Policia italiane ka sekuestruar një gomone me rreth 900 kg kanabis sativa të nisur nga Shqipëria. Mediat italiane raportojnë se vlera e drogës së sekuestruar kap shifrën e 8 milionë eurove në tregun me pakicë. Operacioni u zhvillua në prigjet e Pugnochiuso në Foggia. Mjetet aeronavale të “Fiamme Gialle” (raport i Guardia di Finanza), që patrullojnë vazhdimisht në Adriatik, kanë pikasur pasditen e të enjtes një gomone që drejtohej drejt brigjeve të Garganos (Puglia) dhe iu vunë në ndjekje, raportonin dje mediat lokale.
“Ansa” shkruan se trafikantët, në sytë e njësive të Guardia di Finanza, kanë liruar garkesën e drogës, duke i hedhur ato në det dhe më pas kanë lënë anijen në plazhin e Pugnochiuso, për t’u arrestuar pak momente më vonë.
Trafikantët, pasi kishin pikasur njësitë policore hodhën një pjesë të drogës në det dhe më pas e braktisën gomonen në plazh, duke u arratisur e duke përfituar nga errësira. Forcat italiane gjetën në gomone një sasi të konsiderueshme marijuane, ndërsa skafistët arritën t’i identifikonin e t’i kapnin më pas me rroba ende të lagura, të fshehur në një vilë pranë vendit të arratisjes. Gomonia ishte rreth 9 metra e gjatë, me dy motorë të fuqishëm oqeanikë, e tashmë rezulton e sekuestruar në Portin e Viestes.
Marijuana e sekuestruar, një pjesë e së cilës është rikuperuar nga sipërfaqja e ujërave, ishte futur në 55 pako të përmasave të ndryshme, me një peshë totale prej 885 kg, që në rast se do të përfundonte në tregun e zi do të kapte shifrën e 8 milionë eurove. Në pranga janë vënë dy shtetas shqiptarë nga Vlora.
Aksioni
Ora shënonte rreth 19:00 kur dy mjete të shpejta të Repartit Operativ Aeronaval të Guardia di Finanza-s së Barit, pikasën një gomone të fuqishme pranë brigjeve të Pugnochiuso-s dhe u bënë shenjë personave që ishin në bordin e saj të ndalonin. Por, këta të fundit, pasi vunë re se kishin shoqëri, hodhën në det pjesën më të madhe të ngarkesës që ishte në bordin e gomones, ndërsa mjetin lundrues e braktisën në plazh, e më pas ia mbathën. Ndërkohë, efektivët arritën gomonen dhe aty gjetën praninë e disa ngarkesave, të mbështjella me material tipik që përdoret për mbështjelljen e marijuanës. Gjithashtu, agjentët vunë në dijeni për arratinë e dy skafistëve kolegët e Guardia di Finanza-s së Foggia-s, të cilët nga ana e tyre nisën një aksion për kapjen e trafikantëve.
Pas një patrullimi edhe me mjete ajrore u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes së 2 të arratisurve. Ata u gjetën me rroba ende të lagura brenda një vile, pjesë e një kompleksi turistik me të përbërë nga apartamente pushimi.
Gomonia, rreth 9 metra e gjatë me dy motorë të fuqishëm u sekuestrua e më tej u dërgua në Portin e Vieste (komunë po në provincën Foggia). Skafistët, K.B., 52 vjeç dhe B.A. 39 vjeç, të dy nga Vlora, me precedentë të mëparshëm, u arrestuan për trafik ndërkombëtar droge.
55 pakot e marijuanës së sekuestruar në det kishin një peshë prej 885 kg, sasi që vlerësohet se nëse do shitej me doza të vogla në vendin fqinjë, do gjeneronte më shumë se 8 milionë euro. Ndërsa, të tjera pako mendohet se kanë humbur në det. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur një bashkëpunim në hetim me homologët shqiptarë dhe grupit të Guardia di Finanza-s të vendosur në Durrës.
Para një jave, policia italiane sekuestroi 8 kuintalë drogë të llojit hashash dhe marijuanë me një vlerë prej 4 milionë eurosh. Droga ishte futur nga brigjet shqiptare dhe ishte magazinuar në një depo në Puglia. Financierët e Guarda di Finanza ndërhynë në momentin që po bëhej shkëmbimi i drogës me eurot. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe një pistoletë, katër automjete si dhe 32 mijë euro.