Nga ENDRI FARKA*
Partia Demokratike mblodhi Kuvendin Kombëtar dhe pas marrjes në shqyrtim të situatës politike e ekonomike në vend zbardhi rezolutën për aksionin opozitar.
Në fjalimin e tij të gjatë Berisha nuk pati asgjë të re nga ligjërimet e ditëpërditshme ku mosbindjes civile kësaj here i shtoi edhe “zgjimin e luanit” që nënkuptonte bashkimin e demokratëve dhe shqiptarëve e që sipas tij kjo fuqi do t’i jepte fund “narkoktaturës së Edi Ramës”.
Disfata e hidhur në zgjedhjet e 14 Majit nuk shërbeu si mësim dhe Kuvendi votëbesoi sërish Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.
Ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja për herë të parë e të bijës së Berishës, Argita Malltezi, e cila po ashtu mbajti fjalimin e saj të parë publik në Pallatin e Kongreseve. Megjithatë për futjen apo jo në politikë të saj, i ati dha një përgjigje jo shumë të qartë duke u shprehur se të paktën deri tani përfshirja e saj shkon deri në kufijtë e aktivistes. Por shpeshtësia e daljeve të saj në media kohët e fundit të lë në pritje për lëvizjen e radhës.
Çfarë tërhoqi vëmendjen në dallim nga një vit më parë ku demokratët, qoftë nga forumet e PD-së, qoftë fansa apo njerëz që nuk kishin lidhje me strukturat e PD, mbushën një pjesë të stadiumit Air Albania, Berisha këtë radhë nuk u kujdes shumë për dukjen.
Të mbledhur në Pallatin e Kongreseve, vend për të cilin Berisha u tall me Bashën 2 vite më parë, dukshëm kishte karrige bosh. Ishte aq e dukshme sa e pranuan dhe deputetët, mbështetës të Berishës.
Pohimi i Edi Palokës se “nuk janë ditët më të mira për ne” apo thirrja e Luciano Boçit “mos na numëroni sa jemi, por lexoni idalet që kemi” nuk e zbehën faktin që në Kuvend nuk kishte më shumë se 500 vetë.
Dy vite më parë, PD e Berishës në stadium numëronte 4920 delegatë, ndërsa sot zyrtarisht janë 1600. Edhe pse shifrat tregojnë të kundërtën, në këtë Kuvend duket se i vetmi optimist është po vetë Berisha, pasi në mesin e besnikëve të tij nuk duket ndonjë entuziasëm politik. Kjo pasi në hapjen e këtij eventi u tha se ishin 1500 delegatë, por dhe ato që ishin në shumicë braktisën karriget duke u larguar.
Të 17 deputetët e grupit të Gazment Bardhit nuk ishin të pranishëm, e po ashtu në mungesë në një status në Facebook reagoi edhe Ervin Salianji.
Ai shkruajti se jetike për opozitën tashmë jetik dhe i domosdoshëm është një ndryshim i thellë si në koncept dhe dimension. “Nevoja për t’i hapur rrugën me meritë më të mirëve, profesionistëve me integritet, diasporës, të rinjve, shoqërisë!” – ishte citimi me të cilin duket se shigjetoi Berishën.
Fotot e shkrepura brenda Pallatit të Kongreseve, të karrigeve bosh me lëmshin zhurmëmadh të kritikave të brendshme e pohimeve të vetëfajësimit, tregojnë qartë mungesën e një strategjie të përbashkët, e me sa duket “luani” për të cilin Berisha flet nuk do zgjohet akoma.
*Kryeredaktor Gazeta “Shqip”