“Karteli Ballkanik…”/ Shqiptarët e Kolumbisë dhe trafiku ndërkombëtar

Tregtia e paligjshme globale e drogës, qarkullon miliarda dollarë në vit. Dhe kjo nuk ka ndryshuar për vite me radhë.

Periudha që njihet botërisht si starti i trafikut ndërkombëtar të kokainës, me të cilën është përballur Amerika e Jugut, është epoka e Pablo Escobar dhe kartelit “Medellin”. Megjithatë, Kolumbia, që është prodhuesi më i madh i kokainës në botë, ka pasur një luftë me të hershme të autoriteteve me këtë tregti të paligjshme, që nis nga vitet ’70.

Njëzet vitet e fundit problemi ka marrë përmasa kontinentale, duke prekur Meksikën, Brazilin, Paraguajin, Argjentinën, Perunë, Ekuadorin dhe El Salvadorin. Zona të tëra të Amerikës Latine kanë marrë formën e zonave gri, jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore, ku mbizotëron anarkia dhe ligji i rrugës. Ku luftërat e bandave janë bërë pjesë integrale e një përditshmërie jonormale.

Më pas janë rastet e “Kufirit të Trefishtë”, ku kryqëzohen shtigjet e karteleve të drogës. Ndërsa Ekuadori tashmë është kthyer si një shtëpi e trafikantëve të drogës që po nxit dhunën në rrugë, veçanërisht Guayaquil, duke tërhequr vëmendjen e Europolit dhe Interpolit. Ndërsa është kthyer edhe në një vend, gati shqipfolës, siç e quajnë mediat vendase, por edhe disa Europiane.

Arsyet pse Ekuadori është transformuar në një vend të tillë janë të shumta. Duke nisur që nga lehtësia e kalimit të kufijve, te korrupsioni i strukturave përgjegjëse, pozicioni gjeostrategjik i porteve të saj e deri te zotërimi i një ekonomie pa mekanizma kundër pastrimit të parave. Për më tepër, prania e një peizazhi kriminal të decentralizuar, ndryshe nga Kolumbia, Brazili apo Meksika, u lejon grupeve të huaja kriminale një shkallë mjaft të lartë autonomie.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, grupet kriminale ballkanike, ku përfshihen edhe shqiptarët, në vende të tilla si Kolumbia dhe Ekuadori, kërkojnë të kenë prezencë në qytete ku grupet e mëdha kriminale kanë kontrollin. Ata ia kanë dalë.

Për të realizuar qëllimin final, që është trafiku i kokainës, armët dhe paratë janë elementët thelbësor. Pra trafiku i drogës, është i lidhur pazgjidhshmërisht me trafikun e armëve dhe pastrimin e parave. Nëse ndiqet njëra, patjetër gjurmët do të shkojnë te tjetra. E gjatë shumë operacioneve të zhvilluara vitet e fundit në Kolumbi, si vend i origjinës, duket se është bërë e pashmangshme që të mos zbulohen edhe shtetas shqiptarë.

Shtetasit shqiptar atje tashmë konsiderohen si pjesë e rëndësishme e madje në disa raste edhe drejtuesit e një organizate të fuqishme, që autoritet vendase e quajnë “Karteli Ballkanik”. Një klan që vitet e fundit është fuqizuar ndjeshëm dhe që ka në përbërje shtetas pothuajse nga i gjithë Ballkani. Tonelata kokainë të sekuestruara gjatë 4 viteve të fundit, kryesisht në Spanjë, por në disa raste edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbajnë firmën e këtij klani.

E duket se pjesë integrale e “Kartelit Ballkanik”, ishte edhe 30-vjeçari nga Tropoja, Almir Gjidiaj. Ai u arrestua më 23 janar 2025 gjatë një operacioni ndërinstitucional, ku morën pjesë efektivë të Rojës Bregdetare të Marinës Kolumbiane dhe Migracionit, por edhe DEA. Gjidiaj u kap në një hotel të njohur në ishujt Rosario, një zonë ishullore që ndodhet afërsisht 40 kilometra nga bregu i detit në Cartagena. Emri i tij figuronte me një alarm të kuq nga Interpol, për krime të dyshuara në lidhje me trafikun e armëve.

Operacioni nisi me transferimin e një ekipi të specializuar nga Cartagena në zonën e ishullit, me objektivin e qartë, verifikimin e informacionit të dhënë nga oficerët e Migracionit të Kolumbisë, për një subjekt të dyshimtë. Kur forcat e operacionale janë afruar, i dyshuari ka tentuar të ikë, por falë veprimit të shpejtë të efektivëve është kapur dhe është vënë në dispozicion të organeve ligjzbatuese.

Më pas u konfirmua identiteti i personit dhe u verifikua pasaporta e tij, e cila shoqërohej me alarmin e Interpolit të lëshuar nga vendi i origjinës, që ishte Shqipëria. Policia shqiptare tha se Almir Gjidiaj ishte në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe akuzohet si pjesë e një organizate kriminale të dedikuar për trafikun e armëve. Roli i tij kryesor ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi. Këto armë përdoreshin nga të ashtuquajturat mafia shqiptare, të lidhura drejtpërdrejt me “Kartelin Ballkanik”, me prezencë në Mbretërinë e Bashkuar. Policia thotë se arrestimi i tij është vazhdim i një tjetër operacioni, që u realizua më 22 gusht të vitit 2024, në Aeroportin e Barranquillas, ku u arrestua një tjetër shqiptar, Admir Tutaj, i cili po ashti ishte pjesë e së njëjtës organizatë. Autoritetet kolumbiane kanë sinjalizuar Policinë shqiptare, që të dy këta persona po përpiqeshin të krijonin një lidhje në zinxhirin e trafikut të drogës me organizata kriminale me prezencë në Kolumbi, por edhe në vendin tonë. Tutaj u ekstradua nga Kolumbia në Shqipëri, shtatorin e vitit 2024, në pritje të nisjes së procesit në ngarkim të tij në Gjykatën e Posaçme, për trafik armësh.

Nga ana tjetër, i arrestuari, Almir Gjidiaj do të vihet në dispozicion të Prokurorit të Përgjithshëm të Kombit, nëpërmjet Drejtorisë së Çështjeve Ndërkombëtare, në pritje të dokumentacionit përkatës në rrugë diplomatike nga shteti kërkues. Në këtë mënyrë, urdhri i arrestit për qëllime ekstradimi do të lëshohet brenda një afati maksimal prej pesë ditësh pune.

Të dy këta persona janë pjesë e një dosje hetimore të SPAK, që lidhet me dy operacione të zhvilluara në prill të vitit 2023 dhe në gusht të vitit 2024, në Durrës, Tiranë dhe Tropojë, gjatë të cilit u sekuestruan 33 armë zjarri, kryesisht pistoleta, që do të trafikoheshin drejt Britanisë së Madhe.

TRAFIKU I ARMËVE NGA  SHQIPËRIA DREJT ANGLISË

Më 10 prill të vitit 2023, autoritetet e Portit të Durrësit, kanë njoftuar Njësinë Hetimore për Narkotikët dhe Trafiqet në Policinë Kriminale, për një furgon të dyshimte “Mercedez”, me targa angleze. Ky furgon, me drejtues Jetmir Koloshin, pasi ka hyrë në Port, ka kryer praktikën doganore për dalje nga territori i Shqipërisë në drejtim të Italisë, me destinacion final Mbretërinë e Bashkuar.

Nga kontrolli i furgonit në Port, u gjetën të fshehura në brendësi të një tavoline me punim druri, 8 pistoleta, me krehrat përkatës dhe rreth 200 fishekë të kalibrit 9 milimetër. 6 prej pistoletave, të markës “Glock”, ishin me numra të fshirë. Ndërsa dy të tjerat ishin të markave “Herstal” dhe Browning”.

Nga veprimet e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit, Jëtmir Koloshi, ka qenë i punësuar si shofer në një shoqëri transporti me adresë në Tiranë. Kjo shoqëri operon në transportin e mallrave si postë nga Shqipëria në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe anasjelltas.

SPAK ka kryer një serë veprimesh hetimore për interesa të procedimit penal, me qëllim mbledhjen e provave që kanë të bëjnë me dokumentimin e aktivitetit kriminal, identifikimin e organizatorëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, të të pandehurit Franko Gjalpi. Nga deklarimi që i është marrë pronarit të shoqërisë që kryente transportin e mallrave, ai ka pohuar se i kishin shkuar 2 persona të moshës 20-24 vjeç, me një “Audi A4” ngjyrë vishnje, me portobagazh. Njëri prej tyre i ishte prezantuar si Mikael Jani, emër që në fakt ishte i rremë, dhe kishte dy karrige portative, ndërsa personi tjetër kishte një tavolinë druri, ngjyrë arre dhe si porosi totale ishte 37 kg. Tavolina kishte të gdhendur portretin e Skënderbeut. Nga veprimet hetimore, në bazë edhe të deklarimeve, ka rezultuar se porosia ishte dërguar aty nga Franko Gjalpi dhe Bojken Turtulli. Këta të dy persona janë identifikuar nga vetë deklaruesi me paraqitje për njohje.

Është pyetur edhe pronari i shoqërisë që priste mallrat në Angli, po ashtu shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se është vënë në dijeni nga punëtori i tij në Tiranë në lidhje me gjetjen brenda një tavoline që ishte porosi, të disa armëve dhe municioneve, si dhe për arrestimin e shoferit të tij. Në lidhje me këtë fakt ai është paraqitur në Policinë britanike dhe ka dhënë deklarimet e tij, duke vënë në dispozicion edhe pamjet filmike të ambienteve të kompanisë së tij, ku shfaqej pritësi me dy mjete “Jaguar”.

Nga ana tjetër, ai ka deklaruar se nga fillimi i marsit të vitit 2023, janë transportuar nga Tirana drejt ambienteve të tij në Londër 6 ngarkesa, të destinuara për të mbledhur në një lokal atje. Pesë prej këtyre ngarkesave ishin dorëzuar nga i njëjti personi.

Deri në këtë fazë nuk ishte arritur të identifikoheshin të gjithë personat e përfshirë në rrjetin e trafikut të armëve. Rezultoi që shoferi i furgonit, Jetmir Koloshi, nuk kishte pasur dijeni për armët që ishin fshehur në tavolinë dhe hetimet ndaj tij u pushuan. Për rrjedhojë, deri të përfundim të hetimeve zbulimin e gjithë anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal, çështja në ngarkim të Franko Gjalpit u veçua dhe u gjykua. Në përfundim ai u dënua me 8 vjet burg.

Megjithatë hetimet e SPAK dhe BKH vijuan, derisa më 1 gusht 2024 u finalizuan me një tjetër operacion, të koduar “Inkorporimi”. Ky ishtë vazhdim i operacionit të prillit 2023 në Portin e Durrësit për trafikim të armëve nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë operacionit u sekuestrua një arsenal armësh i përbërë nga 24 pistoleta tip “Glock” dhe një Kallashnikov, qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike. Gjithashtu u sekuestruan edhe veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, 2 thika, etj. Ndërsa u ekzekutuan masat e sigurisë “arrest në burg” për 3 shtetas të cilët u kapën në Tiranë. Hetimi vijon në bashkëpunim edhe me autoritetet britanike për kapjen edhe të 3 personave të tjerë që dyshohet se fshihen në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilën Gjykata e Posaçme ka caktuar të njëjtën masë sigurimi në mungesë.  Të arrestuarit ishin Adulla Hoxhaj, 45 vjeç, Bojken Turtulli, 22 vjeç dhe Rifat Avdiaj, 62 vjeç, të tre banues në Tiranë. Armët dhe veshjet e sekuestruara janë kapur nga Policia në shtëpinë e Adulla Hoxhajt, që dyshohet se ishte koka e këtij grupi kriminal. Gjithashtu janë bërë kërkime në 6 banesa në Tropojë e në Tiranë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, organizatorët gjatë transportit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak fshinin numrat e serisë me qëllim mos identifikimin e tyre dhe fshiheshin në objekte prej druri. Po ashtu bëhet me dije se organizatorët përdornin gjeneralitete të rreme, si të dorëzuesve të porosive, ashtu edhe të pritësve.

Bazuar në sasinë e konsiderueshme të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak të sekuestruar, me destinacion final Mbretërinë e Bashkuar, referuar mënyrës se si kanë vepruar organizatorët e këtij trafikimi për sigurimin e tyre dhe fshirjen e numrave të serisë në 6 prej armëve të zjarrit me qëllim mos identifikimin e tyre, është vlerësuar se këto armë zjarri nuk do përdoreshin për vetëmbrojtje. Kryerja nga organizatorët e këtij trafiku e veprimeve të fshehjes së sendeve të sekuestruara në brendësi të objekteve punim prej druri, për të mos u kapur nga kontroll i mundshëm i strukturave të policisë dhe doganës, përdorimi i gjeneraliteteve të rreme, si të dorëzuesve të porosive tek kompania e transportit, ashtu dhe të pritësve të tyre në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndërmarrja e veprimeve për dorëzimin e sigurt në destinacion, krijuan dyshimin e arsyeshëm se ndodhemi para kryerjes së veprës penale në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

SPAK sqaronte se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për interesa të procedimit penal, është bërë e mundur të identifikohen personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal, që janë marrë me organizimin, drejtimin dhe financimin e këtij grupi të strukturuar kriminal. Roli i organizatorëve të këtij trafiku ka konsistuar në sigurimin e armëve të zjarrit, gjetjen e ambientit të përshtatshëm dhe specialistëve të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës të cilët do mundësonin fshehjen e tyre në brendësi të produkteve të drurit, kryesisht tavolina, sigurimin e personave që do bënin zhvendosjen e “porosive” për tek kompania e transportit Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri.

Gjatë këtij operacioni ishin shpallur në kërkim edhe dy shtetasit që u kapën në Kolumbi, Admir Tutaj, tashmë i ekstraduar dhe Almir Gjidiaj, i cili pritet të ekstradohet. Megjithëse autoritetet kolumbiane, i konsiderojnë ata si pjesë të “Kartelit Ballkanik”, ende nuk është përcaktuar qartë pozicioni i tyre në rrjetet ndërkombëtare, që kryesisht synojnë trafikun e kokainës. Por sigurisht që persona të caktuar kanë role të caktuara në organizatat kriminale. Dikush merret me sigurimin e drogës, dikush me sigurimin e armëve e të tjerë me paratë.

“KARTELI BALLKANIK” ARRESTIMET NE KOLUMBI

Asnjëherë më parë nuk ishte parë aq shumë kokainë e mbledhur në një vend të vetëm. Këtë e deklaronte vetë Policia spanjolle në dhjetor të vitit 2023. Deri diku ata kishin të drejtë. Të paktën për sasinë që kishin arritur të sekuestruar, afro 12 ton kokainë. Ndërsa trafikimi i lëndës narkotike ishte kryer nga një nga grupet më të fuqishme në Europë. Bëhej fjalë për trafikantë shqiptarë, të cilët konsiderohen si pjesë e “Kartelit Ballkanik”. Në përfundim të operacionit, u arrestuan 20 persona, shumica shqiptarë, disa spanjollë, një kolumbian dhe një dominikan.

Sasia rekord e kokainës kishte mbërritur në Spanjë nga Amerika e Jugut në dy dërgesa. Më e madhja nga konfiskimet peshonte më shumë se 8 ton, e paketuar në qendër të paletave të transportit dhe e rrethuar nga peshku ton i ngrirë. Biznesmeni i akuzuar për këtë ngarkesë kishte një kompani të regjistruara në provincën e A Caruna. Sasia e drogës mbërriti në portin e Algesiras në grykën e ngushticës së Gjibraltarit dhe më pas u dërgua në Vigo, në veriperëndim të Spanjës, në bordin e një anijeje mallrash të regjistruar në Liberi. Kontejnerët u tërhoqën më pas 90 milje në veri me kamion, në një magazinë industriale në Chambre.

Më e vogla nga dy konfiskimet brenda javës dhjetorin e vitit 2023 ishte pothuajse 4 ton dhe mbërriti në portin lindor të Spanjës, në Valencia. Megjithëse ishte sa gjysma e sasisë së kapur më parë, mënyra se si ishte fshehur droga, ishte më interesante. Kokaina ishte fshehur në ndarje sekrete të ndërtuara posaçërisht në kontejnerë transporti që ishin zhvendosur në një magazinë. Kjo sasi droge ishte me origjinë nga Kolumbia dhe ka të ngjarë së ishte paketuar në portin e Guayaquilit në Ekuador e më pas ishte nisur drejt Europës. Konkretisht në Spanjë. Në konferencën për shtyp, ku komunikoheshin rezultatet e këtyre operacioneve të rëndësishme, drejtuesit më të lartë të Policisë në Spanjë shpjegonin se përgjegjës për sasinë rekord të kokainës ishte “Karteli Ballkanik”, kryesisht shtetasit shqiptarë, që ata i quajtën “mbretërit e kokainës” së Europës.

Viti 2023 në fakt kishte pasur disa operacione të ngjashme, në Ishujt Canarie, në qytetet spanjolle Vigo dhe Algesiras, por edhe në Greqi, duke konsideruar trafikun e kokainës si një vepër të “Kartelit Ballkanik”.

Kjo organizatë kriminale në fakt, që disa vende të Amerikës së Jugut e kanë quajtur tashmë me këtë emër, nuk është një grup i vetëm kriminal, as një organizatë me një drejtues të vetëm, por tregtarë të shumtë nga Ballkani, të cilët e kanë zhvilluar biznesin e tyre përmes kontrabandës së mirëorganizuar të kokainës, kryesisht përmes anijeve detare. Bëhet fjalë për kriminelë nga Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ballkani është një rajon transit, ku një pjesë e drogës ruhet dhe një pjesë shkon në Europën Perëndimore.

Pavarësisht se ka marrë emrin “Karteli Ballkanik”, në fakt mirëfilli nuk është një kartel, por ka në përbërje anëtarë dhe grupe të organizuara kriminale. Më 22 gusht të vitit 2023, Policia gjeti rreth 700 kilogramë kokainë në ishujt Kanarie. Hetimi nisi në mars 2022 dhe u fokusua në një anije me flamur polak me bazë të përkohshme në Ishujt Kanarie, e cila dyshohej se përdorej për transportin e lëndëve narkotike. Alarmi ra që prej muajit korrik, kur Policia spanjolle vuri re rrugën e pazakontë të kësaj anijeje, e cila po lëvizte drejt ishujve të izoluar në Oqeanin Atlantik. Pak ditë më vonë, policia kapi anijen, e brenda saj u zbuluan 700 kilogramë. Tri ditë më pas, në portin e Algesiras, Policia spanjolle zbuloi se në kontejnerë me banane u gjetën gati 10 tonë drogë. Sërish mediat spanjolle, që i referoheshin Policisë, theksuan se edhe pas kësaj ngarkesë ishte “Karteli Ballkanik”. Më 11 shtator të po atij viti, po në Spanjë, në portin e Vigos u gjetën edhe 2.3 ton kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur në një anije peshkimi dhe policia arrestoi 5 persona. Më në fund, më 21 shtator, në Serbi u arrestua një grup kriminal prej gjashtë anëtarësh, i dyshuar për kontrabandë kokaine. Kreu i këtij grupi ishte ish-futbollisti i “Crvena Zvezdës”, Zhivko Bakiç. Ai dhe grupi i tij u arrestuan pasi Policia greke në portin e Selanikut sekuestroi 324 kilogramë kokainë.

E raste të ngjashme që i atribuohen “Kartelit Ballkanik” numërohen shumë. Por disa duket se janë më me rëndësi, për shkak edhe të përfshirjes së DEA-s, duke qenë se trafiku nuk kryhet vetëm në Europë, por edhe në Amerikë.

Më 19 korrik të vitit 2021, në 4 qytete të ndryshme të Kolumbisë u zhvillua një operacion nga Drejtoria e Specializuar kundër Trafikut të drogës, Prokurorisë, Policisë Kombëtare kolumbiane dhe DEA-s, duke çmontuar një rrjet të trafikut të drogës, drejtuesi i të cilit ishte një shtetas shqiptar. Pesë anëtarët e dyshuar të strukturës u kapën për qëllime ekstradimi, në përgjigje të një kërkese nga një gjykatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtuesi i këtij rrjeti ishte Agim Çerma, i njohur atje me pseudonimin “Jimmy”. Ndërsa bashkë me të u arrestuan edhe William Cruz Pérez, Pedro Antonio Penagos Londoño, Zhairo Fernando Cardona López dhe Edwin Durlandy Montilla González. Autoritet kolumbiane kishin të dhëna se Agim Çerma kishte kryer transferta valutore nga Europa për të blerë kokainë në zonat e prodhimit në Cauca dhe për të garantuar më tej dërgesën e kokainës në fluturime me çarter nga Aeroporti Ndërkombëtar “Alfonso Bonilla Aragón” në Palmira. Ka të dhëna se paratë kanë hyrë në Kolumbi nëpërmjet ndërmjetësuesve financiarë, të njohur si broker.

Sipas hetimeve, shtetasi shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tij mbanin aleanca me “Clan del Golfo” në rajonin Urabá dhe me grupet FARC në jugperëndim të vendit për të blerë dhe lëvizur lëndën narkotike. Për më tepër, ata kishin vendosur kontakte me kontrollorët e trafikut ajror dhe personelin e mbikëqyrjes aeronautike për t’i lejuar ata të largonin dërgesat e kokainës.

Ata kishin përdorur edhe portet e Karaibeve Kolumbiane për të kamufluar ngarkesat midis kontejnerëve dhe anijeve motorike, të cilat lundrojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe destinacioneve europiane.

Agim Çerma i arrestuar në Kolumbi si kreu i një grupi të fuqishëm që merrej me trafikun e kokainës, rezultonte i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Vendimi ndaj tij ishte marrë nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998 për vrasjen e Gëzim Liçit dhe plagosjen e efektivëve të policisë.

Ngjarja për të cilën ai ishte dënuar ka ndodhur në vitin 1997 në Elbasan, ndërsa në atë kohë, bashkë me Agimin u arrestua edhe i vëllai i tij, Gazmend Çerma, si dhe disa persona të tjerë. Gazmend Çerma u dënua me 11 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan. Vendimin e ankimoi në Apelin e Durrësit, por kërkesa iu refuzua.

Në ankimim ai ia kalonte përgjegjësinë të vëllait Agimit, duke argumentuar se nuk kishte dijeni se i vëllai kishte armë me vete dhe se do të kryente vrasjen. Të njëjtin veprim ka kryer edhe Agim Çerma duke ankimuar dënimin përjetë. Kjo kërkesë i është refuzuar nga Apeli i Durrësit dhe Gjykata e Lartë. Ndërsa Kushtetuesja ia kaloi Shkallës së Parë në Elbasan për rigjykim. Kjo e fundit ia kaloi Gjykatës së Lezhës, pasi dënimin, Agim Çerma po e kryente në burgun e Shënkollit. Referuar të dhënave të gjeneruara nga sistemi i kësaj Gjykate, Agim Çerma, në vitin 2012 është liruar me kusht në rrethana ende të paqarta.

Pasi la qelinë, Agim Çerma është larguar drejt vendeve të Europës dhe më pas në vendet e Amerikës Latine ku është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Përgjatë viteve të fundit, Policia shqiptare me anë të letër-porosive u kanë kërkuar informacion  autoriteteve të huaja për Çermën, pasi edhe në vendin tonë ai dyshohej si i përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës.

Por në Kolumbi, Agim Çerma u arrestua për llogari të autoriteteve amerikane dhe u ekstradua atje. Më 6 shkurt të vitit 2024, 55-vjeçari Çerma është dënuar me 20 vjet burg nga një gjykatë amerikane. I njohur ndryshe me nofkën “Jimmy”, shqiptari me banim në Kolumbi, u dënua me 240 muaj burg pasi u deklarua fajtor për rolin e tij në trafikun e kokainës përmes avionëve të regjistruar në SHBA.

Siç përshkruhet në dokumentet dhe dëshmitë e gjykatës, në vitin 2020 Administrata e Zbatimit të Drogës, duke punuar me agjencitë e zbatimit të ligjit në Kolumbi, identifikoi individë të përfshirë në shpërndarjen e drogës në shkallë të gjerë. Hetimi përcaktoi se Çerma dhe të tjerët po planifikonin dhe bashkërendonin prodhimin dhe transportin e qindra kilogramëve kokainë nga Kali, në Kolumbi, në drejtim të Europës nëpërmjet një avioni të regjistruar në SHBA, duke shpresuar se regjistrimi i SHBA-së do të shmangte kontrollin shtesë të dhënë ndaj avionëve me flamur kolumbian.

Skema përfshinte pagesën e punonjësve të korruptuar të aeroportit, prodhimin e më shumë se 300 kilogramë kokainë nga një laborator në Kolumbi dhe pagesat për organizimin dhe ekzekutimin e skemës në rreth 300 mijë dollarë. Hetimi zbuloi se Çerma ishte drejtuesi i organizatës së trafikut të drogës dhe komplotet me të bashkëpandehurit për të eksportuar kokainën duke përdorur një avion të regjistruar në SHBA. Autoritetet e zbatimit të ligjit në Aeroportin Ndërkombëtar “Bonilla Aragon” në Kali, më vonë sekuestruan valixhe që përmbanin afërsisht 330 kilogramë kokainë të destinuara për një avion që udhëtonte për në Europë.

Në gusht të vitit 2023, në Kolumbi u arrestua një tjetër shtetas shqiptar që kërkohej nga 180 vende të botës. Autoritetet kundër trafikut të drogës në koordinim me policinë kombëtare pas një aksioni të zhvilluar, arrestuan në Santa Marta, shqiptarin Besnik Nikolli alias Niko ose El Gordo, i cili kishte lidhje me trafikantët  e drogës nga Kolumbia. Sipas mediave vendase ai ishte në kërkim nga autoritetet franceze që nga viti 2021 për veprën penale të trafikut të drogës. Ai gjithashtu ishte i përfshirë në krime të pastrimit të parave dhe për këtë arsye kërkohej në më shumë se 180 vende.

Në dosjen e tij thuhej se Besnik Nikolli  në atë kohë kishte lidhje me bandat nga vende si Gjermania, Holanda, Franca dhe gjithashtu edhe nga Shqipëria, të cilat merreshin gjithashtu me trafikun e drogës në pjesën më të madhe të Europës.

Prej më shumë se 10 vitesh, oficerë të inteligjencës nga të paktën katër vende kanë qenë në kërkim të Nikollit, si drejtues i një organizate shqiptare në trafikun e kokainës, heroinës dhe drogave të tjera në rajon, nga Lioni i Francës. Në dosjen e tij thuhet se oficerët e inteligjencës nga Europol dhe Interpol morën informacion se Nikolli vendosi në vitin 2021 të transferohej në Kolumbi për të krijuar aleancat me kartelet që veprojnë në vend.

Ai ka qëndruar i fshehur në një lagje të njohur të Santa Martës për dy vjet pa u zbuluar. Por ndërkohë sipas një investigimi të, “EL TIEMPO-s”  ai ishte aktiv në rrjetet sociale madje komunikonte dhe shkëmbente foto me gra të ndryshme që njihte në rrjet. Ka qenë një seri fotosh dërguar këtyre grave çelësi për gjetjen e vendndodhjes së tij.

Besnik Gjergji Nikolli sipas punës së inteligjencës, kishte lidhje me strukturat e trafikut të drogës në Shqipëri, Holandë dhe Gjermani, të cilët ishin partnerë të tij në Europë dhe ishin përgjegjës për marrjen e lëndëve narkotike. “EL TIEMPO” hetoi se bosi shqiptar u kap pasi agjentët e inteligjencës franceze  përdoren si karrem për ta kapur një llogari online të një gruaje dhe kaq u desh që Nikolli të binte në kurth. Përtej llogarisë, ishte një agjent i fshehtë, i cili fitoi besimin e Nikos dhe e shtoi atë në rrjetet sociale. Sipas autoriteteve, shqiptari rrallëherë dilte nga rezidenca e tij, një apartament modest në lagjen San Pablo në Santa Marta, ku organizonte festa me gra që i paguante. Ai u thoshte zonjave që ftonte në shtëpinë e tij se jetonte në Bogota dhe se shkonte në bregdet vetëm për një shëtitje.

Disa kohë më vonë ai filloi t’i dërgonte agjentit të fshehtë fotografi të udhëtimeve dhe pasurive të tij. Në një nga fotot u zbulua edhe vendndodhja gjeografike e tij. Fqinjët e pyetur u thanë autoriteteve se u dukej ekstravagant,  stili i jetesës së izoluar që i huaji bënte dhe kjo i kishte vënë shpesh në dyshime.

Pak kohë pas arrestimit të El Gordos, më 14 nëntor të vitit 2023, Drejtoria e Hetimit Kriminal, Interpoli i Policisë Kombëtare të Kolumbisë dhe agjencia e Administratës së Kontrollit të Drogës, DEA, raportuan kapjen e shtetasit shqiptar Klodian Zaimi, i njohur me pseudonimin “El Gringo”. Autoritetet në Kolumbi deklaronin se ky person ishte përgjegjës për koordinimin e dërgesave me sasive të mëdha të lëndëve narkotike nga portet e Cartagenës drejt Amerikës Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara duke përdorur varka të shpejta. Kokaina ishte prodhuar në departamentin e Valle del Cauca dhe ishte transportua me rrugë tokësore në bregdetin e Karaibeve, pasi atje, anëtarët e organizatës ishin përgjegjës për dërgimin e lëndës narkotike nga deti në destinacionin e tij përfundimtar. Klodian Zaimi kishte si funksion kryesor marrjen e parave nga shitja e kokainës në Shtetet e Bashkuara dhe herë pas here në Europë, për t’i pastruar dhe për t’i dërguar më pas në organizatën kriminale në Kolumbi.

Bashkë me të gjatë operacionit u arrestua edhe një tjetër person, të dy të kërkuar nga një gjykatë e distriktit jugor të Floridës për krimet e pastrimit të parave, trafikut të paligjshëm të drogës dhe komplotit për të kryer një krim.

Operacioni gjatë të cilit u arrestua shtetasi shqiptar, u kodua “Pacifico” dhe u zhvillua paralelisht me 2 operacione të tjera që synonin arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Amerikës të personave që ishin shpallur në kërkim për krime që lidheshin me drogën atje.

Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Heriberto Kardozo Kortes i njohur me pseudonimin “Coronel”, i cili sipas autoriteteve ishte pjesë e një organizate kriminale të dedikuar për trafikun e kokainës. Ai akuzohej se kishte kryer të gjithë koordinimin në portet e ngarkimit të Santa Martës dhe Cartagenës, në mënyrë që droga të hynte pa problem dhe më pas të dërgohej në kontejnerë të ndryshëm me fruta të ngrira.  Në këtë operacion, i cili u zhvillua njëkohësisht në Kali dhe Bogota, u kapën edhe Fabián Alberto Agredo Hoyos alias Licencuar dhe Álvaro José Becerra López alias Korbata. Tre personat janë kërkuar për ekstradim nga Gjykata e Distriktit Jugor të Floridës.

Nga ana tjetër, në nëntor të vitit 2024, në Shqipëri u arrestua një shtetas kolumbian që kishte lodhje me Klodian Zaimin që u arrestua në Kolumbi me qëllim ekstradimi në SHBA. Ai tashmë është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme për laboratorin e drogës në Fushë-Krujë. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Shqipërisë ekstradimin e kolumbianit Ledezma Narveaz, i konsideruar si kreu i grupit kriminal të goditur në Kolumbi nga DEA, në muajin nëntor 2023. Referuar dosjes së amerikanëve, ai tentoi të trafikonte 1 ton kokainë drejt Floridës, sasi që ishte porositur nga një agjent sekret, i cili bëri në dy raste blerje të stimuluara prej tij. Narveaz dhe shqiptari Klodian Zaimi, u futën në grackë nga një agjent i kamufluar. Gjatë përpjekjeve për trafikun e 1 ton kokainë drejt Amerikës, kolumbiani kishte zhvilluar takime me shqiptarin Klodian Zaimi, të cilit i kërkonte mënyra për të pastruar të ardhurat që do fitonin nga trafikimi i drogës. Ata kanë marrë fillimisht 100 mijë dollarë për ngarkesën. Para që ua kishte dhënë agjenti i infiltruar. SPAK thotë se 41-vjeçari nga Kolumbia do të duhet të mbyllë çështjen hetimore në Shqipëri, megjithëse është marrë edhe një masë sigurimi me qëllim ekstradimi drejt Amerikës.

Më herët, në Kolumbi janë arrestuar edhe të tjerë shtetas shqiptarë. Një prej tyre ishte edhe Deniz Klironomi, i njohur me nofkën ‘Gucci’, i cili rezultonte të ishte pjesë e grupit “Los Pachenca”, që merret me trafik droge, emigrantësh dhe armësh. Klironomi u arrestua gjatë një operacioni të autoriteteve atje, më 25 shtator të vitit 2022. Që në fund të vitit 2020, hetuesit nga policia e Dijin morën informacione se një trafikant droge kishte mbërritur në gjirin verior të Kolumbisë. Por, sa herë hetuesit binin në gjurmët e tij, ai zhdukej sepse ndërronte thuajse çdo muaj vendndodhjen.  Kjo zgjati për 7 muaj, derisa policia arriti në një apartament në Barranquilla ku jetonte shqiptari. Për një javë, Klironomi nuk doli as në dritare derisa efektivët ia dolën që ta fotografonin dhe fiksuan edhe një tatuazh në krahun e tij të majtë, përmes të cilit arritën ta identifikpjnë dhe më pas edhe ta arrestojnë.

Ai kishte një pasaportë të Republikës së Kosovës, por pasi autoritetet kërkuan informacion atje, u thanë se një person i tillë nuk ekzistonte. Megjithatë, zbuluan se ishte një nga personat më të kërkuar në Europë.  “Gucci”, i dyshuar si trafikant droge me kombësi shqiptare, kërkohej me njoftim të kuq nga Interpoli.

Kur ai u arrestua, në formë kërcënimi u tha oficerëve të Policisë se diçka mund të ndodhte me njerëzit që përdorën forcën për ta ndaluar. Përveç kësaj, ai foli me njerëz në Rumani dhe Shqipëri, ku ai tha se pagoi të gjitha paratë që të mos ekstradohej.

Nga ana tjetër. Deniz Klironomi, kërkohej edhe nga drejtësia shqiptare për tentativë vrasjeje. Ai rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Durrësit me 6 vjet e 6 muaj burg për vrasje të mbetur në tentativë. Në vitin 2019, me publikimin e listës së të shumëkërkuarve nga Durrësi, doli edhe emri i Klironomit.

Këta ishin vetëm disa nga shqiptarët e arrestuar në Kolumbi dhe që dyshohet të jenë pjesë e grupeve kriminale që lëvizin tonelata kokainë në Europë dhe SHBA. Të tjerë me gjasë ende nuk janë identifikuar.

Për të kuptuar se përse të gjithë trafikantët, duke përfshirë edhe ata shqiptarë, synojnë Amerikën e Jugut, por kryesisht Kolumbinë, mjafton të përmendim operacionin që u zhvillua atje në nëntor të vitit 2024.  Autoritetet nga më shumë se 60 vende të botës arritën të sekuestrojnë sasinë rekord prej 225 ton kokainë gjatë një mega-operacioni në Oqeanin Paqësor dhe identifikuan strategji të reja mafioze për ta çuar drogën deri në Australi.

Agjencitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, Brazili, Spanja dhe Holanda, midis vendeve të tjera, morën pjesë në operacionin që zgjati 45 ditë. Edicioni i katërmbëdhjetë i fushatës detare “Orion” arriti një konfiskim total prej 1400 tonësh lëndë narkotike, duke përfshirë 225 ton kokainë dhe 228 ton marijuanë. Drejtuesit e operacionit shpjeguan se ishullin Cliperton ishte sekuestruar të një gjysmë nëndetëse që shkonte drejt Australisë me kokainë të prodhuar në Kolumbi.

Kjo, dhe gjetjet e tjera të mëparshme i çuan autoritetet në përfundimin se ekziston një “linjë e re” e trafikut të drogës midis të dy vendeve me anije të sofistikuara. Gjysmë nëndetësja prej druri, e mbuluar me xham ka karburant të mjaftueshëm për të lëvizur nga Kolumbia në Australi, që është një distancë rreth 5000 milje,  pa pasur nevojë të furnizohen me karburant në oqean. Sipas autoriteteve kolumbiane, një kilogram kokainë shitet në Australi deri në 240 mijë dollarë. Në Shtetet e Bashkuara, çmimi varion midis 33 mijë dhe 40 mijë dollarë.

Vendet që morën pjesë në operacionin “Orion” identifikuan gjithashtu aleanca midis grupeve kriminale nga Meksika, Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja me grupe të fuqishme nga Europa dhe Oqeania. Ky ishte një ndryshim organizativ në tregun global të kokainës. Sipas drejtuesve të operacionit, nuk është thjesht që një strukturë piramidale siç ishin kartelet në kohën e tyre, të shndërrohen sot në rrjete të krimit të organizuar që lidhen me njëra-tjetrën në të gjithë botën.

Gjatë këtij operacioni u kryen më shumë se 400 arrestime, në kuadër të Rrjetit Gjyqësor Ndërkombëtar Orion të krijuar së fundmi, i mbështetur nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin. Kolumbia vijon të jetë  eksportuesi më i madh i kokainës në botë. Sipas OKB-së, në vitin 2023, prodhimi i kësaj substance u rrit me 53% duke arritur në 2600 tonë në vit, sipas OKB.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se kurrë më parë, autoritetet kolumbiane nuk kishin sekuestruar një sasi aq të madhe kokaine në një operacion të vetëm. Sasia është sa një e treta e totalit vjetor rekord të kokainës së sekuestruar në 2022-shin, 671 tonë.

E duket se shifrat flasin më shumë se gjithçka tjetër. Përmendëm vetëm disa nga shqiptarët e arrestuar në Kolumbi dhe që dyshohet të jenë pjesë e grupeve kriminale që lëvizin tonelata kokainë në Europë dhe SHBA.

Për një pjesë të madhe të trafikantëve, Amerika e Jugut, kryesisht Kolumbia, Ekuadori dhe Brazili, janë kthyer si një shtëpi e dytë për ta. Shqiptarët e fundit që u arrestuan atje, ishin për qëllim ekstradimi, me një akuzë zyrtare “trafikun e armëve”. Por trafiku i drogës është i lidhur pazgjidhshmërisht me trafikun e armëve dhe pastrimin e parave. Nëse ndiqet njëra, patjetër gjurmët do të shkojnë edhe te tjetra. /Emisioni “Gjërat Tona”

Exit mobile version