Kapet me 6 kg kokainë në Itali një shqiptar

Një 33-vjeçar shqiptar është kapur me 6 kg kokainë në Itali. Bëhet e ditur se 33-vjeçari është ndaluar nga Policia e Torinos gjatë kohës që ishte duke udhëtuar me makinën e tij. Kokaina u kap falë qenve antidrogë, të cilët bënë të mundur gjetjen e saj brenda serbatorit të makinës. 33-vjeçari e kishte planifikuar shumë mirë fshehjen e lëndës narkotike, duke krijuar një hapësirë të veçantë brenda serbatorit, aq sa e bënte të pamundur gjetjen e saj pa ndihmën e qenve të drogës. Kokaina e gjetur në makinë ishte gati për shpërndarje.
Po ashtu, dy shqiptarë të moshës 27 dhe 30-vjeçare kanë rënë në prangat e policisë italiane, pasi akuzohen për tregti droge. Karabinierët studionin prej kohësh lëvizjet e dy shqiptarëve, pas njoftimit për lëvizje të dyshimta në një parking pranë një fast-food-i në qytetin e Ravenna-s. Mediat italiane shkruajnë se, shqiptarët e arrestuar janë shtetasit me iniciale K.J. e G.M, 27 dhe 30 vjeç. Policia i vuri nën vëzhgim, ndërsa konstatuan që shqiptarët po kryenin lëvizje nën pjesën e poshtme të mjetit.
Gjatë ditës së djeshme, të rinjtë u shoqëruan në stacionin policor bashkë me makinën, të cilës iu krye një kontroll i imtësishëm, ku janë zbuluar dy vende të posaçme të krijuara për të fshehur drogën. Nën ulësen e shoferit, ishte krijuar një hapësirë e dyfishtë e mbyllur me një çelës, ndërsa në secilën mund të fshihej nga një pako kokainë me peshë 1 kg. Gjatë ndalesës u sekuestruan rreth 500 gram heroinë, ndërsa nga kontrollet e ushtruara në shtëpinë e tyre në Ravenna janë sekuestruar 19 mijë euro, para të përfituara nga shitja e heroinës.

Artikulli paraprak43 kg drogë dhe 1 kg kokainë nga Shqipëria kapen në Greqi
Artikulli tjetër7 kg heroinë nga Durrësi sekuestrohet në Malin e Zi