Një 41-vjeçar shqiptar u arrestua dje nga policia greke në ishullin Kos, pasi u kap duke transportuar lëndë narkotike me qëllim trafikimin e saj. Policia greke sqaron se, shqiptari mbërriti në mëngjes në ishullin Kos, nëpërmjet tragetit të nisur nga Pireu. Ai ishte vënë nën mbikëqyrje me të hipur në traget.
Synimi i tij ishte të udhëtonte në drejtim të Kalymnos, ndërsa u prangos menjëherë nga forcat e rendit. Gjatë kontrollit fizik, atij ju kap 551 gram heroinë, kartë identiteti greke false si dhe dy telefona celularë. Tashmë, ai do të dalë përpara Prokurorit Publik në Kos.