Kapet shqiptari në Romë me 260 kg drogë në furgon

Policia italiane sekuestroi dje 260 kg drogë në një makinë që drejtohej nga shqiptari. Bëhet e ditur se një 20-vjeçar nga Shqipëria po e transportonte drogën me një furgon, por është ndaluar nga policia italiane në Romë, pasi po ecte me shpejtësi të madhe dhe drejtonte mjetin pa leje qarkullimi. Ky fakt ka hedhur dyshimin tek policët italianë, të cilët kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në furgon dhe kanë gjetur sasinë e drogës. Sipas mediave italiane, furgoni ka rënë në sy të karabinierëve, pasi po ecte me shpejtësi në rrugën “Boccea” në Romë dhe menjëherë i janë vënë pas. Gjatë kontrollit, i riu shqiptar ka shfaqur shenja nervozizmi, duke bërë që policia të vendosë të bëjë një kontroll të mjetit dhe vetë të riut.
Sapo kanë hapur derën e pasme të furgonit, policët e kanë kuptuar arsyen e nervozizmit të shqiptarit. Ishin 260 kilogramë kanabis që ai po i dërgonte në një bazë. Droga ishte e ndarë në 44 pako me peshë të ndryshme, të mbështjella me celofan. Menjëherë i riu shqiptar 20 vjeç është arrestuar dhe dërguar në qelitë e burgut të “Regina Coeli”, ndërsa atij i janë sekuestruar edhe 500 euro që i kishte me vete.

Exit mobile version