Kasmi: Drejtori i Policisë nuk kishte për qëllim të dënonte dhunën, por manipulimin e së vërtetës

Kryeredaktori i gazetës Rilindja Demokratike, Bledi Kasmi ka treguar para deputetëve të Komisionit të Medias në Kuvend se si kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tentoi të manipolojë të vërtetën.
Kasmi ka treguar se kreu i Policisë së Shtetit e kishte vizituar në spital, por vizita e tij nuk kishte për qëllim të dënonte dhunën, por manipulimin e së vërtetës.
“Drejtori i Policisë, Veliu më ka vizituar dhe është mirëpritur nga unë dhe njerëzit e mi. E kam konsideruar si një ndërhyrje.
Ai më ka thënë se shkopi i gomës nuk shkakton çarje në kokë. Aty kuptova se vizita e zotërisë nuk kishte për qëllim të dënonte dhunën, por manipulimin e së vërtetës dhe në këtë moment pati një acarim mes njerëzve të mi dhe Drejtorit të Policisë dhe qe ndërhyrja e mjekut aty që i shpjegoi atij të vërtetën. Sipas mjekut, plaga ishte shkaktuar nga një mjek i rrumbullakët shumë i fortë dhe nuk kishim të bënim me një plagë me cepa, por nga një mjet i fortë.
Pse qe i rëndësishëm ky sqarim? Sepse kishin dalë disa versione për goditjen time, nga disa media pranë qeverisë sikur isha goditur me gurë. Por nuk isha goditur me gurë dhe këtë sqarim e bënë mjekët. Pas kësaj kanë dalë versionet që kisha dalë si gazetar apo si protestues.
Unë vërtet jam kryeredaktor i RD por nuk i ngatërroj në asnjë moment detyrat si gazetar dhe detyrat partiake dhe kam qenë, jam dhe mbetem, para se të jem anëtar i një partie, jam një gazetar”, u shpreh Kasmi.

Exit mobile version