Karlos më shpëtoi

Ronaldo Luis Nazario de Lima, i njohur thjesht si “Fenomeni” ka folur për dëmtimet e tij dhe për problemet shëndetësore në finalen e Botërorit ‘98. Një kampion i madh i futbollit modern, me një talent të jashtëzakonshëm, falë të cilit ka luajtur me skuadra si Barcelona, Inter, Real Madrid dhe Milan, në një intervistë për “Onda Cero”, ish-kampioni brazilian ka zbuluar disa episode pikante të karrierës së tij, e ndërprerë nga dëmtimet e rënda në gju, që sipas vetë Ronaldos janë shkaktuar edhe nga stërvitjet jo të përshtatshme.
“Në dhjetë vitet e para të karrierës jam stërvitur keq, në kuptimin që me mua gabuan metodat stërvitore. Në shumë raste më është dashur të vrapoj si Roberto Carlos dhe Cafu, por nuk mundesha. Kam vuajtur shumë dëmtime për shkak të stërvitjeve kolektive. Kam pësuar dëmtime të rënda. Në fillim qëndrova jashtë fushave një vit e 4 muaj, ndërsa më pas për një vit e dy muaj. Asnjë lojtar nuk kishte vuajtur dëmtime si unë: mjekët nuk dinin si t’i kuronin, nuk njihej një teknikë specifike për fizeoterapinë. Por, unë doja të kthehesha, futbolli ishte jeta ime”, shprehet Ronaldo.
Duke folur për trajnerët që ka patur, Ronaldo nuk i kurseu fjalët e ashpra dhe kritikat për Fabio Capello-n dhe Arrigo Saçhi-n. “Te Reali i Madridit u paraqita dy herë brenda javës me vonesë në stërvitje. Në rastin e parë, Saçhi me mbajti një leksion për 15 minuta dhe më gjobiti, ndërsa në rastin e dytë përpara se ai të fliste i thashë: Ose leksionin, ose gjobën. Capello? Nuk ishte tip shumë i zgjuar, nuk e zgjedh mes trajnerëve të mi më të mirë”, thotë Ronaldo.
Ndër të tjera 40-vjeçari foli për jetën e natës në periudhën kur luante te Reali i Madridit dhe problemet shëndetësore përpara finales së Botërorit 1998. Brazili u mposht në finale nga Franca, ndërsa sulmuesi luajti në gjendje tejet të rënduar shëndetësore. Natën përpara ndeshjes, ai u transportua me urgjencë në spital, ku u mjekua me medikamente për epilepsinë, të cilat i rrezikuan seriozisht jetën, sepse në të vërtetë kishte probleme kardiake.
“Roberto Carlos më shpëtoi. Ndodheshim në dhomë, kishte kaluar mesnata dhe u shtriva për të fjetur. Në një moment pata konvulsione të forta dhe humba ndjenjat për afro 30 sekonda. Në fillim ai kujtoi se po bëja shaka”, shprehet Ronaldo.

Exit mobile version