Prokuroria për Krime të Rënda ka siguruar 24 dëshmitarë, 54 ekspertime të ndryshme dhe 12 raporte vëzhgimi të Policisë së Shtetit për të provuar akuzat ndaj grupit të laboratorit të kokainës në Xibrakë. ABC News ka mësuar se dy prokurorët e çështjes, krahas përgjimeve telefonike nga Gjermania dhe renditjes së detajeve të rrjetit të trafikut të drogës, ka pyetur 24 persona për dosjen e Xibrakës. Në mesin e dëshmitarëve janë familjarë të të arrestuarve, të njohur apo edhe banorë të ndryshëm, të Elbasanit dhe Tiranës që kanë pas kontakt me dy kolumbianët e arrestuar. Përveç dëshmitarëve, për të provuar akuzat, prokurorët kanë siguruar edhe 54 akt-ekspertime të ndryshme që faktojnë se lënda e gjetur në laborator ka tretësira kokaine. Por, ajo që i rëndon më shumë të 10 të pandehurit e kësaj dosje, janë raportet e vëzhgimit të kryera nga Policia e Shtetit. Sipas kërkesës për gjykim, thuhet se në dosje ndodhen 12 raporte vëzhgimi të shoqëruara me pamjet filmike të regjistruara në distancë.
Ky vëzhgim ka nisur më 19 dhjetor të 2014, pas sinjalizimeve nga autoritetet gjermane dhe ka vazhduar për disa ditë, me ndërprerje deri më datë 14 janar kur edhe policia ka ndërhyrë për arrestimin e tyre. Por ajo që bie në sy nga studimi i dosjes, krijohet bindja se operacioni është dekonspiruar pak minuta para arrestimit të tyre. Sipas raportit të vëzhgimit të datës 14 janar 2015 të mbajtur nga dy agjentë të policisë, përshkruajnë momentin kur Genc Xhixha ishte nisur drejt Elbasanit. Por një mesazh telefonik i dërguar në telefonin e tij, në ora 10:35 min ka bërë që ai të rrotullohet dy herë te rreth rrotullimi i “TEG”-ut dhe më pas është larguar me shpejtësi drejt Tiranës.
Ai moment ka qenë i fundit kur është parë Xhixha nga agjentët e policisë, pasi ka arritur të largohet i pashqetësuar. Vetëm pak orë më pas, në raportin e vëzhgimit në laboratorin e Xibrakës, agjentët kanë konstatuar se tre nga të dyshuarit po derdhnin fuçitë e mbushura me një solucion ngjyrë blu nga mbrapa magazinës. Në këtë kohë është ndërhyrë, duke i arrestuar ku edhe është konstatuar se ata po derdhnin solucionet, ku brenda kishte tretësira kokaine. Sipas akuzës, dyshohej se mes të arrestuarve është përdorur aparatet celular, të llojit “Balcberry” që ende edhe sot nuk është arritur të hapen nga ekspertë e Policisë Shkencore për të parë se kush ka qenë personi që i ka njoftuar të dyshuarit që po ndiqeshin.
Nga ana tjetër nga 9 të arrestuarit, në dosje thuhet se 6 prej tyre kanë rezultuar pozitiv në testin e përdorimit të lëndëve narkotike, mes tyre dy kolumbianët që ishin sjellë në Shqipëri me cilësinë e ekspertëve të përpunimit kimik të solucioneve të ndryshme për të nxjerrë kokainën e shkrirë.
Nga aktet e këtij hetimi rezulton se, në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike, të dyshuar si kokainë, nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Nga hetimi i kryer përmes përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve, rezultoi se Ilir Hyseni, pas mbërritjes në Shqipëri kishte kontakte me shtetasin Kastriot Imeri. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni përveç kontakteve me Kastriotin kishte kontakte edhe me Ermal Hoxhën, përdorues i celularit 069 64 xxx 949. Në këto kushte, Policia Gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, derisa në datën 13 janar 2015, u zbulua se këta shtetas udhëtuan nga Tirana për në ish-magazinat e Rezervave Shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se, përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty kishin akses edhe Klemend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Saimir Batku. Rezultoi nga përgjimet telefonike se, personat e mësipërm kishin komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin.
Gentian Gjonaj rezultoi të ishte përdorues i numrave celularë 069 20 xx 189 dhe 067 20 xx 189, Arjan Dalipi përdorues i numrit 069 57 xx 975, Klemend Dalipi përdorues i numrit 068 40 xx 645 dhe Saimir Batku përdorues i celularit 067 46 xx 365. Personat e mësipërm komunikonin për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tyre. Nga vëzhgimet u konstatuara si dhe dy shtetas të huaj, të cilët më pas rezultuan se ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno, kishin akses tek ambientet.