Prokuroria kërkoi gjithsej 126 vite burg për 9 të pandehurit e dosjes së kartelit të kokainës të quajtur “Xibraka“. Për të akuzuarit, 8 prej të cilëve në qeli dhe një ende në kërkim, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 126 vite burgim në total. Dënimet variojnë nga 13-15 vite heqje lirie dhe mes të pandehurve është dhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, për të cilin organi i akuzës kërkon 13 vite burg.
Hetimi për grupin e Xibrakës ka nisur më 17 dhjetor të vitit 2014, kohë kur ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Një ditë më vonë, më 18 dhjetor 2014, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton e provuar se të pandehurit kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike, në kuadër të të cilit ata kanë importuar në Shqipëri një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë. Për ekstraktimin e saj, ata kanë ngritur edhe një laborator ku nga dy shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Valter Moreno përpunohej lënda bazë që përmbante kokainën derisa nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t’u shitur në treg apo trafikuar.
Prania e kokainës në një sërë lëndësh që ndodheshin të depozituara në enë, shishe qelqi, qese, kontenierë etj., të sekuestruara në magazinë, siç u përshkrua në mënyrë të detajuar më lart, provon plotësisht se në magazinën në Xibrakë ishte ngritur një laborator për ekstraktimin e kokainës nga lënda ku ishte fshehur më parë, me qëllim kalimin me lehtësi të kontrolleve në pikat doganore.
Gjatë operacionit në Xibrakë u zbulua një laborator, ku bëhej nxjerrja e kokainës së shkrirë në materiale të ndryshme përmes një procesi të komplikuar. Për këtë ishin sjellë në Tiranë dy kolumbianë që janë mes të arrestuarve. Nipi i Enver Hoxhës, Ermali bënte transportin e tyre nga Tirana në Elbasan thuajse çdo ditë.
Në vijim ishte po ai që survejonte kalimin e saj në vende të Europës, kryesisht në Gjermani. Sipas hetimeve, i arrestuari tjetër i këtij operacioni, Ermal Hoxha, ka pasur rolin e financuesit dhe të financierit. Ai dyshohet se ishte personi që mbulonte likuidimin e drogës kur hynte në Shqipëri dhe që merrte paratë nga marrësit kur nxirrnin kokainë jashtë vendit. Ilir Hyseni realizonte kontaktet me furnitorët dhe blerësit fundorë në Gjermani. Pjesa tjetër e të arrestuarve dyshohet të jenë korrierë, ndihmës dhe bashkëpunëtorë të niveleve më të ulëta.