Kapet me kokainë vëllai i shefit të Komisariatit të Policisë Dibër

47-vjeçari Pajtim Aga, i cili u kap me 320 gr kokainë në Lezhë është vëllai i shefit të Komisariatit të Policisë së Dibrës, Robert Aga. Pajtim Aga, u arrestua nga Seksioni Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë dhe gjatë kontrollit në automjet iu gjet sasia e kokainës.
Aga, banues në Tiranë, u arrestua në Lezhë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, iu gjet  dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale kokaina e paketuar. Policia dyshon se Aga merret me shpërndarjen e drogës. Ndaj 47-vjeçarit do të rëndojë akuza e “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Robert Aga, ka qenë një nga personat më të akuzuar nga Partia Demokratike si i përfshirë në blerjen e votave gjatë procesit zgjedhor për Bashkinë Dibër.
PD ka depozituar në Prokurori për Agën dhe një kallëzim, duke e cilësuar pjesë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Para zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Dibër, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, doli me një listë emrash të shefave të komisariateve që sipas tyre janë pjesë e rrjetit të trafikut të lëndëve narkotike.
Në listën e 5 shefave të komisariateve rezultonte të ishte edhe ai i Dibrës, Robert Aga, që gjithashtu PD e ka dorëzuar në Prokurori në listën e personave që denoncoi për blerje votash në këtë Bashki. Arrestimi i Agës u bë pas një informacioni të marrë në rrugë operative në lidhje me aktivitetin e tij. Lënda narkotike u gjet e paketuar dhe sipas policisë dyshohet për një rrjet të shpërndarjes dhe të shitjes.

Artikulli paraprakMagazina e drogës në Ishëm ruhej nga persona të armatosur
Artikulli tjetërMbështetje protestave të qytetarëve