Kapet atentatori i Borussias

Është arrestuar nga një repart elitë i policisë gjermane në zonën e Tubinga, një qytet në jugperëndim të vendit, në Landin e Baden-Werttemberg, autori i dyshuar i sulmit me eksploziv të 11 prillit kundër autobuzit të Borusias së Dortmundit, para ndeshjes së Champions League kundër Monaco. Lajmi u bë i ditur nga Prokuroria Federale që saktësoi për habinë e të gjithëve se nuk bëhet fjalë për terrorizëm, por një sulm për motive ekonomike.
“I arrestuari është një qytetar ruso-gjerman i moshës 28-vjeçare, Sergej”, theksoi Prokuroria nëpërmjet një komunikate në të cilën shtohet se i dyshuari spekulonte mbi rënien e çmimit të aksioneve në Bursë të Borusias së Dortmundit dhe donte të pasurohej, duke sulmuar klubin.
Siç raporton “Bild”, Sergey kishte blerë një paketë prej 15 mijë aksionesh të klubit për një vlerë prej 78 mijë eurosh me skadencë në 17 qershor 2017. Nëse aksionet e Borusias do të binin, do të kishte një përfititim që shkon deri në 3.9 milionë eurosh. Njeriu i arrestuar kishte përfunduar në shënjestrën e hetuesve pak para Pashkëve, dhe tani akuzohet për tentativë për vrasje dhe dëme të rënda, me policinë që tani është në kërkim të dy bashkëpunëtorëve, të cilët kanë ndihmuar 28-vjeçarin për të transportuar eksplozivin deri në vendin e shpërthimit.
Personi në fjalë kishte fjetur në hotelin e Dortmundit në një dhomë me dritare me pamje nga vendi i atentatit, (një kërkesë precize e tij kjo) dhe kishtë rënë në sy të punonjësve të hotelit, pasi ishte i vetmi klient që nuk ishte shfaqur i emocionuar nga shpërthimi, përkundrazi kishte shkuar në restorantin e hotelit për të kërkuar një biftek. Veç të tjerash kishte kryer operacionin financiar që e gozhdoi, duke përdorur Wi-fine e hotelit, duke lënë kështu dhe identitetin dixhital, që në gjuhën teknike quhet IP.

Exit mobile version