Kapja e paketave bombë shkakton panik në SHBA

Sipas të dhënave të Secret Service, dërgesat postare në adresë të ish-kandidates për Presidente dhe ministres së Jashtme Hillary Clinton dhe të ish-Presidentit Barack Obama u arrit “të kapen”, pa i arritur personat të cilëve u adresoheshin. Për shkak të një pakete të dyshimtë veç kësaj u zbraz një ndërtesë me zyra në New York, në të cilën ndër të tjera e ka selinë edhe stacioni televiziv CNN. Edhe guvernatori i New Yorkut është i prekur, në adresë të zyrës të të cilit u dërgua gjithashtu një paketë me përmbajtje të rrezikshme.
Të paktën njëra nga lëndët eksplozive mund të kishte shpërthyer
Bomba funksionuese e dërguar në adresë të Clintonit u gjet në një dërgesë, të dërguar në adresën e saj private në Winchester County. Paketa për Obaman u kap nga punonjësit e shërbimit të fshehtë në Uashington – lënda shpërthyese brenda saj me sa duket nuk qe funksionuese.
Paketa e dyshimtë u konstatua në kontrolle rutinë të dërgesave ndaj të adresuarve, për të cilat është kompetent Secret Service. Përmbajtjet e tyre u identifikuan si “lëndë shpërthyese potenciale”. Ende është e paqartë se kush është dërguesi i paketave, u bë e ditur.
Stacioni televiziv CNN bëri të ditur se një paketë në qendrën postare të stacionit në ndërtesën Time-Warner në New York ra në sy, sepse brenda saj ndodheshin fije teli. Policia deklaroi se me sa duket bëhet fjalë për një lëndë shpërthyese, e cila përbëhet nga një tub. Përmbajtja e paketës së vogël ishte e ngjashme me ato të dërgesave në adresë të Obamas dhe të Clintonit.

Sipas CNN, paketa ishte e drejtuar ndaj ish-shefit të CIA-s John Brennan. Në kohën kur erdhi në pushtet Trumpi, Brennani ishte shef i CIA-s dhe pastaj u dallua si kritik i vendosur i Trumpit. Republikani Trump e ka akuzuar CNN në mënyrë të përsëritur si përhapëse të lajmeve të gënjeshtërta.
Gazeta “New York Times” raportoi duke iu referuar policisë së paketa drejtuar Clintonit kishte ngjashmëri me bombën në një letër dërguar banesës në SHBA të miliarderit dhe filantropit George Soros. Në SHBA Sorosi ka mbështetur prej vitesh demokratët. Presidenti Donald Trump e akuzoi pak kohë më parë Sorosin se kishte financuar protesta kundër gjykatësit të ri kushtetues të SHBA Brett Kavanaugh.
Shtimi i agresivitetit në shoqëri
Ky incident ndodh në një shoqëri të përçarë thellësisht që prej ardhjes në pushtet të Trumpit. Shumë amerikanë ankohen për një sjellje agresive në rritje si në debatin politik, ashtu edhe në jetën e përditshme. Fushata elektorale për zgjedhjet në kongres zhvillohet veç kësaj në një atmosferë të polarizuar fort.
Shtëpia e Bardhë e dënoi me forcë serinë e bombave në paketë. “Këto veprime terrorizuese janë për t’u përçmuar dhe secili që është përgjegjës për to do të nxirret para përgjegjësisë”, deklaroi zëdhënësja e Trumpit Sarah Sanders. Zëvendëspresidenti Mike Pence tha se këto akte frikacake për t’u përçmuar nuk kanë vend në këtë komb”. Ai është mirënjohës për reagimin e shpejtë të Shërbimit të Fshehtë, të policisë federale FBI dhe të autoriteteve lokale të sigurisë. Trumpi deklaroi se e mbështet “me gjithë zemër” deklaratën e zëvendësit të tij.
Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, në adresë të zyrës së të cilit u dërgua gjithashtu një paketë tha se shoqëria nuk duhet të përkulet para akteve të tilla terroriste. “Nuk është hera e parë që përballemi me një gjë të tillë”, tha ai duke pasur parasysh atentate të mëparshme në New York.

Exit mobile version