Kapja e drejtësisë me qeverisjen e gjyqësorit

Pasi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vettingut, Partia Demokratike i është drejtuar sërish gjykatës, për ligjin e fundit të paketës që u miratua me vetëm votat e mazhorancës dhe që ka të bëjë me organet e qeverisjes së gjyqësorit në vend.
Partia Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke i kërkuar të shpallë antikushtetues ligjin për qeverisjen e sistemit të drejtësisë, për KLGJ e KLP, duke e çuar në dy numrin e ligjeve të reformës në drejtësi, që do të kalojnë testin kushtetues, pas atij të Vettingut.

Ankimimi i PD-së në Kushtetuese

Ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë është ndër më voluminozët e reformës në drejtësi, me 198 nene, por që pak orë para votimit të tij, mazhoranca do të sillte në Kuvend edhe një paketë me plot 104 amendamente, të cilët do të ndryshonin jo vetëm formulat e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë, por në thelb ato ndryshuan edhe mënyrën e filtrimit të kandidatëve.
Dhe ashtu si në draftin e parë, edhe në diskutimet e fundit në Kuvend, opozita e deklaroi prerazi se këto amendamente, nuk sjellin asnjë përmirësim të draftit fillestar, por përkundrazi krijojnë një çarje të re kompetencash. Ndërkaq, lidhur me draftin e parë të qeverisjes së drejtësisë, PD do të depozitonte në Komisionin e Reformës në Drejtësi një paketë me vërejtje për të paktën 11 nene të draftit të mazhorancës, i cili nuk u votua në fillim të muajit tetor.
Në opinionin e saj, opozita renditi 11 nene ku sipas saj, Kushtetuta shkelet në mënyrë flagrante. Opozita i paraqiti këto amendamente pasi drafti është hartuar pa prezencën e saj në komision dhe versioni që i është përcjellë Kuvendit nuk ishte konsultuar me ekspertët e opozitës.
Sipas PD-së, projektligji ka bërë deformim në mënyrë flagrante të sistemit të emërimeve të përcaktuar nga Kushtetuta për anëtarët e jashtëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e shndërruar atë nga një sistem që përfshin ekskluzivisht në përzgjedhje vetëm Kuvendin dhe organet e tij të brendshme, në një sistem bashkëpunimi në emërim, që e ndërthur veprimtarinë e Kuvendit me propozimin nga organe të jashtme, të paparashikuara nga Kushtetuta.
Projektligji përmban parashikime që janë të papranueshme për statusin dhe pozitën kushtetuese të Presidentit të Republikës, por edhe bie ndesh me nenin 179 të Kushtetutës.
Sipas PD-së, projektligji eliminon kriterin kushtetues të konkurrimit të hapur të një profesioni të caktuar, duke risjellë amendamentin e dikurshëm, sipas të cilit Dhoma Kombëtare e Avokatisë apo një mbledhje pedagogësh kanë të drejtën e propozimit të kandidaturave.
Për PD-në, kjo është e papranueshme. Me këtë fjali opozita përshkruan edhe heqjen e së drejtës së presidentit për të organizuar shortin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të paktën 4 çështje të tjera që lidhen me të 4 institucionet e reja të drejtësisë, objekt i ligjit në diskutim.
Demokratët shprehen se analiza është bërë duke mbajtur në konsideratë jo vetëm konstatimet e opinioneve të Komisionit të Venecias, por mbi të gjitha Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.

Exit mobile version