Kapet në Bari 1.2 ton drogë nga Vlora me vlerë 12 milionë euro

Forcat e Guardia di Finanzas ndaluan dje një gomone me 1.2 ton marijuanë në ujërat e Adriatikut, pranë Barit. Mediat italiane bëjnë të ditur se, Drejtoria Antimafia e Policisë së Barit në bashkëpunim me repartin territoral të Policisë Financiare kanë sekuestruar një gomone me drogë me prejardhje nga Shqipëria.
Sipas mediave italiane, një skaf me motorë të fuqishëm i nisur nga brigjet shqiptare u pikas nga Guardia di Finanza dhe u ndoq në det për disa minuta. Në operacion u angazhuan forca të shumta policore nga deti dhe nga ajri. Skafi me drogë ishte drejtuar në veri të Barit, por është bllokuar në Molfeta. Për t’i shpëtuar policisë, trafikantët hodhën në det ngarkesën me kanabis.
“Pas një ndjekjeje të shkurtër, punonjësit e Departamentit të Hetimit Antimafia (Dia) të Barit dhe ushtarakët e Departamentit Operativ Aerodetar të Policisë Financiare kanë bllokuar në det në brigjet e Molfetta-s një gomone që po i afrohej brigjeve të Pulias, ku ka sekuestruar 1 ton e 215 kilogram marijuanë që dy shqiptarë, më pas të arrestuar në bordin e anijes, e kishin hedhur në det. Dy trafikantët, 37 dhe 34 vjeç, që të dy nga Vlora, kanë tentuar pa sukses që t’i shpëtojnë arrestimit dhe për këtë qëllim, për të shtuar shpejtësinë e gomones, kanë tentuar që ta lehtësojnë, duke hedhur drogën në det”, shkruajnë mediat e vendit fqinj duke iu referuar policisë italiane.
Gomonia rreth 9 metra e gjatë dhe e pajisur me dy motorë të fuqishëm jashtë bordit, është ndaluar nga roja bregdetare e financës italiane, pas disa minuta ndjekjeje në brigjet e qytezës Molfeta. Droga ishte ndarë në 59 pako me përmasa të ndryshme me një peshë totale prej 1215 kg. Sipas mediave italiane, vlera në treg e saj është të paktën 12 milionë euro. “Gomonia, e gjatë 9 metra dhe e pajisur me dy motorë të fuqishëm nga jashtë, është sjellë në stacionin detar të Guardia di Finanza të Barit dhe është konfiskuar”, raporton policia italiane. Dy shqiptarët e arrestuar akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Trafiku i drogës drejt Italisë është rritur frikshëm pas emërimit të Besmir Qibinit, drejtor i Kufirit në Policinë e Vlorës. Sipas statistikave, që nga dita që njeriu i Tahirit u vu në krye të Policisë Kufitare të Vlorës, drejt Italisë janë futur plot 20 tonë drogë nga brigjet shqiptare. Kjo sasi e madhe droge e kapur në Itali u konfirmua edhe nga Shefi i Guardia di Finanza, Giorgio Toschi. Kreu i Guardia di Finanza deklaroi para tre ditësh në Tiranë se, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë kapur 20 ton mariuanë e nisur nga Shqipëria.
Nga momenti i emërimit të Qibinit në krye të Policisë Kufitare të Vlorës në fund të muajit janar të këtij viti, droga drejt Italisë nis të transportohej me tonelata dhe jo në sasi të vogla.
Më 4 shkurt u sekuestruan plot 2 ton drogë e nisur nga Shqipëria. Ngarkesa e lëndës narkotike po transportohej me skaf, kur u zbulua nga rojet kufitare greke dhe ato italiane. Sipas mediave të vendeve fqinje, forcat e policisë greke dhe italiane kanë ndjekur për disa orë në det skafin e ngarkuar me drogë. Më 9 shkurt u sekuestruan 1.4 ton drogë në dy operacione në Bari dhe në Brindizi.
Sasia më e madhe e drogës nga Shqipëria, plot 10 tonë u sekuestrua nga policia italiane në Portin e Ankonës më 19 shkurt. Mediat italiane shkruanin se, në port kishte zbritur një kamion nga Porti i Durrësit i ngarkuar me materiale plastike. Gjatë kohës që efektivët po kontrollonin letrat e kamionit, qentë e antidrogës zbuluan sasinë rekord të drogës të kapur ndonjëherë në këtë port. Mediat italiane shkruanin duke iu referuar policisë, se lënda narkotike e ardhur nga Shqipëria është e cilësisë më të lartë, ndërsa në pranga ka përfunduar drejtuesi shqiptar i kamionit.

110 kg drogë nga Shqipëria në Janinë

110 kg drogë janë kapur nga policia greke në fshatin Likostomo në Janinë. Kjo sasi droge e ndarë në 25 pako ishte futur nga Shqipëria nga dy shtetas grekë, 22 dhe 24 vjeç, të cilët përfunduan në prangat e policisë fqinje. Nga hetimet u zbulua se ata vepronin nën urdhrat e dy shtetasve shqiptarëve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.
Operacioni vazhdoi në zonën Agia Axaia, ku u bë i mundur edhe arrestimi i dy shqiptarëve të dyshuar, 19 dhe 29 vjeç. Sipas policisë greke, në momentin e arrestimit, dy të rinjve shqiptarë iu gjetën edhe 500 gr marijuanë.

R.POLISI

Artikulli paraprakPërgatitet lirimi i Shullazit me skemën e ‘sëmundjes’
Artikulli tjetërAmbasadorët e BE duan Bashën, Vlahutin kundër