Përfundimisht grupi Berisha&Bardhi kanë vendosur që të pengojnë Reformën Zgjedhore duke u kthyer në alibi për Edi Ramën i cili nuk e ka fshehur kurrë që nuk e do sepse e ka një nga mënyrat kryesore për të vazhduar të mbajë e të marë pushtetin “me votë”.
Por loja e këtij segmenti të opozitës i cili kërkon që nëpërmjet këtij bllokimi synon të negociojë fatin penal-politik të Sali Berishës, Fatmir Mediut dhe mandatet e tyre në vitin 2025 këtë herë nuk do jetë aq e lehtë sa ajo e bllokimit të Kuvendit me alibinë e komisioneve hetimore.
Kjo lojë nuk ka për të funksionuar as për gazbardhistët e rithemelimdat dhe aq më pak për regjisorin e saj Edi Rama. Këtë herë hesapet i kanë bërë “pa hanxhiun”.
Dhe ashtu si për Reformën në Drejtësi për të cilën çfarë nuk bënë për ta sabotuar por në fund ulën kokën dhe e votuan pa përjashtim, njësoj edhe me Reformën Zgjedhore që është po aq kryesore pér ti dhënë fund tranzicionit korruptiv, do të përballen me “Hanxhinë”. E ky “Hanxhi” janë ndërkombëtarët me në krye SHBA, OSBE dhe BE të cilët e kanë deklaruar qartë domosdoshmërinë e kësaj reforme dhe të komisionit bipartizan opozitë-mazhorancë për bërjen e saj.
Loja destruktive, ajo e zhurmës dhe bllokimit që bëri këtë enjte grupi Bardhi&Berisha duke i dhënë alibinë që Edi Rama kërkon për të mos u hapur listat, të mos votojnë emigrantë etj, në fakt është një karshillëk që po i bëjnë mentorëve të kësaj reforme, SHBA-së, OSBE-së dhe BE-së. Më poshtë po ju sjellim deklaratat e tyre për këtë reformë të cilave grupi Bardhi&Berisha po u bën karshillëk.
Kështu në deklaratën e fundit të OSBE pas takimeve të kryetares së misionit me bashkëkryetarët e komisionit Alibeaj dhe Gjiknuri dhe pas pritjes së një grupi deputetësh të opozitës mes të cilëve edhe Gazment Bardhi dhe Oerd Bylykbashi, u bë thirrje për një proces të qetë dhe funksional.
“Çmojmë partneritetin tonë me Kuvendin e Shqipërisë. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të kontribuojnë për një proces parlamentar të qetë e funksional. Punimet e papenguara dhe dialogu konstruktiv në komisione janë thelbësore. Përkushtimi ynë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë mbetet i fortë. Angazhimi pozitiv i të gjithëve është vendimtar për të pasur sukses!”, thuhet në deklaratën e OSBE.
Më herët pikërisht për domosdoshmërinë e vijimit të punës së komisionit të Reformës Zgjedhore ka reaguar edhe ambasada e SHBA. Madje kjo në deklaratën e saj thekson se mirëpriten idetë për Reformën Zgjedhore nga faktorë politikë të përgjegjshëm. ”
“Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”, thuhet mes të njoftimin e ambasadës.
Gjithashtu edhe BE në të njëjtën frymë ka bërë thirrje për konstruktivitet për çuarjen për përparimin e kësaj reforme.
“Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve“, thuhet ndërmjet të tjerave edhe në deklaratën e BE për Reformën Zgjedhore./