Mitingu i Kryeministrit Edi Rama me administratën e Bashkisë Tiranë në “Sheshin Skënderbej” duhej ndaluar.
Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar të enjten Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve (KQZ) duke i dhënë të drejtë Qëndresës Qytetare, e cila pati kërkuar zyrtarisht që të mos lejohej zhvillimi i këtij aktiviteti.
Sipas Kodit Zgjedhor, ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në institucione apo me administratën publike. Pas vendimit të KAS Komisioneri tashmë pritet të shqyrtojë mundësinë e gjobitjes së Kryeministrisë.
Sipas Rigels Xhemollarit nga Qëndresa Qytetare, e cila promovon transparencën dhe llogaridhënien, ky vendim i mbyll rrugën disa aktiviteteve që mund të ndodhin pas 25 marsit, me bërjen publike të kandidatëve që do të jenë në listat zgjedhore.
“Mendoj që është një vendim barrikadë duke shpresuar që do të shkojë deri në fund me sanksion, por që të gjithë duhet të jemi vigjilentë për çdo aktivitet tjetër pasi mund të ketë edhe një kundër revansh nga ana e zyrës së Kryeministrit për të mos zbatuar ligjin zgjedhor”, deklaroi Xhemollari.
Më 20 shkurt 2025, Rama grumbulloi në qendër punonjësit e Bashkisë së Tiranës, mitingu që nga ai u konsiderua “takim” u zhvillua 10 ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Aktiviteti ishte raportuar në KQZ si pjesë e ceremonisë hapëse për titullin “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, por në realitet mori kah tjetër.
Në nisje të organizimit u shfaq një video nën narracionin e Kryeministrit ku tregohej se “si ndryshoi Tirana” nga periudha kur ai ishte ministër Kulture e më pas Kryetar i Bashkisë.
Nga podiumi i ngritur në shesh, Rama mbajti një fjalim me tone të forta politike dhe mesazhe kundër opozitës.
Qëndresa Qytetare, i kërkoi KQZ-së ta ndalonte këtë aktivitet, duke argumentuar se shkelte rregullat zgjedhore.
Komisioneri Celibashi e cilësoi të ligjshëm aktivitetin nën argumentin se ishte njoftuar më parë. Por KAS gjykoi ndryshe.
Në vendimin që rrëzoi poshtë pretendimet e KQZ-së ajo argumenton se aktiviteti i zhvilluar nuk përputhej me atë që ishte raportuar zyrtarisht 5 ditë më përpara.
“Duke qenë se aktiviteti i mbajtur më 20 shkurt 2025, ora 16:30, në sheshin ‘Skënderbej’ ishte i ndryshëm nga ai i raportuar në KQZ, vendosim shfuqizimin e vendimit nr. 129, datë 20.02.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve,” deklaroi KAS./citizens.al