri ekstreme në territor, gjë që u lejon atyre të zgjerojnë në mënyrë progresive fushën e interesave kriminale. Këto interesa shpesh ndahen me grupe italiane, si në fushën e drogës, shfrytëzimin e prostitucionit dhe krimet kundër pronës”.

Artikulli paraprakTurqia ekstradon Izet Haxhinë, vrasësin e Azem Hajdarit, cili ishte roli i tij në vrasje
Artikulli tjetërRënia e familjes kryeministrore ka nisur