Dy vëllezër shqiptarë janë arrestuar së fundmi nga policia italiane e Breno-s në (në provincën e Breshias) nën akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin, raportojnë sot mediat lokale. Në pranga janë vënë B.J., 24 vjeç dhe B.A. 23 vjeç, me banim në Malegno të Breshias. Në banesën e tyre janë gjetur 3.4 kg kokainë, të ndara në tre paketime. Sipas policisë, vlera e drogës është rreth 150 mijë euro, ndërsa shitja e saj e ndarë në doza mund të gjeneronte edhe një milion euro.
Po ashtu, forcat e policisë italiane në Torreglia, Padova kanë vënë në pranga një 34-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet për shpërndarje droge. Sipas mediave italiane, karabinierët në përfundim të një hetimi të nisur kohë më parë me ndihmën edhe të një qeni anti-drogë kanë bërë kontroll në shtëpinë e 34-vjeçarit Bilbil Cani.
Gjatë kontrollit të imtësishëm në shtëpinë e tij janë gjetur 12 gramë kokainë në ndarë në doza, një peshore si dhe 2700 euro cash, që dyshohen se janë të ardhura nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së drogës. Shqiptari është arrestuar menjëherë nga karabinierët dhe do të përballet me gjykimin në ditët në vijim. Bilbil Cani nga Fushë-Kruja është baba i dy fëmijëve, ndërsa prej vitesh ishte rezident në Itali, ku punonte edhe në ndërtim.