Euro u shkëmbye mesatarisht për 129.05 lekë të mërkurën në tregun e Tiranës, duke shënuar kuotën më të ulët që nga viti 2009, ose nëntë vjet më parë, bëhet e ditur nga kursi mesatar fiks i llogaritur dhe i publikuar nga Banka e Shqipërisë. Në krahasim me të martën, leku u forcua me 0,7% ndërsa në krahasim me një vit më parë, leku është forcuar me 4.7%.
Leku pati ruajtur një kurs stabël nga fillimi i vitit 2010 deri në vitin 2015, duke lëvizuar pak qindarka plus dhe minus kuotës 139.5 lekë për euro. Por nga fundi i vitit 2016, leku filloi të forcohet gradualisht, tendencë që vijoi edhe në vitin 2017. Themelet e ekonomisë shqiptare, të tilla si shkëmbimi tregtar i vendit apo bilanci financiar, nuk sugjerojnë për ndonjë bazë ekonomike që të shpjegojë forcimin e lekut përgjatë dy viteve të fundit. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka qenë përgjatë të gjithë kësaj periudhe “lehtësuese”, gjë që nënkupton dëshirën e bankës qendrore për të furnizuar më shumë lekë në treg, pra me tendencë nënçmuese për monedhën kombëtare. Po kështu, bilanci i tregtisë së jashtme të Shqipërisë flet për deficit në zgjerim. Supozimi kryesor i shkaqeve të forcimit të lekut lidhet me një burim eurosh me origjinë të panjohur, që mund të lidhet me aktivitetin kriminal të shqiptarëve nëpër Europë, të tillë si trafiku i lëndëve narkotike. Eksporti i narkotikëve është i pamundur që të matet, por duke parë sasitë rekord të kanabisit dhe të kokainës të sekuestruara në Shqipëri, Itali e Greqi, kjo mund të sugjerojë që sasia reale e prodhuar apo eksportuar e drogëve mund të jetë rritur ndjeshëm në krahasim me disa vite më parë, aq sa valuta e sjellë nga ky aktivitet ka shkaktuar forcim të lekut.
Prania e shumave të mëdha të eurove vërehet edhe në elementë rastësorë. Një bankë e rëndësishme në tregun shqiptar publikoi një njoftim në sportelet e veta muajin e kaluar, ku bëhej e ditur se ajo nuk do të pranonte depozitimin e shumave mbi 50 mijë euro, në rast se këto shuma paraqiteshin kesh në sportel dhe nuk shoqëroheshin me një dokument për të treguar origjinën e tyre, fjala vjen, tërheqja nga një bankë tjetër ose të ardhurat nga një aktivitet biznesi. Në Shqipëri sot është shumë e vështirë që një person të ketë 50 mijë euro kesh nga burime të ligjshme. Megjithatë, prania e shumave të tilla duket se është kaq e shpeshtë sa një bankë detyrohet të “refuzojë klientët”. Forcimi i lekut sjell disa përfitime dhe disa kosto. Përfitimi kryesor është që importet e Shqipërisë, qoftë për mallra konsumi, qoftë për makineri e pajisje, bëhen pak më të lira. Po kështu bëhet më i lirë edhe shërbimi i borxhit publik të jashtëm të vendit, si dhe shërbimi i kredive të marra në euro nga bizneset apo nga konsumatorët familjarë. Por gjithashtu forcimi i lekut i bën më të shtrenjta eksportet shqiptare, si dhe shërbimet turistike. Vuajtësit më të mëdhenj duket se janë sektori i fasonëve, të cilët importojnë lëndë të para për veshje, këpucë e mallra të tjera të gatshme dhe i rieksportojnë pasi shtimit të punës fizike të pakualifikuar ose gjysmë të kualifikuar. Grupi tekstile dhe këpucë ishte përgjegjës për 43% të të gjitha eksporteve të Shqipërisë gjatë vitit 2017, si dhe industria me një numër të madh të punësuarish. Megjithatë, e gjithë industria e fasonëve punon me norma shumë të ulëta fitimi për shkak të konkurrencës së egër për punë të lirë që vjen nga vende ku niveli i pagave është edhe më i ulët se sa në Shqipëri. Duke qenë se fasonët i kanë të ardhurat në euro dhe shpenzimet kryesore në lekë, një zhvlerësim i lekut qoftë edhe me 5% gërryen një pjesë të konsiderueshme të fitimeve të kësaj industrie. Eksportet e tjera kryesore të Shqipërisë si nafta apo mineralet, nuk pritet të vuajnë njësoj nga forcimi i lekut për shkak se këto industri kanë norma fitimi më të larta./“BIRN”/