Pas hetimeve të Prokurorisë, ditën e djeshme u sekuestruan rreth 170 kg lëndë kanabis sativa dhe 46 kallëpe tritol, me peshë totale rreth 37 kilogramë. Shpallen në kërkim 4 persona, pronarët e banesës, ku u gjet droga dhe lëndët plasëse. Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Pukë, pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative se në Lagjen Bibaj, të fshatit Dom, të Njësisë Adinistrative Gjegjan, se në një banesë të pa banuar mund të kishte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, kanë ushtruar kontroll të menjëhershëm në këtë banesë ku rezultoi se:
Në banesën e vëllezërve P. K, Gj. K, P. K, P. K., të cilët nuk banojnë më në këtë banesë e as në këtë fshat, gjatë kontrollit nga shërbimet e policisë, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 170 kilogramë lëndë narkotike në formën e boçes, e futur në 11 thasë dhe në një fuçi plastike, si dhe dy thasë të mbushur me 46 kallëpe tritol 800 gramë secili, me peshë totale rreth 37 kilogramë tritol.
Lënda narkotike dhe lënda eksplozive u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët e Sektorit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të veprimeve të para, kanë bërë shpalljen në kërkim të katër vëllezërve, si pronarë të ligjshëm të banesës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për të vërtetuar implikimin ose jo të pronarëve të banesës të shpallur tashmë në kërkim nga ana e Policisë.