Kapet me 1.3 ton drogë në Spanjë shqiptari

Një shqiptar i dyshuar për trafik droge është arrestuar në ishullin Ibiza të Spanjës, dy ditë më parë. Ai u ndalua lidhur me një ngjarje të ndodhur më 30 dhjetor 2014, kur në Barcelonë u ndalua një kamion me 1.360 kilogramë hashash, i nisur nga Ibiza.
Gjatë këtij operacioni u arrestua shoferi i kamionit, me kombësi spanjolle.
Hetimet çuan në identifikimin e një shqiptari, si organizatori i një grupi të trafikimit të drogës, i cili u vendos në verë në ishullin Ibiza, me identitet italian falso.
Ai bënte një jetë luksoze edhe pse nuk kishte punuar kurrë punë të ligjshme, raportojnë mediat spanjolle.
U zbulua gjithashtu se shqiptari përdorte edhe katër karta identiteti false dhe i përkiste një bande të njohur shqiptare për grabitjen e shtëpive luksoze në Kosta del Sol.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestua të mërkurën në aeroportin e Ibizas pas fluturimit nga Barcelona, i akuzuar si përgjegjës për dërgimin e sasisë së lartpërmendur të hashashit, që ka kaluar dje në dispozicion të Gjykatës së Torremolinos.

Exit mobile version