Kapja e Prokurorisë, hapen burgjet për mafien, lirohet peshku i madh Keçi

Shijakasi Durim Keçi i akuzuar si miku i politikanëve të majtë është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.

Burime pranë Gjykatës bëjnë me dije se ai i është drejtuar Gjykatës me një kërkesë se mbahej me të padrejtë në burg, duke paraqitur edhe vendimet e kryerjes së dënimit në Itali.

Durim Keçi u ndalua në Durrës më 11 tetor të vitin 2011, ndërsa u bë i njohur edhe në debatet mes politikanëve. Kryeopozitari Basha tregoi fotot të tij me deputetë socialistë, duke akuzuar fort se mazhoranca mbante afër kriminelët, ndërsa kryeministri Rama publikoi foto të Durim Keçit që shfaqej te çadra e protestës së demokratëve.

Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovës, Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale”: Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike”,“Krime me armë kundër personit”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Në Itali, 42-vjeçari konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm të mafies shqiptare. Madje, gjatë një seance gjyqësore, Durim Keçi, i cili ka përdorur edhe emrin Gëzim Hajdini, ka kërcënuar prokurorët e Antimafias italiane. Duke parë nga prokurorët Francesca Nanni dhe Silvio Franz, ai tha: “Ata të dy do t’i bëj të ma paguajnë shtrenjtë!

Në vitin 2006 në Itali, ka qenë i pandehur në një proces gjyqësor, por lirohet nga qelia për një gabim burokratik dhe ndaj tij vendoset një masë më e zbutuar sigurie. Nga masa e arrestit me burg, lihet në detyrim paraqitje dhe kështu arratiset. Gjatë kësaj kohet Durim Keçi jetonte në Shqipëri.

Reagimi i PD

Një tjetër kriminel i rrezikshëm është jashtë dyerve të burgut.

Durim Keçi, një nga peshqit e krimit, mik i Edi Ramës dhe Blendi Klosit, është liruar nga burgu. Me shumë gjasë, ai nuk do të ekstradohet në Itali, ku është dënuar për trafik droge dhe prostitucioni.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e paralajmëroi që në tetor se, Durim Keçi do t’i shpëtonte drejtësisë, sepse kishte mik kryeministrin Edi Rama dhe i ka shërbyer atij në çdo palë zgjedhje. Në tetor, Lulzim Basha bëri të njohur ekzistencën e tabulateve telefonike të Edi Ramës me Durim Keçin, të cilit i garantoi mosekstradimin.

Dhe kështu ndodhi. Reforma në Drejtësi u përdor për të çliruar nga drejtësia kriminelët si Keçi dhe të tjerë të fuqishëm, që kërkohen për ekstradim në Itali.

Por lirimi i Durim Keçit është edhe efekt i presionit të Edi Ramës ndaj drejtësisë dhe kontrollit politik nëpërmjet kryeprokurorit antikushtetues.

Që kur Edi Rama emëroi Prokurorin e Përgjithshëm pa vetting dhe në kundërshtim me Kushtetutën:

  • Saimir Tahirit iu kthye pasaporta dhe ai mund të lëvizë i lirë kudo ku ka fshehur paratë e fituara nga trafiku i drogës.
  • Orest Sota u lirua nga burgu,megjithëse u kap në mashtrim për burimin e 863 mijë eurove dhe përdorimin e  tyre.
  • Trafikantëve të kokainës së Xibrakës iu ul dënimi dhe Prokuroria nuk e ankimoi vendimin.
  • Balilajve iu rikthye nga Gjykata leja për policinë private, që do të thotë një ushtri e armatosur me njerëz në mbrojtje të Kelment Balilit.

Bashkë me lirimin e kriminelit Durim Keçi, këto janë prova konkrete se Edi Rama e ka blerë pushtetin nëpërmjet krimit dhe po e mban nëpërmjet kapjes së drejtësisë.

Ne kemi detyrën historike të mos lejojmë diktaturën e krimit! Prandaj ftojmë çdo shqiptar të bashkohet me opozitën në 27 janar në sheshin e protestës për t’i thënë Edi Ramës se ne jemi njerëz të lirë dhe nuk e pranojme zgjedhën e krimit!

Artikulli paraprakBasha paralajmëron Ramën: Nuk do t’i rezistoni bashkimit popullor në protestën e së shtunës
Artikulli tjetërThirrja e Berishës për shqiptarët: Të shembim këtë regjim, 27 Janari do të hyjë në histori